”Duhet të shqetësohemi”, Artan Fuga: Fakti që Greqia po ‘rritet’, nuk e bën Shqipërinë të thotë s’ka problem

0
110

Akademiku Artan Fuga e ka cilësuar si shqetësuese për Shqipërinë faktin që Greqia po zgjerohet me 12 milje në detin Jon.
Fuga në një shënim të tijin në Facebook, shkruan se forcimi i komshiut është dobësimi jot, dhe pavarësisht kushteve që ndodh zgjerimi detar i Greqisë, nuk e bën Shqipërinë të thotë s’ka problem.

Sipas Fugës, raporte të reja do të vendosen mes Greqisë e Shqipërisë në rast zgjerimi edhe nëse nuk preket territor.
Po ashtu Fuga kritikon qeverinë që nuk ka një program rritjeje në det duke mos ia ditur vlerën territorit të saj.

STATUSI NGA ARTAN FUGA
A mundet “rritja” e Greqisë, të jetë “zvoglim” i Shqipërisë?

Shënim

Menjëherë pas kryeministri grek bëri lajmërimin në Parlamentin e shtetit fqinj se Greqia do ta çojë hapësirën e vet ujore në 12 milje, te nisën debatet shpesh të hidhura, por edhe në formën e frazave goditëse të ndërsjella nga të cilat qytetari qendron i hutuar, i habitur, dhe nuk kupton asgjë!

Ka edhe nga ata zemërgjerë, hyjnorë, ëngjëllorë që nuk mungojnë të shkruajnë në media duke u tallur me shqetësimin qytetar, për ta quajtur këtë thjesht një alarm i kotë, me qëllime politike ose për t’u evidentuar. Megjithatë problemi mbetet në rend të ditës dhe shumë serioz.

Pikëpyetjet shumë të mëdha, kurioziteti po ashtu, shqetësimi atdhetar dhe pragmatik është për t’u përgëzuar. Sigurisht unë nuk jam asapk specialist i gjeopolitikës as i hartave dhe as edhe i teknologjive GPS, për të hyrë në detajet e çështjes apo në klauzolat e konventave ndërkombëtare. Megjithëse si cdo qenie racionale, homo sapiens, jam në gjendje t’i kuptoj edhe shpje gimet e specialistëve për konventat edhe hartat e paraqitura. Mirëpo, para se të jetë një çështje teknike, kemi një çështje politike mes dy vendeve, një çështje diplomatike dhe një çështje komunikimi ndërkombëtar.

Imagjinoj në ëndërr sikur nga pesëdhjetë a gjashtëdhjetë deputetë nga ata të listave që janë në Kuvendin e Shqipërisë, të ngriheshin në këmbë dhe të duartorkisnin një fjalim patetik rreth sloganit : Shqipëria po rritet! Do t’u kisha hequr kapelen dhe do të kisha lënë lotë të më rridhnin në faqe. Dhe nëse Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Greqia, do të dridheshin nga frika nga ato çaste solemne, ndonjeri nga deputetët do të sqaronte: Mos kini frikë fqinjë të dashur sepse Shqipëria do të rritet vertikalisht, pa u cënuar juve asnjë centimetër të territorit. Do të çpojë më thellë galeritë e minierave nëntokë si edhe do të lëshojë një sondë në galaktikat e ariut të murmë, për të vendosur në yjet e atjeshëm sonda observimi të hapësirës!

Pasi u zgjova nga kjo ëndërr, mendova me një lloj simpatie për fjalimin e z. Kryeministër të vendit fqinj kur e pashë dhe dëgjova te shprehej solmenisht nën duartrokitjet e deputetëve të krahut të tij, se Greqia po rritet, dhe se kjo është realizimi i projekteve sikurse e kuptova të një lloj të kaluare që m’u duk sikur simbolizonte traditën! Një shtet dhe një komb që kërkon të rritet dhe të zmadhohet horizontalisht apo vertikalisht dëshmon që ka nevojë për këtë, një lloj lebensbraum, si edhe ka energji dhe forca për ta realizuar. Kombe të tilla nga energjia që kanë janë për t’u marrë shembull. Se çfarë lidhje ka kjo gjë pastaj me konfliktin Greqi – Turqi për platformat e naftës në det, me dobësimin e kontrollit të BE ndaj politikës të jashtme të Greqisë, me një lloj gjeopolitiuke ballkanike ku një sërë vendesh, si ne, kemi status inferior me Greqinë përsa i përket integrimit europian, me politikat e sotme amerikane, me krizën në Biellorusi dhe ndërmjetësimin e OSBE atje, apo me nuk e di se çfarë tjetër, duke vazhduar ta zemë me krizat e familjes mbretërore britanike, etj., kjo është tjetër gjë.

Unë mendoj që politika jonë nuk ka asnjë arsye as se përse zemërohet me shtetin tonë të dashur fqinj të Jugut, por as edhe nuk ka përse deklaron se kjo “rritje” nuk prek Shqipërinë, interesat e saj, prandaj nuk ka përse të shqetësohemi. Sigurisht ka të drejtë të shqetësohet opinioni publik, shyqyr thuaj, ka të drejtë të shqetësohet opozita, ka të drejtë të shqetësohet Presidenti i republikës, madje edhe Gjykata Kushtetuese t’i ngrejë veshët përpjetë. Pa paragjykime, pa stereotipime, por me analiza, informacione dhe shqyrtime të hollësishme dhe shumë të matura.

Ne nuk mund të themi, hajde flemë gjumë sepse interesat e Shqipërisë nuk preken!!! Nëse nuk ka një marrëveshje, nuk ka një sqarim të hollësishëm diplomatik sepse pritet të vijë ministri i jashtëm grek të sqarojë shtetin tonë, ku e dimë ne se ka apo nuk ka probleme për Shqipërinë? Edhe nuk dimë gjë, por edhe e dimë që nuk ka asnjë problem!!! Kjo është një kontradiktë e rëndësishme në arsyetimin llogjik.

Greqia dhe Shqipëria janë dy shtete që nuk kanë asnjë arësye që të mos i zgjidhin në interes të përbashkët çështjet e tyre. Unë nuk dua të mendoj që ndryshimi drastik i ambasadores dhe i stafit të ambasadës të Shqipërisë në Athinë, si edhe kriza e emigrantëve në kufi, të mos kenë asnjë lidhje me “rritjen” e Greqisë. Por, gjithçka bën vaki në këto kohë të turbullta dhe të pista me Covid19 në botën që jetojmë!

Kryeministri grek i kërkoi ministrit të vet të jashtëm që për vendimin e marrë për “rritjen” e Greqisë, të njoftojë shtetet fqinje si Italinë dhe Shqipërinë! Vendimmarrje krejt zeusiane! E fortë, e vendosur!!! Por, duhet të jemi të qartë dhe mos fshehim hënën pas gishtit! Nuk u konsultua njëherë me Italinë dhe Shqipërinë, por fillimisht deklaroi solemnisht “rritjen” e shtetit të vet, dhe pastaj me një lloj vendosmërie neglizhuese kërkoi të njoftoheshin fqinjët për vendimin e marrë!

Pra, ai e di shumë mirë se çdo rritje, edhe nëse është në det dhe nuk prek territore të tjera, është një ndryshim raporti forcash midis një shteti dhe fqinjëve të tij. I madhi i gjeopolitikës në filozofi Rajmond Aron theksonte se pushteti nuk është një vlerë absolute, por një vlerë relative, pra ka kuptim sesa më i fuqishëm bëhesh ti me një veprim ose mosveprim në krahasim dhe mbi të tjerët me të cilët je në marrëdhënie.

Nisur këtej edhe sikur fare të mos cënohen interesat detare të Shqipërisë, fakti që vendi fqinj mik, Greqia e bukur, shteti i një kombi mik dhe mikpritës i shqiptarëve “rritet”, Shqipëria ka nevojë të reflektojë, të arsyetojë, të masë, të shqetësohet për mirë a keq, dhe jo të thotë “nuk ka problem”. “Rritja” e komshiut sigurisht është dobësimi yt, por pastaj tjetër është sesi krijohen aleancat dhe energjitë më pas.

Unë nuk e di nëse politikanët tanë dhe sidomos qeveritarët e dinë teorinë e shkollës realiste të gjeopolitikës, të themeluar nga Lakostë. Nëse u duhet edhe teoritë e Aronit, Lakostës, etj., mund t’i qëmtojmë me kujdes! Por shkolla realiste e gjeopolitikës ka argumentuar se gjeografia është një një shkencë për të bërë luftë! Nuk ka nevojë të alarmohemi.
Greqia dhe Shqipëria nuk kanë asnjë arsësye për t’u acaruar sepse janë shtete të dy popujve miq që jetojnë pranë e pranë prej shekujsh të tërë. Por, nëse Greqia do të “rritet”, sigurisht nuk është sepse Uliksi do të bëjë shëtitje me varkë nëpër detin Jon duke mos gjetur dot rrugën e kthimit në Itakë!

Sigurisht që shteti fqinj ka interesa ekonomike, financiare, ushtarake, turistike, etj. Nga kjo pikëpamje ne e kemi për detyrë si shtet i Natos si vetë Greqia të dimë çfarë raporti i ri vendoset mes nesh dhe Greqisë në planin e strategjisë të mbrojtjes dhe të sigurimit të rrugëve të kalimit në detin Jon, me rëndësi mesdhetare dhe botërore. Kjo sigurisht nuk është vetëm çështja jonë sepse interesat e vendeve të Aleancës të Atlantikut të Veriut janë gjithashtu aktive dhe në lojë.

Në fjalën e zotit kryeministër grek në Parlament pati edhe nota nostalgjie sepse deklarimi i tij sigurisht bën pjesë në një ëndërr kombëtare. Të gjithë popujt e Ballkanit, mirë a keq, me delir, a me realizëm, me miqësi, a me dhunë, ushqejnë të njejtën ëndërr të “rriten”. Por, nuk ka zbuluar kot psikanaliza që kalimi në realitet nis me censurimin e ëndërrave kur ato sidomos krijojnë neuroza të ndryshme. Edhe ne si popull në të kaluarën kemi ëndërrime të rritjes, ndofta jo në dete, por në tokë patjetër. Sepse ne e kemi harruar detin dhe nuk kemi aq lundërtarë që nga Teuta e këtej. Por, ëndërr rritjeje kemi pasur dhe kemi.

Imagjinoj një grup deputetësh nga këta të komisionit të edukimit dhe medias që në këmbë ngrihen në Komision dhe njeri prej tyre deklaron: Njoftoni Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi se ne do të “rritemi”! Sigurisht komshinjtë tanë grekë, italianë, kombe të zgjuar dhe me humor, do të mbanin barkun me dorë nga të qeshurat!
Prandaj ajo “ëndërra e rritjes” e detyron politikën shqiptare të jetë e kujdeshme dhe ta analizojë mirë semantikën e retorikës politike, duke hequr dorë nga një lloj sigurie e shtirur sikur i ka të gjitha krizat e botës në dorë! Mos harrojmë se jemi një komb e shtet i vogël, mikroskopik në popullsi dhe territor, sado i lavdishëm dhe heroik në tradita!
Ka vend që politika qeveritare të dijë edhe të vërtetat e mëdha që ka përpunuar Fridrih Ratzel i shkollës romantike gjermane të gjeopolitikës. Sado i përdorur keq që teoritë e tij kanë qenë. E them këtë sepse brenda konceptit të tij mbi shtetin si një sistem organicist, shteti i ngjan një peme që për t’u rritur lart i duhet që rrënjët të hapen sa më shumë horizontalisht.
Pra nuk ka kuptim që sikurse është bërë këto ditë, çështja e “rritjes” të Greqisë mike të shihet në mënyrë abstrakte, numerikisht, jo 6 po 8, jo 8 po 12 milje!!! Ratzel thekson se çështja kufitare është një çështje që nuk lidhet thjesht me hapësirën sikur të kemi në hartë figura gjeometrike trekëndësha apo elipsoidë. Një majë mali shpesh vlen sa mijra metra në tokë fushë, një grykë vlen sa mijra kilometra, kujto Torviollin Termopilen, etj., në imagjinatën e popujve tanë, një ngushticë vlen sa mijra dallgë me shkumë deti, një minierë vlen sa pesë krahina. Pra, relievi dhe territori janë realitete konkrete dhe aspak thjesht figura gjeometrike.
nPrandaj, mbi gjithçka nuk duhet thënë “s’ka problem”, janë norma konventash ndërkombëtare sepse nuk janë gjeometri, janë gjeopolitikë. Nëse politika qeveritare nuk e kupton këtë do të bënte gabim!
E në fund, sa keq më vjen që ne nuk shpallim dot programe rritjeje në det!!! Sepse suprina e detit te ne është bosh! Peshkimi, turizmi detar në anije, kërkimi i naftës, flota detare, transporti detar, janë braktisur ose asnjëherë menduar si projekte madhështore. Ne rritemi në Lanë!!! Sepse ne nuk ja dimë vlerat territorit! Por kjo është një çështje që kërkon shqyrtime të tjera dhe që unë personalisht modestisht i kam paraqitur në botimin tim, nga Papirus, “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare” ku argumentoj që ne jo vetëm jemi shtyrë nga fqinjët dhe nga perandoritë në breg të deteve, gati sa nuk na kanë hedhur në det, në kënetë, por edhe atë rryp toke që na ka mbetur, ne e braktisim duke e lënë bosh, e mbledhur si minjtë rreth Lane. Por edhe kjo do biseda të gjate në netë dimri ku brenda ka zjarr në vatër dhe jashtë Covid.

 

*Titulli i përdorur në krye të lajmit është redaksional. Ai orgjinal i shënimit të akademikut Artan Fuga është ”A mundet “rritja” e Greqisë, të jetë “zvoglim” i Shqipërisë?”.

A mundet "rritja" e Greqisë, të jetë "zvoglim" i Shqipërisë? ShënimMenjëherë pas kryeministri grek bëri lajmërimin…

Posted by Artan Fuga on Saturday, August 29, 2020