Dorëshkrimi, Ismail Kadare padit Nexhmije Hoxhën

0
51

Ismail Kadare padit Nex hmije Hoxhën për dorëshkrimin origjinal të librit “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Shkrimtari i njohur Ismail Kadare i është drejtuar dje Gjykatës së Tiranës, për të rimarrë dorëshkrimin origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, i cili mbahet padrejtësisht, sipas tij nga Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha. Në padinë e depozituar dhe marrë në dorëzim nga gjyqtari Bledar Abudullai, Kadare ndër të tjera kërkon dhe rifitimin e së drejtës së autorit mbi këtë vepër. Kjo padi vjen vetëm pak kohë pasi Ismail Kadare ribotoi veprën e tij “Dimri i Vetmisë së Madhe”, vepër e cila gjatë periudhës së komunizmit u censurua si në titull ashtu edhe në përmbajtje.

PADIA
Avokatët mbrojtës të Ismail Kadaresë kanë depozituar dje në Gjykatën e Tiranës padinë civile kundër Nexhmije Hoxhës. Në objektin e kësaj padie kërkohet nga ana e Gjykatës së Tiranës: “Rifitimi i të drejtës së autorit mbi veprën artistike, dorëshkrimi origjinal i librit “Dimri i Vetmisë së Madhe” dhe rikthimi i dorëshkrimit origjinal i veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe” në posedim të z. Ismail Kadare. Marrja e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar inventarizimin dhe sekuestrimin e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, mbajtur në mënyrë të paligjshme nga e paditura Nexhmije Hoxha dhe lënia përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur të përcaktuar nga gjykata deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.” Ndërkaq, padia në fjalë është hedhur në short dhe pritet të shqyrtohet në ditët në vijim nga ana e gjyqtarit Bledar Abdullai.

PRECEDENTI
Vetëm pak muaj më parë Nexhmije Hoxha i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim kundër gazetarit Blendi Fevziu, të cilin e akuzonte se kishte vjedhur dhe publikuar më pas në librin e tij, ditarët e Enver Hoxhës. Organi i akuzës, pasi ka marrë në pyetje familjarët e diktatorit Hoxha, gazetarin Fevziu dhe ka kryer verifikime në Arkivën e Shtetit, ka vendosur të rrëzojë këtë kallëzim me argumentin se hetimi i akuzës në Arkivin e Shtetit u konstatua se s’gjenden procesverbale të dorëzimit të dokumenteve personale të diktatorit Hoxha. Ndërkaq, e veja e diktatorit sërish shprehet se ato ditarë janë vjedhur dhe se nuk gjenden askund.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)kohaislame