6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

DY FJALË NGA NJË “MONGOL (shkas gazetarja A. Xharra dhe Xharrat tjerë…)

Më të lexuarat

DY FJALË NGA NJË “MONGOL
Ahmed R. Ramadani
(shkas gazetarja A. Xharra dhe Xharrat tjerë…)

“Lajmi i keq i ka këmbët e gjata – kurse gënjeshtari veshët e gjatë.”
(fjalë e urtë mongole)

Në mes dilemës së heshtjes apo të mos-heshtjes, këtë herë zgjodha të dytën: pra të flas, gjegjësisht ti hedh dy-tri fjalë, kjo, ngase thënë troç u mbush kupa dhe heshtja më nuk kishte kuptimësinë e arit…
Gazetarja kosovare Arbana Xharra dhe Xharrat tjerë, ka kohë që me shkrimet, prononcimet, deklaratat, opinionet e tyre e kanë tepruar skajshmërish dhe po thuaj se gjithçkaje ia kanë nxjerrë bojën: Flasin e shkruajnë kuturu, fare pa qenë në hap me realitetin e pa e vra mendjen se për fjalët (qofshin ato të shkruara apo folura) ka përgjegjësi dhe, po të jetonim në një vend a shoqëri ku gjërat funksionojnë tamam si duhet, A. Xharra dhe Xharrat tjerë do të duheshe të jepnin llogari për broçkullat e tyre. Fjala është e shenjtë, ajo, siç thotë urtësia popullore shqiptare, vret më shumë se plumbi…
Gazetarja në fjalë këto ditë shkrepi sihariqin e radhës teksa etiketoi shqiptarët e RM-së “mongolë” (“ju shpifësit e paskrupulltë anadollako-mongolian që jeni të papërputhshëm me klimën e vendit tim, me kulturën e popullit tim.”) Hajde sihariq, sihariq…
Si shqiptar i Maqedonisë (“mongol” – sipas Xharrës e Xharrave) e pashë të udhës zonjës dhe bashkëmendimtarëve të saj t’ua them dy fjalë në vijim:
Unë, dem baba dem, me brezni të tëra ndër shekuj, me farë e fis dhe rrënjë: gjysh, stërgjysh, katragjysh, jam shqiptarë, autokton, i këtij dhéu të cilin i Madhi Zot ma caktoi për Tokë mëmë, evropian i lashtë, jo i ardhur (ardhacak) nga Azia apo gjetkë. Ndaj, etiketimi “mongol” është i rëndë, fyes, poshtërues e denigrues. Ky etiketim është në të njëjtën linjë me etiketimet që ndër shekuj bënin dhe akoma vazhdojnë të bëjnë armiqtë e përbetuar të popullit tim, albanofobët serbë par exallance: Ilija Garašanin me “Načertanije-n” e tij, Vaso Čubrilović, Ivo Andrić, Aleksandar Ranković, Dobrica Ćosić, Kasapi i Ballkanit – Milošević (i cili pikërisht në Kosovë përgjaku gjithçka), si dhe vëllezërit e tyre binjak, albanofobët maqedonas: Lazar Koliševski, Lazar Mojsov, Ljubiša Georgievski, Antonio Milošoski, Filip Petreski, ish-Ministrja e MPB-së Gordana Jankuloska (e cila në përgjimet që pamë, shqiptarët i quante “indianë”) etj…
Pra, me të drejtë lind pyetja: A. Xharra dhe Xharrat tjerë, ku dallojnë nga Garašanin- Milošević-Milošoski-Petreski&Company? Vetëm pse llafosin e shkruajnë shqip? Jo, nuk dallojnë askund, pa çka se për fat të keq mllefin dhe urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, vetëm për shkak se i përkasin besimit islam, e shprehin në gjuhën shqipe, me çka e njollosin dhe përlyejnë rëndë shenjtërinë e kësaj gjuhë Perëndie. Sa keq!
Si shqiptarë i Maqedonisë (pardon: “mongol” – sipas A. Xharrës) vetëm e vetëm pse të parët e mi, duke qenë vizionar, mendjendritur e atdhetar – zgjodhën për fé të tyre Islamin, po iu drejtohem me dy fjalë:
Jam / Jemi “mongolë” dhe ndjehem / ndjehemi krenarë që jemi “mongolë” – sepse si “mongolë” që jam / jemi – çdo herë në rrjedhë të shekujve kemi dhënë gjithçka për Kosovën martire: Kemi sakrifikuar pasurinë dhe jetën, fare pa u bërë pishman, sepse këtë e kemi bërë si vëllezër të një gjaku. Kosovën ngaherë e konsiderojmë Tokë të Shenjtë, “Gjaku ynë që nuk falet,” etj. Z. Xharra dhe Xharrave të tjerë, po ua përkujtoj (përkujtimi është gjë e mirë, e rifreskon memorien, i bën mirë shëndetit mendor dhe atij trupor) luftën e fundit në Kosovë (1997-1999) kur fati i Kosovës për të qenë a mos me qenë varej në fije të hollë të perit, kur toka e saj vaditej me gjak, kur eksodi kishte marrë dhé-në në të katër anët e saj, ne – “mongolët” e Maqedonisë sërish iu përgjigjëm kushtrimit të Atdheut me pasuri, pushkë e jetë. Shumë të rinj “mongolë” iu bashkëngjiten radhëve të UÇK-së: luftuan e vdiqën gjithandej Tokës së Kosovës. Ishin shtëpitë tona “mongole” ato që, kur serbët (ison e së cilës siç po duket mban A. Xharra dhe Xharrat me këto deklarime e fyerje) në pranverën dhe verën e vitit 1999, u thanë vëllezërve tanë kosovar: “Brže, brže, ajde, odmah, za 5 minuta napustite Kosovo!”, kur Kosova dhunshëm po zbrazej, u hapën dhe, me atë çfarë qëlloi në tryezë: bukë, kripë e zemër, ofruan ngrohtësinë vëllazërore. Autori i këtyre rreshtave akoma i ka të freskëta pamjet e trishtueshme nga Bllaca, Jazhinca, Stenkoveci ku të dëbuarit nga Kosova, të rrahur, këmbëzbathur, të lagur nga moti i ftohtë, të sëmurë, të plagosur, të rraskapitur, të plagosur, pa shpresa, të molisur e buzë-vdekjes – shtyheshin si të xhindosur për një kore buke… Pamjet e asokohshme ishin shumë herë më të trishtueshme dhe më prekëse e shokuese se sa pamjet e refugjatëve të sotëm sirianë, kurdë, afganë apo afrikanë. Ishim ne “mongolët” që bënim të pamundurën gjithë kjo skenë e llahtarshme të përfundonte sa më parë.
Z. Xharra dhe Ju – Xharrët tjerë, kur vallë u bëtë racë superiore dhe shqiptarët e Maqedonisë vetëm pse i takojnë përkatësisë myslimane filluat t’i quani “mongolë”, “anadollak”, etj.? Si i quani “mongolë” ata që hapën dyert për ju dhe ndanë gjithçka që kishin me ju? Ata që u dhanë dhe u mbajtën me bukë e ujë? Etika Juaj (në qoftë se mund të bëhet fjalë për etikë…) në çfarë kodi a premise thirret? Ku bazohet ajo? Cilin Kanun e keni burim të kësaj ksenofobie e racizmi tërbues? Cilin e keni libër të shenjtë? Kjo që Ju dhe bashkëmendimtarët tuaj jeni duke bërë, garant nuk është vlerë dhe etikë e krishterimit të mirëfilltë, të mos flasim për etikë dhe vlerë shqiptare që assesi nuk është, por kjo nuk është as në etikën themelore njerëzore. Sa larg keni fluturuar…
Kjo që Ju bëni është, ashtu siç theksova më sipër në të njëjtën vijë me ksenofobët dhe albanofobët serbë e maqedonas. Meqë Ju mburreni se këtë e bëni “në emër të atdhetarizmit” (sic!), atëherë, dilni pak nga lëvozhga juaj, një hap vetëm më tej dhe shihni se sihariqet që Ju i pandehni për “atdhetare” këto ditë i gjeni me plot bollëk në mesin e protestuesve të tërbuar maqedonas në Shkup, të cilët të çoroditur pothuaj se për më shumë se një muaj e gjysmë çirren e ulërijnë po të njëjtat fjalë që ju përdorni. Urdhëroni e bashkëngjituni turmës së protestuesve “Për Maqedoninë e përbashkët” të prirë nga ВМРО-ДПМНЕ dhe sejmenët e tyre, bashkëngjituni se as dhe për një fije të vetme floku, ajo që Ju dhe ultra-nacionalistët shovinist maqedonas brohorasin rrugëve të Shkupit nuk dallojnë nga njëra-tjetra. Ju dhe ata thoni të njëjtën gjë.
Si shqiptar (“mongol”) i Maqedonisë ndjehem i fyer dhe përbuzur nga ky fjalor i juaji i pistë dhe i njëjtë me atë të armiqve të mi shekullorë. Fjala juaj përplot llum e kundërmim, vret, madje rëndë bile. Po e ri-përsëris, sikur gjërat të funksionin pak më ndryshe, ju së pari do të duheshe të jepni përgjegjësi para mongolëve të vërtetë të cilët i fyeni, dhe më pas para ne-shqiptarëve të Maqedonisë që na baltosni me këtë emërtim. Ç’t’iu kërkon juve njeriu: Të kërkoni falje publike? Jo, sepse falja është virtyt i fisnikëve, e druaj se Ju dhe fisnikëria jeni larg sa Toka me Marsin, dy anë diametralisht të kundërta. Të heshtni? As këtë s’e besoj se e bëni, meqë ngaherë goja juaj është e mbushur përplot vrer e urrejtje dhe nuk di së reshturi duke i vjellë ato. Nga ju, do kisha vetëm një kërkesë: Kërkesë kjo fund e maje kombëtare (meqë zhurmshëm trumbetoni se u djeg shpirti për fatet e mëmëdheut…) drejtohuni me kaq zell dhe pasion Vatikanit dhe Atit të Shenjtë me një kërkesë të vetme: Pranimin e pavarësisë së Kosovës. Thuani Selisë së Shenjtë le ta njoh mëvetësinë dhe shtetin e Kosovës! Bëjeni këtë pra, mos prisni z. Xharra dhe Ju Xharrat tjerë: Vatikani le të njohë Kosovën!
Ndërsa, ajo që vërtetë më dhemb është – nëse pas kësaj vëllezërit e mi kosovar, duke filluar nga akademikët, intelektualët, profesorët e ndryshëm dhe të tjerët, nuk e ngrenë zërin e tyre dhe heshtin para baltosjes që A. Xharra dhe të ngjashmit me të na bëjnë ne shqiptarëve të Maqedonisë, sepse në qoftë se kjo, pra heshtja do të ndodh, atëherë në këtë rast fyerja, përçmimi dhe denigrimi do ishte shqetësues dhe shumë i madh: Një kolektivitet i tërë do pajtohej me këtë lloj fjalori dhe, fyerja në adresë të ne shqiptarëve të Maqedonisë do legjitimohej nga ana e vëllezërve kosovarë.
Prandaj, i dashur popull vëlla i Kosovës, fjalën e keni Ju: Distancohuni nga fjalët raciste, ksenofobe, fyese e përbuzëse të A. Xharrës dhe Xharrave të tjerë! Në të kundërtën, heshtja Juaj – nga ne, shqiptarët e Maqedonisë do të konsiderohet heshtje që vërtetë vret.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit