3.9 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Domethënia e logjikës

Më të lexuarat

Logjika është një pjesë e sheriatit, ashtu sikurse s’ka logjikë të plotë pa sheriat, ashtu nuk ka sheriat të plotë pa logjikë.

Ç’ është logjika?

Dijetarët e selefit thonin se logjika është dy llojesh: instiktive dhe e fituar.

Instiktive është ajo që ne i emërtojmë si aftësi logjike, siç janë kuptimi, perceptimi, renditja e fjalive, sjellja e mirë, etj. Gjëra të cilat do ti sqarojmë më vonë.

Ky lloj i logjikës është edhe tema e këtij artikulli tonë.

Logjika instiktive është subjekti mbi të cilin vihen obligimet. Ai që s’ka logjikë s’ka edhe obligime, e nëse i humbë disa pjesë të aftësisë logjikore, obligohet për aq sa i kanë mbetur nga ajo aftësi.

Atij që i është dhënë logjikë e ai e ka anuluar dhe nuk e përdorë ashtu si duhet dhe nuk i përmbahet principeve të logjikës, ai nuk mundet ta kuptojë fenë, nuk i beson fesë. Mirëpo ky njeri llogaritet për këtë gjë, pasiqë me vetdëshirë e ka anuluar përdorimin e logjikës. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Nuk është e mundur për asnjë njeri të besojë (ndryshe), pos me ndihmën e All-llahut. E dënimin u jepë atyre që nuk mendojnë”. (Junus: 100).

S’është për tu habitur pse All-llahu [xhel-le shanuhu] e ka bërë dënimin e atyre që s’logjikojnë të barabartë me denimin e atyreve që nuk besojnë:

“Atë që All-llahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngusht si të ngjitej në qiell. Kështu All-llahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë”. (El-En’am: 125).

Rixhs, në origjinën gjuhësore dmth ndytësirë, sikur këta dy ajete na tregojnë se dëlirësia e zemrës nuk vjen pa dritën e logjikës dhe pa dritën e sheriatit.

Logjika në Kur’an ka disa domethënie, mvarësisht se çka perceptohet. Prej këtyre domethënieve janë:

a) Kuptimi i fjalës:

“A shpresoni se do t’u besojnë ata juve (jehuditë), kur dihet se një grup prej tyre dëgjuan fjalët e All-llahut, edhe pse i kishin kuptuar, e duke qenë të vetëdijshëm (ç’bënin) i ndryshuan ato”. (El-Bekare: 75).

“Ne e zbritëm atë Kur’an arabisht, ashtu që ta kuptoni”. (Jusuf: 2).

Dmth në këtë ajet All-llahu [subhanehu ve teala] sqaroi se qëllimi për të cilin e ka bërë Kur’anin në gjuhën arabe është që ta kuptojnë ata që e flasin këtë gjuhë.

b) Moskundërthënia në fjalë:

“O ithtarë të librit, pse po polemizoni me ne rreth Ibrahimit? E, nuk janë shpallur as Tevrati as Inxhilli, vetëm se pas tij?! A nuk e kuptoni (gënjeshtrën tuaj)?”. (Ali Imran: 65).

Ai që thotë se Ibrahimi [alejhisselam] ka qenë çifutë ose i krishter, është i njëjti që thotë se Ibrahimi [alejhisselam] ka qenë para ebreizmit dhe krishterimit, mirëpo edhe pas tyre. Kjo gjë i ngjanë fjalës së Zotit:

“Ata (mohuesit) nuk e njohën All-llahun sa duhet njohur Atë kur thanë; “All-llahu nuk i shpalli gjë asnjë njeriu!” Thuaj: “Kush e zbriti librin, me të cilin erdhi Musai e që ishte dritë e udhërrëfyes për njerëz, e të cilin ju e bëni të shpërndarë në letra,që disa i prezentoni, kurse shumicën e fshehni. Dhe u mësuat çka nuk e dinit ju as prindërit tuaj? Thuaj: (e zbriti) All-llahu”. Mandej lëri ata të luajnë në atë kotësinë e tyre”. (El-En’am: 91).

Këto fjalë i janë dedikuar çifutëve të cilët pretendojnë se i besojnë pejgamberisë së Musait [alejhisselam]. Sikurse ky ajet dëshiron tu thotë se është kundërthënëse të thoni se All-llahu ia zbriti Tevratin Musait, [alejhisselam], e pastaj të thoni se All-llahu askujt si ka zbritur asgjë.

c) Të kuptuarit e argumenteve dhe fakteve.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ai (Zoti) ju jep një shembull nga vetë ju; a i keni shokë (ortakë) ata që janë në posedim tuaj (shërbëtorët), në atë që Ne u dhamë juve (në pronësi), që të jeni ju të barabartë në të, (në përdorimin e saj) e të frikësoheni prej tyre (se po marrin kompetencë) si frikësoheni ju në mes vete. (Ju nuk pranoni ortakë shërbëtorët tuaj, të jeni të barabartë, nuk keni frikën e tyre, e si më përshkruani Mua ortakë)? Ne kështu u sqarojmë faktet njerëzve që janë të zotët e mendjes”. (Er-Rum: 28).

“Thuaj: “Sikur të kishte dashur All-llahu, unë nuk do t’ua kisha lexuar juve atë, as nuk u kisha njoftuar me të. Unë para tij kam jetuar në mesin tuaj (as nuk ditur as nuk kam lexuar), a nuk mendoni?”. (Junus: 16).

d) Përputhja e fjalëve me vepra.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“A po i urdhëroni (thirni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?”. (El-Bekare: 44).

Andaj Salihu [alejhisselam] tha:

“Unë nuk dua t’ju kundërshtoj (duke punuar) për atë nga e cila po ju ndaloj, unë nuk dua tjetër vetëm të përmirësoj aq sa mundem, por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e All-llahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!”. (Hud: 88).

Përmirësimi i kësaj kundërthënie mund të bëhet duke e bërë veprën në përputhje me fjalët e shëndosha e jo me të kundërtën. Qortimi në këtë ajet ka të bëjë me haresën e vetvetes e jo me urdhërimin në bamirësi, sepse urdhërimi në bamirësi është gjë e mirë dhe nuk ndryshon ky fakt edhe nëse ai që thërret në te nuk i përmbahet. Mund njeriu të thërret në bamirësi me sinqeritet edhe pse vet nuk e zbaton këtë gjë. Prindi i cili e urdhëron fëmiun e vet që mos të konzumojë duhan apo alkool, edhe pse ai këtë gjë e vepron, është më i mirë se ai i cili i thërret të shkojnë pas hapave të tija, madje ma i mirë edhe se ai i cili as që i urdhëron e as i ndalon.

e) Zgjedhja e gjërave të dobishme dhe braktisja e gjërave të dëmshme, qofshin ato gjëra materiale apo shpirtërore.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S’ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk logjikoni?”. (El-En’am: 32).

“A nuk e kuptoni se Ne ua shpallëm librin në të cilin gjendet krenaria juaj?”. (El-Enbija: 10).

f) Flijim i interesit të vogël momental për shkak të një interesi të madh në të ardhmen.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Dhe çdo gjë që u është dhënë juve është kënaqësi dhe shije e kësaj bote, ndërsa ajo që është te All-llahu (thevabi) është shumë më e mirë dhe përhershme, pra, a nuk mendoni?”. (El-Kasas: 60).

Këtë kuptim e përforcojnë edhe shumë ajete tjera ku nuk përmendet mendja, mendimi, etj.

“O ju që besuat, ç’është me ju, që kur ju thuhet: “Dilni në rrugën e All-llahut!”, ju rëndoheni përtokë? A jeni më të kënaqur me jetën e dunjasë, se sa me ahiretin? Kënaqësia e jetës së dunjasë, në krahasim me ahiretin është e vogël!”. (Et-Teube: 38).

g) Nxjerja e mësimeve nga ndodhitë.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“E nga ai vend Ne kemi lënë gjurmë për një popull që mendon”. (El-Ankebut: 35).

Në këtë ajet All-llahu [subhanehu ve teala] aludon në fshatrat e popullit të Lutit [alejhisselam]. Në një ajet tjetër për këto fshatra duke sqaruar mosperceptimin e pabesimtarëve të cilët nga shkaku i mosbesimit në ringjallje nuk kuptonin qëllimin e këtij denimi, thotë:

“Ata (kurejshitët) kaluan buzë fshatit, i cili ishte gurëzuar me atë shiun (gurëzim prej së larti) e shëmtuar, po a nuk janë ata, të cilët e panë atë? Jo, nuk e vështruan, sepse ata ishin të tillë, të cilët nuk shpresonin në ringjallje”. (El-Furkan: 40).

h) Nxerja e mësimeve nga ndodhitë historike.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ne nuk dërguam para teje vetëm se burra nga banuesit e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje. A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shihnin se si ishte përfundimi i atyre që ishin më parë? E s’ka dyshim se jeta e botës së ardhshme është shumë më e dobishme për ata, të cilët janë ruajtur; a nuk mendoni?”. (jusuf: 109).

k) Kuptimi i aludimeve në faktet kozmologjike.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente”. (El-Bekare: 164).

“Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhërin e Tij. vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”. (En-Nahl: 12).

h) Sjellja e mirë me njerëz, e sidomos me pejgamberë.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ata që thërrasin përtej mureve, shumica e tyre janë që nuk kuptojnë”. (El-Huxhurat: 4).

Të gjitha këto elemente janë aftësi të logjikës, me të cilat All-llahu e ka furnizuar çdo njeri. Të gjithë njerëzit e pranojnë këtë gjë dhe konsiderojnë se nuk është e logjikshme mosveprimi sipas këtyre elementeve, mirëpo jo çdonjëri i zbaton këto elemente në realitet. Por mjafton t’i themi atij që nuk i zbaton se është duke bërë vepër të palogjikshme mu siç vërejtëm në ajetet e lartëcituara.

Tërheqim vërejtjen në ate se sqarimi Kur’anor për çeshtjet logjikore dhe konfirmimi i tyre nuk është i përkufizuar vetëm në ajetet ku përmendet logjika ose mendja. Ka shumë ajete ku përmenden fjalë tjera, të cilat aludojnë në aftësitë logjikore në kuptimin e gjërë të fjalës të cilën e përmendëm. Madje secila pyetje mohuese në Kur’an aludon në ate se elementi për të cilin parashtrohet pyetja është i pakontestuar, andaj njeriu i mençur nuk duhet të polemizojë në te.

Kur’ani është përplot ajete të cilat muslimani mundet ti mer si kritere logjikore. Ndoshta kjo është domethënia e dytë e logjikës. Dua të them se janë dituri me të cilat udhëzohet njeriu.

Dr. Xhafer Shejh Idris

Përshtati në shqip: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit