19.5 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Dy llojet e banorëve të zjarrit: tiranët dhe prostitutat

Më të lexuarat

Vëllezër në Islam!

Tema e hutbes së sotme është: “Ka dy lloje të banorëve të zjarrit: tiranët dhe prostitutat.”

Për këtë temë, me vullnetin e Allahut, do të flasim nëpërmjet hadithit të Pejgamberit (savs), të cilin e shënon Imam Muslimi në Sahihun e tij.

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Ka dy lloje të banorëve të Zjarrit, që unë nuk i kam parë (përjetuar): tiranët, në duart e të cilëve janë kamxhikët të trashë sa bishti i lopës, me të cilët i rrahin njerëzit, dhe gratë gjysmë lakuriqe të cilat veshin të tejdukshme, të cilat e kthejnë fytyrën (shpinën) nga urdhrat e Allahut dhe janë të prirura për vepra të këqija, kurse kokat e tyre janë si gunga e devesë me dy gunga. Gratë e tilla nuk do të hyjnë në xhenet, as nuk do ta ndjejnë erën e tij, kurse era e tij përhapet në të gjitha drejtimet kaq dhe kaq.” (Muslimi)

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ أَنَّ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ: “صِنْفَانِ مِنْ أَهْلِ النَّارِ لَمْ أَرَهُمَا: قَوْمٌ مَعَهُمْ سِيَاطٌ كَأَذْنَابِ الْبَقَرِ يَضْرِبُونَ بِهَا النَّاسَ وَنِسَاءٌ كَاسِيَاتٌ عَارِيَاتٌ مُمِيلَاتٌ مَائِلَاتٌ رُءُوسُهُنَّ كَأَسْنِمَةِ الْبُخْتِ الْمَائِلَةِ لَا يَدْخُلْنَ الْجَنَّةَ وَلَا يَجِدْنَ رِيحَهَا وَإِنَّ رِيحَهَا لَيُوجَدُ مِنْ مَسِيرَةِ كَذَا وَكَذَا.” (مسلم)

Vëllezër të nderuar

Hadithi i cituar na mëson se ka dy grupe të mëkatarëve të cilët me siguri do të jenë banorë të Zjarrit dhe nuk do të ketë mundësi për ta të ndërmjetësojë (shefat) Pejgamberi savs, sepse në Ditën e gjykimit për shkak të peshës së mëkateve të tyre, nuk do të jenë në gjendje ta shohin, dhe kështu do të jenë të privuar nga shefati i tij (savs).

Në radhë të parë janë tiranët të cilët i torturojnë dhe i rrahin me kamxhik njerëzit. Në ballë të kësaj kategorie janë sunduesit e dhunshëm, të cilët me qëllim të ruajtjes së pushtetit të tyre u bëjnë torturë njerëzve, i shfrytëzojnë, ua mohojnë të drejtat njerëzore, i dënojnë të pafajshëm, kurse pas tyre janë edhe të gjithë ata që janë në atë zinxhir, si hetuesit tinëzarë, spiunët, dëshmitarët e rrejshëm, gjyqtarët e korruptuar dhe torturuesit e drejtpërdrejtë të njerëzve të pafajshëm.

Prandaj, le t’i frikësohen Allahut të Madhërishëm, të gjithë ata që kanë pushtet, dhe le të jenë të vetëdijshëm se pushteti është amanet i madh në supet e secilit prej tyre, le ta dinë se pozitat e tyre nuk guxojnë t’i keqpërdorin, se nuk guxojnë t’i bëjnë zullum askujt, e sidomos të dënohen njerëzit e pafajshëm dhe tu mohohet e drejta e tyre për liri, se nuk guxojnë t’i japin askujt atë që nuk u takon, dhe në çdo çast ta kenë në mend se, edhe para tyre ka pasur shumë individë dhe grupe të cilët kanë qenë edhe më të fortë, dhe me më shumë privilegje, por të gjitha ato një ditë janë detyruar t’i lënë, jo me dëshirën e tyre, por me vullnetin e Atij i Cili e kontrollon kozmosin, dhe se për të këqijat e tyre duhet të përgjigjen në Ditën e gjykimit, në të cilën do të barazohen të gjitha llogaritë dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi!

Lloji dytë i banorëve të Zjarrit janë gratë e shthurura, të cilat hadithi i cituar i ka përshkruar me disa karakteristika, të cilat sikur reflektojnë kohën tonë. Ato janë “gratë gjysmë lakuriqe të cilat veshin rroba të tejdukshme, të cilat e kthejnë fytyrën (shpinën) nga urdhrat e Allahut, dhe janë të prirura për vepra të këqija, kurse kokat e tyre janë si gunga e devesë me dy gunga. Gratë e tilla nuk do të hyjnë në xhenet, as nuk do ta ndjejnë aromën e tij, edhepse aroma e tij përhapet në të gjitha drejtimet kaq dhe kaq.”

Hadithi i cituar thotë: “gra gjysmë lakuriqe të cilat veshin rroba të tejdukshme…”, prandaj

– çka të thuhet për ato të cilat për fat të keq, në trupin e tyre nuk kanë as veshje të tejdukshme, me përjashtim të një lecke ose dy, me të cilat e tregojnë koeficientin e mendjes dhe moralit të tyre,

– çka të thuhet për një vajzë dhe një grua, e cila trupin e saj krejtësisht e ka zbuluar,

– çka të thuhet për atë e cila ka sjellje imorale në vendin e punës, në shkollë, në rrugë, në mjete të transportit,

– çka të thuhet për një brez të tërë të vajzave dhe djemve të cilët në vende publike kanë sjellje imorale,

– çka të thuhet për rininë e cila e ka humbur plotësisht turpin dhe para të cilëve çdo njeri normal duhet të skuqet dhe ta ul shikimin,

– çka të thuhet për mësueset e tyre dhe profesoreshat të cilat nga dukja e tyre më shumë përngjajnë në artiste të estradës, se sa në arsimtare,

– çka të thuhet për sekretareshat në kabinete të ministrave dhe drejtorëve, të cilat sikur janë përgatitur për plazh, e jo në vendin e punës,

– çka të thuhet për vajzat të cilat në mesnatë gjysmë të zhveshura dalin në klube të natës, kurse në shtëpi kthehen kur duan, pastaj si të tilla akuzojnë kryerës të panjohur se i kanë çnderuar, kurse ato për nga pamja dhe sjellja e tyre asgjë tjetër as nuk meritojnë?!

Vëllezër të nderuar,

Këta të përmendur harrojnë se në ajetin 33 të sures el-Ahzab, urdhri i Allahut të Madhërishëm ju adresohet grave të Pejgamberit savs, nënave të besimtarëve, por edhe të gjitha grave muslimane, ku thuhet:

“Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos e shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme!…”

Në epokën para-islamike disa gra kanë qenë të mbuluara, por ju dukej qafa dhe veshët, pikërisht njëjtë siç kemi edhe sot disa tek ne, sikur duan t’i ndjekin ato tradita, të cilat i ka zhdukur Islami dhe hixhabin e përdorin në mënyrë jo të drejtë, por si modë. Hixhabi, vëllezër, nënkupton mbulesën e muslimanes tërë trupin, përveç fytyrës dhe duarve, me kusht që asgjë nga trupi të mos reflektohet mbi rrobat e saj, të cilat duhet të jenë të gjera, jo të tejdukshme dhe jo tërheqëse.

Pastaj, në hadithin e cituar thuhet: “… të cilat e kthejnë fytyrën (shpinën) nga urdhrat e Allahut dhe janë të prirura për vepra të këqija…”

Këto janë ato gra që i injorojnë urdhrat e Allahut, i komentojnë ato pa pasur dituri rreth tyre dhe i kundërshtojnë ato, kurse vetes i japin të drejtë për vepra të këqija, të cilat ua zbukuron shejtani, kështu që janë bërë të famshme për shthurje dhe imoralitet.

Më tutje, Pejgamberi savs, thotë: “… kurse kokat e tyre janë si gunga e devesë me dy gunga…”

Sa i bukur është ky krahasim i Pejgamberit (savs) me kokat e grave të cilat i rregullojnë flokët e tyre dhe vendosin shall deri në gjysmën e kokës, jo për t’i mbrojtur, por për të nxjerrë në pah dhe për të tërhequr vëmendjen e meshkujve tjerë. Ato kokat e tyre janë me të vërtetë si gunga të deveve me dy gunga, madje edhe më keq se ato.

Hadithi përfundon me fjalët:

“Gratë e tilla nuk do të hyjnë në xhenet, as nuk do ta ndjejnë aromën e tij, kurse aroma e tij përhapet në të gjitha drejtimet kaq dhe kaq.”

Prandaj, le të pendohen ato të cilat i shkelin rregullat e Allahut të Madhërishëm duke pasur parasysh ajetin 70 të sures el-Furkan, që thotë:

“Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë.”

Vëllezër të dashur,

Le ta mbajmë mend mirë këtë hadith dhe mos të lejojmë që në shtëpitë tona, në lagjen tonë, në xhematin tonë të ketë të atillë çfarë i përshkruan hadithi i cituar, sepse fundi i tyre është në zjarrin e xhehenemit, sa vendstrehim i tmerrshëm që është!!

Vëllezër, të bëjmë tevbe të sinqertë, t’i kthehemi Kuranit dhe Sunetit, të duhemi sinqerisht në emër të Allahut, ta ruajmë nderin tonë, të muslimanëve tjerë, dhe të gjithë njerëzve në përgjithësi, të garojmë në të mirë dhe ta synojmë xhenetin gjerësia e të cilit është si e qiejve dhe tokës!

O Zot, na forco neve në rrugën e Islamit, ndihmoju vëllezërve tanë në Siri, Palestinë, dhe në çdo vend tjetër ku janë të kërcënuara të drejtat e muslimanëve dhe jepu atyre fitore të shpejtë!

O Zot, na bëj neve udhëheqës të umetit në devotshmëri, në bujari, në guxim, në modesti e përulësi!

O Zot, udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë dhe bëri gëzim i syve dhe zemrave tona!

O Zot, na mëshiro në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë! Amin.

Hatib: Nezim Haliloviq muderris;

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit