Dokumente të rralla të vitit 1955, ja si ndikoi Moska për zhdukjen e fesë në Shqipëri

0
59

Feja dhe besimet në Shqipëri u paraqitën si shqetësim për regjimin komunist që në vitet e para të pasluftës.

Besimi në Zot dhe të gjithë praktikat fetare nuk shkonin paralel me ideologjinë komuniste.

Ndaj, drejtuesit e regjimit, të orientuar kryesisht nga Moska kishin ndërmarrë herëpasherë disa ndërhyrje në politikat qeveritare ndaj feve, madje në disa raste edhe në çështjet e brendshme të komuniteteve.

Enver Hoxha i kamuflonte ndërhyrjet e qeverisë së tij në punët e fesë në emër të emancipimit të popullit.

Dhe deri në vitin 1955, ishin bërë jo pak ndërhyrje. Por në vitin 1955, ndikimi i Bashkimit Sovjetik në çështjet e fesë në Shqipëri kishte qenë mjaft i dukshëm.

Dy dokumente që ruhen në fondin arkivor të Këshillit të Ministrave në AQSH zbulojnë përveç ndikimit dhe ndërhyrjeve të Moskës në çështjet fetare në Shqipëri edhe përmasat reale të “reformave” të regjimit komunist në drejtim të feve në vendin tonë.

Dokumenti i pari i cili mban datën 28 dhjetor 1955 është një raportim i vizitës së sekretarit të I-rë të Ambasadës Sovjetike, Vasil Siminev në zyrat kryeministrisë në Tiranë, me 27 dhjetor 1955, i cili ka kërkuar shpjegime për një varg të gjatë çështjesh që lidheshin me gjendjen e fesë në Shqipëri në vitin 1955.

Reshat Gërmenji, kryetari i Komitetit për çështjet fetare e njoftonte kryeministrin Mehmet Shehu për listën e kërkesave dhe pyetjeve që kishte drejtuar Vasil Siminev, rreth gjendes së feve dhe besimeve në Shqipëri.

Ai interesohej se në ç’bazë ishte e organizuar feja dhe a kishte një ligj për fetë, a ishin autoqefale apo me lidhje nga jashtë, çfarë ndikimi kishin në popull, a merrnin subvencione nga shtetit apo si kontrollohej buxheti i tyre e deri tek interesimi për mbajtjen e perçes, apo statistikat e sakta për përqindjen e popullsisë sipas besimeve në qytetet e mëdha…

Pyetjet që ai i drejton kryeministrit Mehmet Shehu synojnë të zbulojnë përmasat reale të ndikimit të fesë në Shqipëri.

Mes listës së gjatë të pyetjeve të sekretarit rus, bie në sy interesimi i tij se “çfarë kuadri kanë dhe a kanë shkollë për klerikë?”.

Kjo çështje është parë nga regjimi që nga kjo kohë e deri në mbylljen e plotë të kishave dhe xhamive si ”thembra e Akilit” për të minimizuar maksimalisht forcën e komuniteteve fetare. Dhe duket se kjo “detyre shtëpia” nga Moska është zbatuar me rigorozitet prej Enver Hoxhës.

Në vitin 1967 para se të niste goditjen finale Enver Hoxha e veçon çështjen e kuadrit të fesë si një shtyllë ku duhet të mbështetej regjimi, pasi pa kuadro dhe arsim fetar, fetë në shqipëri gradualiasht do të shkonin drejt eleminimit të tyre.

Pas këtij informacioni për këtë vizitë, Komiteti për Çështjet Fetare kishte përgatitur një raport të hollësishm për gjendjen e feve në Shqipëri. Raporti është dokumenti i dytë për të cilin folëm më lart.

Në të gjejmë të dhëna të vyera për statistikat e kësaj periudhe në drejtim të besimeve fetare por edhe përmasat reale të tendencës të regjimit për të ndërhyrë sa më thellë në punët e brendshme të komuniteteve fetare.

Më poshtë i sjellim ekskluzivisht dy dokumentet e dhjetorit 1955 për gjendjen e feve në Shqipëri, që zbulojnë një stacion të rëndësishëm në luftën kundër fesë, që përkon me kohën kur ndikimi i Moskës në regjimin komunist shqiptar ishte në kulmin e tij.

Dokumenti i parë

INFORMACION MBI SEKRETARIN E I-rë TË AMBASADËS SOVJETIKE, QË KËRKON DISA TË DHËNA MBI FENË NË VENDIN TONË

S H O K U

K R Y E M I N I S T Ë R

Në datën 27/XII/1955 Sekretari i I-rë i Ambasadës Sovjetike Shoku Vasil Siminev bëri takim me mua këtu në Kryeministri. Unë si përkthyes kisha Qemal Shehun.

Ay kërkoj disa të dhëna mbi fenë në vendin t’onë:

1) Në ç’bazë është organizuar feja dhe a ka ligjë.

2) Sa lloj feje janë e si janë të organizuara.

3) A janë autoqefale, apo jo, dhe a kanë lidhje nga jashtë.

4) Influenca që kanë në popull.

5) Çfar kuadri kanë dhe a kanë shkollë për klerikë.

6) Çfarë kulture kanë dhe kush ka më shumë.

7) Ku e kanë marrë kulturën.

8) A u jepet subvencion nga Shteti dhe pse u jepet.

9) Nga kush i kanë të ardhurat e tyre.

10) A ka ligjë që shteti duhet t’i ndihmojë.

11) Si kontrollohet buxheti i tyre nga shteti.

12) Kur kanë festa zyrtare dhe për vdekie a u bienë kambanave.

13) Rajonet (qarqet) që janë më fetarë.

14) Perçia që vazhdon a është influencë fetare apo zakon.

15) Nëse venë të rinj në kisha e xhamira.

16) Në qytetet më të mëdhenj cila fe ka popull më shumë.

17) Si është vënë në praktikë propaganda anti-fetare nga ana shkencore.

Përveç pikës së parë, për pikat e tjera nuk i kam përgjegjur. Ai më tha kur do më përgjigjesh? Unë i thashë, do t’u njoftoj unë kur t’i bëj gati.

Lutemi më urdhëzojni si do t’i përgjigjem, t’ja u ap të shkrojtur apo të mbajnë shënime dhe a do t’u përgjigjem me hollësi pyetjeve.

Për propagandën anti-fetare me mjete shkencore si do t’i përgjigjem.

Për komitetin për çështje klerike:

(Reshat Gërmenji)

(firma)

28/XII/1955

Më d. 3/I/956 m’u kthye nga Shoku Beqir Balluku, duke ju dhënë një kopje

g.
Dokumenti i dytë

R E L A C I O N

MBI GJENDJEN E KISHËS NË SHQIPËRI

E gjithë Shqipëria ka një popullsi prej 1.394.310. Nga këto janë 71.20% mysliman, 18.56% orthodhoks, 10.18 katolik, 0.06 të ndryshëm.

1) Në ç’bazë është organizuarë feja dhe a ka ligjë.

Në Republikën Popullore të Shqipërisë janë katër komunitete dhe pesë sekte fetare, të cilat kanë qenë të organizuar qysh prej kohe. Në vitin 1949 ka dalë dekret-ligja mbi komunitetet fetare Nr. 743 datë 26/XI/1949 që flet mbi organizimin e komuniteteve fetare.

2) Sa lloj feje janë e si janë të organizuara.

Janë tre lloj feje Mysliman, Orthodhoks e Katolik. Myslimanët ndahen në dy komunitete, të cilët janë Bektashinjtë që e kanë komunitet më vete, këta kanë qenë sekt, por më 1928 kryetari i bektashinjve që e kish qendrën në Stamboll (Turqi) në këtë vit u përzu nga Turqia dhe erdhi u vendos në Shqipëri mbasi ky ishte shqiptar dhe fitoj të bëhet komunitet dhe botëror i cili quhej Niazi Sali Dedej, ky ka qenë i zgjedhur nga gjithë besimtarët bektashianë të botës, ky është vrarë prej fashistave Italianë në vitin 1941.

Në komunitetin mysliman janë të mvarur pesë sekte fetare të tjerë, të cilët quhen Alveti, Rrufai, Kadri, Sadi e Tixhani.

Të katër komunitetet janë të organizuarë, ku kanë nga një këshillë të përgjithëshme, i cili është organi më i lartë i komunitetit, ky mblidhet njëherë në vit dhe mer vendime, për emërime ose pushime të kuadrove të larta (dioqezave) shikon dhe aprovon buxhetin vjetor. Të gjithë komunitetet kanë statutet dhe rregulloret administrative të tyre.

3) A janë autoqefale dhe a kanë lidhje nga jashtë.

Që të gjitha janë autoqefale, as njeri nuk kanë mvarie administrative nga jashtë. Katolikët para çlirimit Shqipërisë kanë qenë të mvarur nga papa i Romës, por në vitin 1952 dhe katolikët bënë statutin dhe rregulloren e tyre dhe administrohen vetë.

4) Influenca që kanë në popull.

Në pjesën më të madhe të popullit nuk kanë influencë qoftë si fe, qoftë si klerikë. Atë pakë influencë që kanë e kanë më të shumtën në fshatarësin e malësis që janë me pakë kulturë dhe këtu e ka më shumë si fe, e si klerikë e kanë më të pakët influencën.

5) Ç’far kuadri kanë dhe a kanë shkolla për klerikë.

Simbas rregullit të tyre kuadrot kryesore i kanë të plotësuarë p.sh. myslimanët kanë kryetarin dhe tre kryemyftinj të zonave dhe 7 myftinj të qarqeve si dhe 18 nënmyftinj të rretheve.

Orthodhoksit kanë kryetarin (kryepiskopin) dhe 4 episkopë të dioqezave si dhe 17 zv.lokalë.

Katolikët kanë kryetarin me një ndihmës ipeshkv dhe 6 vikar kapitullarë.

Bektashinjtë kanë kryetarin (kryegjyshin) dhe 6 gjyshër të zonave. Nga klerikët e ulët në përgjithësi kanë mungesa, por sidomos më shumë orthodhoksit e katolikët.

Shkolla për klerikë ka vetëm komuniteti mysliman me 60 nxënës ku vazhdojnë në ‘te 4 vjet. nxënësit kur merren duhet të kenë mbaruarë shkollën 7/vjeçare.

Në gjetien e nxënësve nga viti në vit gjejnë vështirësi, më të shumtit që venë janë bij fetarësh.

Orthodhoksit e katolikët kanë marrë nga njerzit që kanë qenë në fakultetin fetar e në seminare, pse para çlirimit katolikët kanë patur fakultet dhe orthodhoksit seminar.

6) Ç’far kulture kanë dhe kush ka më shumë.

Në përgjithësi me përjashtim të katolikëve nga kultura janë të ulët. Kurse katolikët në përgjithësi i kanë me kulturë, pse të gjithë kanë theollogji.

7) Ku e kanë marrë kulturën.

Myslimanët piesa më e madhe e ka marë në Shqipëri se ka patur shkolla fetare, piesa tjetër e ka marrë kulturën në Turqi (Stamboll).

Orthodhoksit afro gjysmët e kanë marrë në Shqipëri me anë të seminareve, piesa tjetër e ka marrë në Greqi e një pjesë e vogël Rumani.

Katolikët piesa më e madhe e ka marrë në Itali dhe një pjesë në Gjermani e Shqipëri.

Bektashinjtë në përgjithësi janë autodidakt, nuk kanë patur shkolla bektashiane, një pjesë e vogël kanë nga pakë arsim shtetëror.

8) A u jepet subvencion nga shteti dhe pse u jepet.

Nga shteti u është dhënë subvencion, masi kanë qenë shumë ngushtë nga buxheti për plotësimin e rrogave të personelit dhe ky subvencion nga viti në vit u është pakësuarë.

9) Nga kush i kanë të ardhurat e tyre.

Të ardhurat i kanë nga një pjesë të vogël toke që u është lënë, nga qirat e një pjes godina të vogla që kanë dhe nga ndihmat e besimtarëve në rast festash si dhe subvencioni i dhënë nga shteti.

10) A ka ligjë që shteti duhet t’i ndihmojë.

Nuk ka ligjë që kleri të ndihmohet, në statutet e tyre dhe në dekret-ligjën mbi komunitetet fetare thuhet se eventualisht shteti mund t’u japë subvencion.

11) Si kontrollohet buxheti i tyre nga shteti.

Buxheti i tyre nhuk kontrollohet nga shteti, por po të ketë të dhëna financa se ka viedhje, ndërhyn dhe ja jep gjygjit, të tillë raste ka patur në komunitetin bektashian e mysliman.

12) Kur kanë festa zyrtare dhe për vdekie a u bienë kambanave.

Rënien e kambanave e kanë patur shumë të egzaxheruar gati tërë ditën binin kambanat, këtë e kanë patur më të zhvilluar katolikët, bile ka patur ankim nga populli.

Në vitin 1955 u është lënë që t’i bien kambanave simbas rregullit të tyre, ditët e djelave dhe të kremteve që i kanë më të forta të cilat janë 10 ditë në vit, për vdekie nuk i bien. Kjo është në qytete, kurse në katunde u është lënë simbas rregullit të tyre.

13) Rajonet (qarqet) që janë më fetare.

Qarqet që janë më fetare është Shkodra, Elbasani, Durrësi, Tirana, Berati e Korça. Me përjashtim të Shkodrës dhe Elbasanit, qarqet e tjerë në qytet nuk janë shumë fetarë, si fetarë kanë popullsinë e katundeve.

14) Perçia që vazhdon është influencë fetare apo zakon.

Një pjesë e vogël grash që mbajnë perçe ka në Shkodër dhe në rrethin e Kavajës të qarkut Durrësit. Po të shikohen familjet e grave që mbajnë perçe janë mjaft të ulët nga ana e kulturës, kështu që presioni fetar qysh prej kohe u ka mbetur zakon që të mbajnë perçe.

15) Në se venë të rinj në kisha e xhamira.

Para çlirimit sidomos në kishat dhe xhamirat vinin më shumë të rinj se sa pleq, kurse mbas çlirimit e këtej janë pakësuar shumë vajtia e të rinjve e sidomos në xhamirat e kishat orthodhokse, kurse në kishat katolike ka akoma nga të rinjtë që venë e sidomos më shumë në katundet e malsive.

16) Në qytetet më të mëdhenj cila fe ka popull më shumë.

Tirana 80% është muslimane, 16% orthodhokse, 4% katolike.

Shkodra 53% është katolike,45% myslimane, 2% orthodhokse.

Durrësi 81% është muslimane, 15% orthodhokse, 4% katolikë.

Elbasani është 90% mysliman, 9.6% orthodhoks, 0.4% katolikë.

Korça është 61% mysliman, 39% orthodhoks.

Gjirokastra është 60% orthodhoks, 40% myslimane.

Vlora është 62% myslimane, 28% orthodhokse.

Berati është 85% mysliman, 15% orthodhoks.

17) Si është vënë në praktikë propaganda anti-fetare nga ana e shkencës.

Për propagandën anti-fetare, kanë dalë libra (broshura) shkenca dhe feja, mbi katoliçizmin, janë vënë në revistën Hosteni dhe gazetën Bashkimi disa klerikë me raste bërie nuskash pse përkënduarie të sëmurish.

Në grumbuj punëtorësh (kampe etjera) janë spjeguarë mbi fenomenet e natyrës (dielli, hëna, toka, shiu etj.)

Kur ka patur filma si Zekthi etj. janë propaganduarë që i ka frekuentuar masa më shumë. (tesheshi)