15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

E do lumturinë?!

Më të lexuarat

Vëlla dhe ti oj motër! Kujto se nuk je duke jetuar në jetën e lumturisë, porse në një jetë përplot me rreziqe e brenga. Mjafton ta kuptosh realitetin e saj, kur kujton se ajo është burg për besimtarët dhe xhenet për jobesimtarët.

Pyete veten se edhe sa të ka mbetur për të jetuar dhe se edhe sa shpreson të jetosh! Njëzet vjet, dyzet apo më tepër?! Vallë, si mund të shpresosh kështu kur sheh se befasitë ditë e natë po i godasin njerëzit?!

Meditoje këtë thënie të Pejgamberit tonë, Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, sikur ai të cilit i drejtohen këto fjalë je ti: “Jeto sa të duash, do të vdesësh! Duaje kë të duash, do të ndahesh prej tij! Puno çfarë të duash, atë do ta gjesh!” Tani, a e kuptove se sa e madhe është fatkeqësia dhe se sa e rëndë është çështja?!

Paramendo sikur meleku i vdekjes të ka ardhur në këtë moment për të ta marrë shpirtin! A do të pajtoheshe të vdisje në këtë gjendje?!

A ke menduar vallë për natën tënde të parë në varr, ku do të qëndrosh vetëm dhe kur dheu të bëhet shtrati yt, kur bukuria jote të zhduket, kur epshet tua të largohen dhe të mbesin vetëm keqardhja dhe pasojat?!

Mos dëshiron xhenetin dhe begatitë e tij, ndërkohë që ti vazhdon të këmbëngulësh në mëkate?! Apo, mos vallë, dëshiron lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, pa u larguar nga shejtani dhe partia e tij?!

Shumë njerëz janë mashtruar nga butësia e Allahut dhe mëshira e Tij e gjerë, ndërkaq kanë harruar se dënimi i Allahut është i ashpër dhe Ai është i Plotfuqishëm, Shpagimtar, dhe se të tillët nuk kanë punuar për të fituar mëshirën e Allahut, por kanë bërë vepra, me të cilat fitohet hidhërimi dhe dënimi i Tij i dhembshëm.

Paramendo sikur të kesh arritur të gjitha kënaqësitë dhe epshet e kësaj bote, kurse përfundimi yt të jetë zjarri, a mendon se do të të kujtohen begatitë e kaluara duke qenë në zjarr?!

Kujto ditën kur kundër teje do të dëshmojnë dëshmitarët dhe kur gjymtyrët tua dhe lëkura jote do të të zbulojnë…. a do të gjesh vend për të ikur?! Dëshmitarët prej teje, kurse dëshmia kundër teje…! Shihe pra, o njeri i gjorë, gjymtyrët me të cilat dhe për të cilat po i bën mëkate Allahut, në Ditën e Kijametit do të dëshmojnë kundër teje!

Andaj, falënderoje Allahun që ta ka zgjatur jetën dhe nuk ta ka marrë shpirtin duke qenë në humbje, devijim dhe pakujdesi!

Pendohu, pra menjëherë dhe largoje nga vetja jote pluhurin e pakujdesisë. Dije se dera e pendimit është e hapur, se Allahu është Bujar dhe se të mirat e kësaj bote shkojnë e vijnë! Dije gjithashtu, se i penduari nga mëkati është sikurse ai që nuk ka bërë mëkat, se Allahu veprat e këqija t’i shndërron në të mira dhe se Ai gëzohet për pendimin tënd!

Së fundi i përgëzoj të penduarit se Allahu i Lartmadhërishëm i do ata.

Ai thotë: “Me të vërtetë, Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen.” (Bekare).

Përgatiti: Id El-Inezi

Përktheu: Jusuf Kastrati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit