1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Donte t’i mbante ligjëratat shqip, kush ishte hoxha nga Prishtina që takoi Sulltan Abdul-Hamidin

Më të lexuarat

Në ekranin e një prej televizioneve me të shikuar në trojet shqiptare ka filluar të transmetohet seriali për Sulltan Abdyl-Hamidin, i njohur si njeri modern, vizionar, filantropist dhe inovator i të gjitha kohërave. Sulltan Abdul-Hamidi kishte shumë projekte për ndërtimin e shtetit. Ai kishte planifikuar qysh në atë kohë të ndërtonte tunelin nënujor në Stamboll, i cili u ndërtua në vitin 2017. Ai nuk arriti t’i përfundonte të gjitha projektet e planifikuara si pasojë e disa tradhtarëve brenda pallatit dhe madje edhe brenda familjes së tij.

Ai ishte perandori i fundit për nga rëndësia (sulltani i 34-të) i një dinastie shumëshekullore.

Gjatë udhëheqjes së tij mësimet, ligjëratat fetare janë mbajtur në gjuhën turke. Për këtë arsye, hoxha i xhamisë së Llapit në Prishtinë, Rushë Krasniqi, i cili ligjëratat i mbante në gjuhën turke dhe xhematin nuk e kishte të qytetit por nga fshati, e kryesisht nga Llapi apo Podujeva, e të cilët nuk e dinin gjuhën turke dhe nuk e kuptonin hoxhën, pasi e përfundonte namazin, xhemati e priste në oborrin e xhamisë duke i thënë “hajde tregona në gjuhë shqipe”.

Kjo e shqetësoi shumë hoxhën dhe një ditë kishte thënë “mos qofsha Rushë se pa shku në Stamboll nuk e lë”.

Ai kishte udhëtuar drejt Stambollit me tren për ta takuar Sulltan Abdul-Hamidin dhe për t’i kërkuar që ligjëratat t’i mbajë në gjuhën shqipe.

Këtë rrëfim, në një prononcim të mëhershëm na e sjell nipi i tij nga Prishtina Rashid Krasniqi, i cili edhe ky kishte shërbyer në xhamin e gjyshit të tij.

Thuhet se gjyshi i juaj, Mulla Rushë Krasniqi ishte i pari që mbajti ligjëratën e xhumasë në gjuhën shqipe. Si ka ndodhur?

Kjo ka ndodhur në vitin 1902 dhe siç e dimë Turqia ka vazhduar ta administrojë Kosovën deri më 1912. Siç thashë gjyshi im ka shërbyer si imam 39 vite. Ai ka qenë një njeri i mençur dhe pedant. Ai kur ka mbajtur ligjërata në xhuma dhe bajrame dhe tek ai kanë ardhur pleq e të rinj nga Llapi. Ligjëratat është dashur t’i mbante në gjuhën turke, ndërsa xhemati nuk e kuptonte pasi që të gjithë ishin nga fshati. Pasi e përfundonte hutben, besimtarët e pritnin në oborr e i thoshin hajde tash tregona çfarë ke thënë. Dhe ky një ditë mërzitet nga kjo gjendje. Në një moment ndalet e i thotë vetës “mos qofsha Rushë se pa shku në Stamboll nuk e lë”. Atëherë ka qenë vështirë për të udhëtuar për shkak se deri në Stamboll udhëtimi ka zgjatë dy muaj. Me tren ka shkuar deri në Shkup, e deri në Selanik nuk e di se me çka ka udhëtuar, ndërsa prej Selanikut deri në Stamboll ka shkuar me anije. Një javë është sjellë rreth pallatit të Sulltanit. Në atë kohë sulltan ka qenë Abdul-Hamidi II. Një gjë që është kryesore për kohën është se Bismarku e ka çmuar shumë Abdul-Hamidin e II për të cilin pati thënë: “Nëse bota ka 100 poena të diplomacisë, atëherë Abdul-Hamidi i ka 90 poena, 5 i kam unë dhe 5 i kanë të tjerët”. Këtë fakt mulla Rusha nuk e ka ditur. Mirëpo ai ka patur një koncept sesi t’i marrë leje për të ligjëruar në shqip. Sillet e sillet rreth pallatit të tij dhe pasi që bëhet i dyshimtë e kapin spiunët. Pasi e pyesin se prej nga kishte ardhur dhe përse sillej rreth pallatit, ai u shpjegon se kishte ardhur nga Rumelia për ta takuar Sulltanin përkitazi me një çështje, por po hezitonte ngaqë nuk e dinte se mos Sulltani ishte i zënë apo nuk do të mund ta pranonte.

Megjithatë atij ia mundësuan që ta takonte Sulltan Abdul-Hamidin II. Pastaj ai e pyet se çfarë halli e kishte sjellur këtu, hoxhë Rusha i thotë se kishte një hall të madh ngase i fliste xhematit, ndërsa ata nuk e kuptonin. Sulltani pastaj e pyet sesa xhemat kishte, ndërsa ky i thotë nja 500 veta. Pse nuk flet në gjuhën e tyre e kishte pyetur sulltani? Gjyshi im i përgjigjet se pikërisht për këtë kishte ardhur tek ai, që t’i jepte leje që t’u drejtohej atyre në gjuhën e popullit. Sulltan Abdul-Hamidi II i thotë qatipit që të shkruante: “Që prej sot hoxha do t’i mbajë ligjëratat në gjuhën e popullit, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë”. Pasi që vjen nga Stambolli filloi të ligjëronte në gjuhën shqipe, ndërsa xhemati i thoshte se mos e kishin lënë mendtë. Ky ua kthente se nuk e kishin lënë e as që do ta lenin mendtë. Pasi e kuptojnë që hoxha po fliste shqip, i vijnë xhandarët që ta arrestonin duke e akuzuar se po bënte krim. Mulla Rusha u shpjegoi se nuk fliste turqisht pasi që xhemati nuk e kuptonte. Pastaj ua tregoi letrën e Sulltanit me vulë. Më pas e lanë të qetë./tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit