Duaje për njerëzit atë që e do për vete

0
94

Që ta fitosh dashurinë e njerëzve, duhet të jesh i mirë me ata, sepse, siç na mëson Aisheja [Allahu qoftë i kënaqur me të!], është pjesë e natyrës dhe karakterit të njeriut që ta dojë atë që i bën mirë dhe ta urrejë atë që i bën keq. Për më tepër, është pjesë e besimit tonë që njerëzve tua duam atë që e duam për vete dhe ta urrejmë për ata atë që e urrejmë për vete. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Nuk ka besuar ndokush prej jush përderisa vëllait nuk ia do atë që do për vete.”[1] Po kështu ka thënë: “…bëji mirë fqinjit, do të jesh besimtar; duaja njerëzve atë që do për vete, do të jesh mysliman…”[2] Po, që të bëhesh besimtar i vërtetë, duhet ta kesh këtë përkushtim për njerëzit. Bile, duhet që, krahas dashurisë, të urresh për njerëzit të këqijat ashtu siç urren për veten tënde. Tjetri nuk është i huaj për ty. E keqja që godet atë nuk guxon të jetë diç që nuk të intereson. Përkundrazi, duhet ta bashkëndjesh dhimbjen me të, sepse, siç na mëson Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!], ‘jemi si një trup, që ndan dhimbjen proporcionalisht me secilën gjymtyrë të dëmtuar.’[3]

Fatkeqësia e tjetrit do të na prek në një ose formë tjetër, dhe po nuk u interesuam me kohë, nuk do të mund t’i shpëtojmë asaj. Për këtë, porosia fetare është që të bëhemi bashkë, ta duam njëri tjetrin, ‘të bëhemi si pjesët e një godine që mbajnë njëra tjetrën.’[4] Nuk i takon muslimanëve ‘të kenë zili për njëri tjetrin, t’ia kthejnë shpinën njëri tjetrit, të mashtrojnë njëri tjetrin, ta nënçmojnë e përbuzin njëri tjetrin’[5], jo, ‘myslimani është vëlla i myslimanit’[6] dhe duhet ta dijë se çdo raport me të tjerët, që për synim nuk ka të mirën, është i refuzuar.

Allahu i Madhëruar në Kur’an na sjell imazhe të gjeneratës së parë të muslimanëve, të cilët këtë raport e kanë shndërruar në një tipar dhe virtyt të rrallë dhe madhështor. Duke folur për besimtarët e vëllazëruar, respektivisht medinasit që kishin pranuar në shtëpitë e tyre muhaxhirët mekkasë, thotë: “…i duan ata që vijnë në Medine dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre (ardhacakëve), por më tepër duan t’u bëjnë mirë atyre se sa vetes, edhe pse madje vetë janë nevojtarë…” [El-Hashr: 9] Ua hapën zemrat para dyerve, iu dhanë atyre para vetes, edhe pse kishin nevojë. Po ta pyesje ndonjërin prej tyre, do të thoshte: ‘Nuk më ndodhë t’i them të dua për Allah, e pastaj të mos i ofroj asgjë nga pasuria ime!’[7]

Të dashur vëllezër dhe motra!

E dini ku qëndron sekreti i këtij morali magjepsës?

Tek feja. Po, tek feja, sepse të depërtohet deri në këtë thellësi aq sa të favorizohet tjetri dhe të mos ndihet asgjë në zemër, është diç që nuk mund të arrihet me asgjë. Ja dëshmia. Allahu ka thënë: “Dhe, Ai (Allahu), i bashkoi zemrat e tyre. Sikur ti të shpenzoje tërë atë pasuri që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato…” [El-Enfalë: 63]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

Video e realizuar nga: Albunion Media

[1] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron hasen – të mire.
[3] Hadith i transmetuar nga Muslimi.
[4] Hadith i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.
[5] Hadith i transmetuar nga Muslimi.
[6] Pjesë nga hadithi paraprak.
[7] Hiljetu-l-Evlija, 7/297.