“Drejtësi egjiptiane”: Të lirë gjatë ditës, të burgosur natën

0
37

Çdo ditë, Samhi Moustafa bën një udhëtim rraskapitës prej 200 kilometrash, në mes të shtëpisë së tij në Kajro dhe rajonit Bani Swaif në jug të Egjiptit.

Në një nga këto udhëtime ai ishte aksidentuar rëndë me makinë, por as që guxoi të ndalojë. Ai duhej të paraqitej në rajonin e policisë, dhe kjo ishte e detyrueshme.

Samhi duhet të kaloj 12 orë në stacion policor – dënim ky i njohur në Egjipt si “ndëshkim shtesë”.

Ai tashmë ka kaluar pesë vite në burg, dhe doli nga aty vitin e kaluar.

Ai është gazetar që është akuzuar nga shteti se ka shpërndarë “lajme të rreme” dhe ka ndihmuar organizatën Vëllazëria Muslimane gjatë protestave të vitit 2012 në Kajro.

Ndërkohë Samhi ka mohuar akuzat, duke thënë se ai vetëm po e kryente punën e tij.

Ai madje e ka postuar një foto të veturës së aksidentuar në Twitter, për të treguar padrejtësinë që i është bërë me rastin e detyrimit të paraqitjes në stacion në gjendje të rëndë shëndetësore. Lidhur me vonesën që e bëri ditën e aksidentit, ai morri edhe 1 muaj burg.

Dhe ky nuk është i vetmi rast. Qindra aktivistë politikë përballen me ndalesa të ngjashme, të cilat grupet për të drejtat e njeriut i quajnë “shkelje të rënda”.

Ministria e Brendshme e Egjiptit as që ka dashur të komentojë e as të përgjigjet në pyetjet e BBC-së lidhur me hulumtimin e tyre.

Të flesh me yjet

Në orët e hershme të mëngjesit, jashtë stacionit të Kajros qëndron Rami, i veshur në rroba të vjetra dhe në dukje i stërlodhur.

“Nuk punoj dot, nuk bëj dot jetë familjare, kam falimentuar,” thotë ai.

Rami – që nuk është emri i tij i vërtetë – është i detyruar të paraqitet në stacionin policor nga ora 6 në mbrëmje deri në 6 të mëngjesit, për tri vitet e ardhshme.

Ashtu si Samhi, ai tashmë ka “larë” tre vite burg pasi morri pjesë në protestat e vitit 2014.

Rami, i cili është në të njëzetat e tij, u përjashtua nga shkolla dhe u fut në burg, dhe tani familja e tij po përpiqet ta ndihmojë financiarisht.

“Ky ndalim policor më ka gërditur jetën,” thotë ai.

Kushtet e ndalesës variojnë nga njëri stacion në tjetrin. Rami nuk ka as ku të fus kokën, dhe qëndron 12 orë brenda oborrit të stacionit, ku i duhet të flejë nën yje.

Ai paketon ushqimin çdo ditë, dhe nuk i lejohet asnjë pajisje elektronike me vete.

Në disa stacione, të ndaluarit mund të sjellin batanije nga shtëpia për të kaluar natën në qeli. Në disa tjera, ata lihen në oborrin e rrethuar me gjemba dhe monitorohen nga kamerat e sigurisë.

Masat e tilla të ashpra ka kohë që janë të zakonshme. Ndaj aktivistëve politik që kritikojnë presidentin Abdul Fattah al-Sisi, dënimet janë të ashpra.

E vetmja mënyrë për të protestuar kundër qeverisë në Egjipt mbetet përmes postimeve në Facebook ose hashtags-ave në Twitter. /tesheshi.com/