1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Dogma marksiste e progresit dhe ndikimi i saj

Më të lexuarat

Hyrje
Marksizmi është një dogmë materialiste ateiste mbi botën, jetën, ndërgjegjen, por dhe një metodë njohje. Marksizmi është shndërruar për shumë njerëz në një doktrinë fetare materialiste, me anë të së cilës shihet pozita e njeriut në këtë botë dhe e ardhmja e tij. Idetë e majta dhe veçanërisht ato marksiste kanë gjetur një përhapje kaq të madhe, sa gati është e pamundur të gjesh një fushë të jetës e të dijes ku ato të mos kenë depërtuar në një mënyrë ose në një tjetër, në formë të dukshme ose të padukshme, të vetëdijshme ose të pavetëdijshme. Kjo natyrisht nuk i bën të sakta ato si ide, por tregon se çfarë ndikimi të fuqishëm dhe përhapje të madhe ato kanë pasur. Padyshim e gjitha kjo është favorizuar nga faktor historik, politik, social ekonomik e kulturor, nëpër të cilat kaloi mbarë bota në dy shekujt e fundit, atë XIX dhe XX, duke mos harruar se gati 40% e njerëzimit për rreth gjysmë shekulli iu nënshtruan eksperimentit marksist në format e tij të ndryshme, në të gjitha fushat e jetës. Edhe vetë Perëndimi nuk ka shpëtuar nga idetë marksiste, sado që ai i luftoi ato dhe sado që këto ide kanë evoluar dhe ndryshuar vazhdimisht. Dhe kjo –edhe njëherë- jo për shkak të saktësisë së tyre, por për vetë faktin se ne jetojmë në epokën e modernitetit, i cili në thelbin e besimit të tij është materialist dhe larg këndvështrimit tradicional mbi botën, ku këndvështrimi fetar zinte vendin qendror në të. Marksizmi nuk është gjë tjetër vetëm se një nga pikëpamjet më të skajshme logjike që prodhoi moderniteti laik.
Dogma e progresit
Në këndvështrimin marksist asgjë nuk është e qëndrueshme, por çdo gjë ndryshon duke evoluar drejt progresit të pafund. Mes të tjerash evoluon edhe shoqëria njerëzore në çdo aspekt të saj, dhe ky ndryshim ka si burim të tij kushtet materiale të jetës dhe marrëdhëniet e prodhimit dhe ndarjen e punës. Ky ndryshim më pas reflektohet në ndërgjegjen njerëzore, në idetë dhe besimet e tij dhe në formimin e institucioneve shoqërore.
Pra marksizmi e sheh historinë e njerëzimit, jo si një ndryshim idesh dhe besimesh që reflektohen mbi botën materiale të njeriut dhe ndikohet natyrisht prej saj, por si një histori ndryshimesh materiale të cilat dirigjohen nga ligjet e materies dhe që reflektohen në pikëpamjet dhe filozofinë njerëzore. Pra nga poshtë lart, nga infrastruktura në superstrukturë, nga materia tek ideja. Marksi thoshte se, nuk e përcakton ndërgjegjja jetën, por jeta përcakton ndërgjegjen.
Edhe pse marksistët në praktikë e kundërshtuan këtë logjikë duke i imponuar ndryshimet shoqërore nga pozita e superstrukturës, pra nga pozita e ideologjisë dhe duke e zbritur atë poshtë në ndryshimet e strukturës dhe infrastrukturës, pra të organizmit shoqëror dhe mënyra sesi sigurohet vazhdimësia e jetës.
Filozofia marksiste, apo ndryshe materializmi dialektik dhe historik, e aplikuar mbi historinë njerëzore e sheh atë nën syrin e një evoluimi të vazhdueshëm, në të gjitha aspektet dhe në veçanti në ato institucionale dhe morale, ku çdo etapë sipas tyre reflekton kushtet materiale të jetesës në aspektin institucional dhe të ndërgjegjes. Kështu p.sh. Engelsi duke iu referuar pikëpamjes marksiste i interpreton të gjitha format e familjes, pronës dhe organizimit social dhe shtetin si forma tranzitore të njëpasnjëshme të evoluimit njerëzor, dhe jo si produkt i ideve kulturore që burojnë nga ndërgjegjja e njeriut, apo nga burime të jashtme siç është hyjnorja. Nga kjo pikëpamje edhe ligjet dhe normat morale dhe juridike që rregullojnë jetën e shoqërisë janë tërësisht reflektim i kushteve materiale njerëzore, sipas tyre.
Ndikimi i progresivizmit
Kjo ide marksiste ka depërtuar thellë në ndërgjegjen e shumë njerëzve, aq sa çdo epokë shihet kaq shumë e ndryshme dhe e dallueshme nga ajo e jona, saqë disa marrëdhënie shoqërore, normat sociale dhe morale shihen si të lidhura pazgjidhshmërisht me epokën që i përkisnin, të cilat sot e kanë tejkaluar vetveten.
P.sh. përkatësia fisnore dhe marrëdhëniet me të janë zëvendësuar nga shteti dhe institucionet e tij; roli i prindërve dhe i marrëdhënieve të tyre me fëmijët e tyre është çliruar në një masë të madhe nga vartësia e dikurshme e ndërsjellët; familja ka ndryshuar duke evoluar nga ajo patriarkale e zgjeruar në familjen bërthamë nga një burrë dhe një grua dhe fëmija i tyre, apo në familje vetëm me një prind apo edhe në familje me prind të së njëjtës gjini; marrëdhëniet ndërmjet dy gjinive, po ashtu janë çliruar nga kufizimet morale dhe shoqërore të dikurshme; roli gruas në shoqëri është bërë më aktiv në kontributin e saj jashtë familjes dhe ka shkuar drejt barazimit me atë të burrit, në të njëjtat pozicione në të cilat deri dje burri ishte dominues ose i vetëm…etj.
Të gjitha këto ndryshime evidente, sipas tyre janë normale dhe natyrore, sepse i përgjigjen ndryshimeve të kushteve materiale. Këmbëngulja tek e vjetra, tek tradita, është veçse regres shoqëror, në të gjitha pikëpamjet, sipas tyre. Kështu edhe feja dhe normat fetare -sipas tyre- i përkasin një të shkuare e cila nuk mund të kthehet më pas, sepse është në kundërshtim me ligjin e natyrës së progresit dhe të evolucionit të pandalshëm të zhvillimit, ku e reja ngrihet mbi gërmadhat e së vjetrës, e cila ka vdekur një herë e përgjithmonë e nuk kthehet kurrë më pas.
Pasaktësia e dogmës së progresivizmit
E gjitha kjo në fakt është një ideologji dhe pikëpamje e pasaktë mbi botën dhe jetën, sepse ndryshimi apo evoluimi nuk ka një kah të vetëm determinist, siç besojnë marksistët, por kahe dhe drejtime të ndryshme, dhe po ashtu ai nuk është domosdoshmërish më i mirë dhe shkon pashmangshëm drejt progresit. Vetë historia dëshmon se pikëpamja marksiste është e pavërtetë.
Së pari, nëse e krahasojmë atë me darvinizmin, të cilit marksistët i referohen për tu argumentuar, do të vëmë re se ka një dallim serioz dhe thelbësor, kjo sepse pikëpamja darviniste mbi evoluimin e jetës së gjallë në tokë, nuk thotë se krijesat evoluojnë duke shkuar drejt progresit, por ato evoluojnë për t’iu përshtatur kushteve të reja të jetës, të cilat ndryshojnë vazhdimisht, dhe ky evoluim për mbijetesë e individëve më të fortë që përshtaten me kushtet e reja nuk do të thotë detyrimisht evoluim drejt progresit dhe ngritjes në një nivel më të lart të krijesës. Mirëpo me sa duket kjo pikëpamje darviniste, nuk u pëlqeu marksistëve ndaj dhe morën nga darvinizmi vetëm një pjesë, duke u argumentuar kështu për saktësinë e pikëpamjes së tyre progresiste mbi një teori të cunguar dhe të deformuar, pa folur pastaj se sa e saktë është në vetvete edhe vetë teoria darviniste e evoluimit të specieve të gjalla.
Në fakt vetë ideja e progresit, sidomos ajo marksiste, ka shërbyer si opiumi i intelektualëve, siç e quan atë filozofi dhe sociologu francez Raymond Aron, në librin e tij po me të këtë titull ku ai e nis me citimin e Marksit për fenë se ajo është një opium për popullin, duke e pasur me citimin e Simone Weil, që e konsideron vetë Marksizmin si një fe, që është përdorur njëlloj siç thotë Marksi për fenë, si një opium për popullin.
Së dyti, bota që nga koha e Marksit, brenda më pak se dy shekujve nga vdekja e tij ka ndryshuar shumë, mirëpo ajo nuk është bërë aspak më e mirë, më e moralshme, më humane e më paqësore. Përkundrazi në disa aspekte ajo është bërë më e keqe. Janë zhvilluar dy luftëra të përgjakshme botërore, dhe një luftë e ftohtë si dhe me qindra konflikte rajonale, që kanë sjellë me miliona viktima, shumë herë më tepër se kur njerëzit luftonin me mjete më pak të sofistikuara. Zhvillimi shkencor dhe teknologjik ka sjellë sfida dhe probleme krejt të paimagjinueshme më parë edhe pse ka zgjidhur shumë prej problemeve të dikurshme… E gjitha kjo tregon se progresi determinist, i pashmangshëm, drejt më së mirës është një iluzion mashtrues.
Së treti, nuk është aspak e vërtetë se ndryshimet sociale me të cilat përballet sot bota janë të reja për njerëzimin, ato janë shfaqur edhe më herët në kohë dhe vende të ndryshme dhe në thelb pavarësisht ndryshimeve sipërfaqësore idetë dhe praktikat sociale që sot na ofrohen si të reja, janë të vjetra si ide dhe praktika. P.sh. edhe vetë idetë dhe praktikat komuniste nuk janë të reja ato i gjejmë edhe në histori si p.sh. tek besimi persian i Mazdekut, i cili ashtu si marksistët besonte se prona private dhe kufizimi i marrëdhënieve ndër gjinore brenda kurorës, nxisnin smirën dhe konflikte mes njerëzve, ndaj dhe pasuria dhe gratë duhet të ishin pronë e përbashkët.
Ide dhe praktika komuniste gjejmë edhe tek disa grupime fetare ezoterike dhe te disa bashkësi murgjish në besime të ndryshme. Në fakt çdo ide apo praktikë sociale që shfaqet në historinë e njerëzimit e ka një të ngjashme pararendëse, e cila sipas pikëpamjes marksiste i bie të jetë shfaqur jo në kohën e vet. Ndërkohë që kjo provon se idetë nuk janë thjesht produkt i kushteve materiale, por së pari i ndërgjegjes njerëzore. P.sh. sot grupe të majta dhe marksiste na promovojnë fenomenin LGBTIQ si diçka të re dhe të përparuar, që thyen tabutë e vjetra të moralit, dhe kush nuk e pranon nuk është veçse i prapambetur! Ndërkohë po këta njerëz për të përligjur natyrshmërinë e tyre në mënyrë paradoksale e përligjin veten me ekzistencën e tyre edhe në kohët e mëhershme në historinë njerëzore. Atëherë s’kemi të bëjmë pra me diçka të re dhe më të përparuar, por thjesht me diçka që mund të jetë e re relative dhe që duhet gjykuar si e mirë ose e keqe, sepse jo çdo gjë e re relative apo absolute do të thotë domosdoshmërish e mirë dhe progresive.
Së katërti, analogjia që i bëhet zhvillimit shkencor dhe teknologjik, i cili shihet si akumulim i vazhdueshëm i dijes njerëzore, me ndryshimet shoqërore, është tejet i gabuar, sepse ato nuk ndjekin të njëjtën linjë progresi dhe realiteti e dëshmon këtë. Zhvillimi shkencor dhe teknologjik sot ka arritur majat e tij si asnjëherë tjetër në historinë e njohur njerëzore, e megjithatë në drejtim të progresit moral lë shumë për të dëshiruar, madje në disa raste është bërë edhe më i keq se më parë.
Së pesti, ideja e një progresi material të pandalshëm drejt më të përsosurës të pakufijshme, më të mirës më të zhvilluarës, është një tjetër iluzion i marksizmit dhe i vetë modernitetit. Ky zhvillim do të ndalet një ditë dhe ritmet e tij do të bihen, sepse burimet dhe mjetet mbi të cilat bazohet ky zhvillim nuk janë të pashtershme dhe të pafundme, ndërkohë që veç kësaj askush nuk e di se çfarë ka rezervuar e ardhmja për njerëzimin, sesi njerëzit do sillen me këto teknologji dhe si do t’i përdorin ato, për mirë apo për keq, për të shkatërruar apo ndërtuar. Teknologjia gjithmonë e më shumë po bëhet më e rrezikshme pikërisht për shkak të mundësive të mëdha që ajo jep për keqpërdorim dhe ky keqpërdorim mund të rezultojë në një fund fatal për botën njerëzore, qoftë edhe me shtypjen e një tasti të vetëm të kompjuterit.
Së gjashti, vetë natyra njerëzore ka diçka të pandryshueshme, të lindur pa të cilën ne nuk do të mund të gjykonim dot çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe në të gjitha kohët njëlloj, çfarë është e dobishme dhe çfarë e dëmshme. Madje vetë ideja fikse e progresit të vazhdueshëm mund të qëndrojë në një qenie e cila nuk ndryshon, përndryshe nëse ajo do të ishte ligj i jetës dhe jo një ide e ardhur nga jashtë, nuk do të ishte nevoja të zbulohej dhe as të mësohej dhe as të thuhej dhe provohej, sepse do të ishte një parim aksiomatik që do të rridhte vetë pa qenë nevoja e argumentimit për të.
Natyra e pandryshueshme e njeriut
Thelbi i natyrës njerëzore është i pandryshueshëm, sepse ai buron nga një pjesë e pandryshueshme e tij, nga shpirti, për këtë dhe ndjenjat njerëzore, emocionet, besimet dhe sjelljet e tij nuk ndryshojnë, ato vërtiten rreth të njëjtit cikël të mbyllur njerëzor dhe ndryshimi i mjedisit dhe botës së jashtme materiale nuk e ndryshojnë dot thelbin e njeriut. Ajo çka e ndryshon vërtetë botën e brendshme njerëzore, që reflektohet më pas në sjelljen e tij të jashtme, janë idetë, besimet dhe bindjet që i vijnë atij nga jashtë, të cilat duke qenë të tilla rezultojnë ose të këqija ose të mira, ose të ndërmjetme. Vetëm kështu mund të përshkruhen ato, dhe jo si progresive apo regresive.
Zoti thotë në Kuran:
فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًا فِطْرَتَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ وَلَكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ
“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (30:30)
Ajo që vëmë re në këtë ajet kuranor është fakti sesi natyra e lindur njerëzore, krijimi i Zotit dhe feja e Tij këmbehen mes tyre si të ishin e njëjta gjë. Ajeti tregon qartë se natyra e lindur njerëzore, krijimi i Zotit dhe feja nuk ndryshojnë. Dhe ajeti këtu flet për thelbin e natyrës njerëzore dhe të krijimit, të cilit i përgjigjet nga ana tjetër feja e kësaj natyre, e cila nga ana saj duke qenë edhe ajo një prurje hyjnore është e pandryshueshme.
Kështu që ndryshimi që ndodh dhe prek thelbin e natyrës njerëzore është në fakt një ndryshim i mundshëm, por i dëmshëm dhe është një mutacion që deformon natyrën e lindur njerëzore, për tu larguar nga natyra e lindur dhe nga feja e Zotit dhe për të mos e pranuar atë. Dhe kjo nën ndikimin e ideve të jashtme, siç e përshkruan këtë Profeti në një hadith të tij ku na mëson se çdo njeri lind në fitrah, dhe janë prindërit e tij ata që ia devijojnë atij këtë natyrë të lindur. Pra mjedisi dhe idetë e jashtme. Dhe fitrah është fjala arabe që përshkruan krijimin, natyrshmërinë fillestare e cila mbart disa parime njohëse dhe vlerësuese që në lindje, njëlloj si instinktet jetësore, fitrah janë instinktet e lindura të shpirtit.
Nëse do të bëjmë një krahasim të përafërt ilustrues, por jo shterues, mes fesë dhe natyrës njerëzore, mund t’i krahasojmë ato me gjuhën dhe gramatikën e saj. Gjuha është fitrah e lindur e njeriut, sepse ajo i është dhënë njerëzimit, ndërsa feja është gramatika e saj. Gramatika nuk e shpik gjuhën, por ajo e ruan atë nga ndryshimet e dëmshme dhe i tregon rregullat nëpër të cilat ajo mbrohet nga deformimet që prishin origjinalitetin e saj, si dhe përcakton shtigjet e zhvillimit të saj të mundshëm, pa humbur origjinalitetin e saj dhe lidhjen me të kaluarën. Kështu dhe feja me rregullat dhe normat e saj përpiqet të ruaj thelbin e natyrës njerëzore, emocionet, ndjenjat, institucionet, dhe dinjitetin e njeriut nga mutacionet e dëmshme që dëmtojnë natyrën fillestare në të cilën Zoti e ka sjellë njeriun në këtë botë si dhe i tregon parimet me të cilat njeriut duhet të ruajë gjithmonë natyrën e tij, edhe në të ardhmen.
Feja ka dy elementë thelbësor që e përbëjnë atë, që janë doktrina dhe ligji, ose ndryshe akidja dhe sheriati. Doktrina është e pandryshueshme, në të gjitha fetë qiellore që kanë ardhur nga Zoti, ndërsa ligji edhe ai është i pandryshueshëm në thelbin e tij, sepse normat e tij vërtiten rreth ruajtjes së pesë (ose gjashtë) elementëve bazë, që janë feja, jeta njerëzore, nderi, pasardhësit, pasuria dhe arsyeja. Ndryshimet ndërmjet ligjeve janë vetëm në çështje dytësore dhe tek mjetet sesi ato i përmbushin këto synime, por jo tek thelbi.
Kështu që nëse i referohemi kësaj pikëpamje që shtjelluam këtu, mund të themi se pretendimet që ngrihen nga jofetarët apo tek tuk edhe nga fetarët, që kërkojnë të përshtatin jo thjesht ligjërimin fetar, por normat dhe doktrinat fetare bazike, me mjedisin shoqëror të sotëm modern dhe evoluimin e tij, për t’iu përgjigjur -sipas tyre- shoqërisë së kohës sonë, kanë rënë në po njëjtin gabim dhe ndikim marksist dhe modernist, që i sheh normat dhe besimet fetare si thellësisht të kushtëzuara nga kontekstet historike, sociale dhe kulturore dhe nuk e sheh sjelljen e sotme njerëzore dhe pikëpamjet e saj mbi botën dhe jetën si një mutacion që ka dehumanizuar dhe denatyralizuar natyrën e lindur njerëzore. Dhe është pikërisht ky mutacion, i cili sa më i madh bëhet dhe sa më shumë përhapet tek individët e shoqërisë, duke i larguar njerëzit nga fitrah e tyre, aq edhe më e madhe është pasoja negative e denatyralizimit të njeriut dhe mos pranimi i normave fetare.
Denatyralizmi i rolit të gruas në shoqëri, si shembull
Kështu p.sh. si nga jofetarët por edhe disa fetarë bëhet thirrje, me fjalë ose praktika, për ta konsideruar mbulimin e gruas si një normë arkaike, që nuk i përgjigjet evoluimit njerëzor. Po në këtë kontekst disa norma fetare, që kanë të bëjnë me gruan dhe aktivizimin e kufizuar të saj në shoqërinë e jashtme, sulmohen dhe bëhen përpjekje maksimale për t’i ndryshuar. Kështu ndodh të dëgjosh të thuhet në terma materialiste të tregut, se puna dhe kontributi që japin gratë në shtëpi është një punë e papaguar dhe e pavlerësuar materialisht ashtu siç duhet, dhe nga kjo rrjedh se kemi të bëjmë me shfrytëzim të gruas. Njëlloj siç thoshte Engelsi se shfrytëzimi i parë në historinë njerëzore ka lindur nga shfrytëzimi që i bën burri gruas, për të mbështetur -sipas tij- teorinë e konfliktit klasor, që qëndron në themel të pikëpamjes marksiste. Në këto kushte duke e parë këtë rol të gruas në familje si një shfrytëzim dhe si një pikëpamje arkaike, që ardhmëria duhet ta hedh poshtë, marksistët e dikurshëm dhe këta të sotmit, por jo vetëm ata, janë bërë flamurtar të atyre lëvizjeve dhe nismave të cilat pretendojnë ta emancipojnë, apo çlirojnë gruan nga zgjedha dhe shfrytëzimi mashkullor, që ajo ka përjetuar për mijëra vjet. Dhe për ta justifikuar këtë ata mbështeten edhe te rastet e abuzimeve dhe keqtrajtimeve që ndodhin në familje ndaj gruas, si dhe theksojnë se vetëpranimi i gruas për të kufizuar rolin e saj në shoqëri kryesisht brenda shtëpisë dhe familjes, vjen nga shtypja kulturore, shoqërore e ideologjike që asaj i është imponuar nga feja, tradita, zakonet, ideologjitë dhe interesat e ndryshme shfrytëzuese të burrit. Kështu që kjo propagandë ka prodhuar të gjitha ato ndryshime, shpesh jo pozitive në shoqëri, duke krijuar tek gratë ndjenjën e pakënaqësisë dhe të shfrytëzimit mashkullor që e mban atë mbyllur brenda shtëpisë, për bërë dhe rritur fëmijë, për të gatuar dhe bërë punët e shtëpisë dhe për t’i shërbyer burrit dhe interesave të tij materialiste!
“Zgjidhja” pas këtij konstrukti ideologjik feminist marksist, kuptohet që është nxjerrja e gruas nga shtëpia dhe përfshirja e saj njëlloj si burri në të gjitha aktivitet që ai bën.
Dhe cili është rezultati i këtij “revolucioni femëror kundra shfrytëzimit?
Denatyralizmi i shoqërisë. Gra që nuk pranojnë të lindin fëmijë, ose duan t’i reduktojnë ata, sepse nuk kanë kohë të merren me ta, se i privojnë nga lumturia personale…etj. Kështu për rrjedhojë kemi edhe rënie të rritjes së popullsisë dhe plakje të saj; pavarësim më të madh ekonomik i gruas, çka ka sjellë sipas studimeve edhe divorce më të shumta; rritje të prostitucionit dhe trafikut të mishit të bardhë; përdorim i tejskajshëm shfrytëzues i imazhit seksual të femrës për interesa komerciale; shtimi i marrëdhënieve seksuale jashtë kurorës martesore; shtimi i aborteve; ftohjen e lidhjes prind fëmijë, pasi tashmë roli i edukimit të tyre kalon nga nëna tek çerdhja, kopshti, shkolla dhe shoqëria; “çlirimi” i fëmijëve nga brejtja morale për detyrimin karshi prindërve, për pasojë shfaqja e azileve të pleqve…etj. dhe në thelb vështrimi i jetës si një përpjekje individuale për një lumturi individuale, e çliruar nga çdo lloj “varësie” shoqërore, pra në thelb një lloj komunizmi marksist, të cilën predikonin etërit e kësaj ideologjie johumane, që në fakt sipas vetë gjuhës marksiste do të duhet të shpreheshim se i ka “hequr gruas prangat e burrit brenda shtëpisë, për t’i vënë asaj prangat e shoqërisë jashtë saj”.
Ndërkohë feja apo edhe tradita, nuk e shohin rolin e gruas në shtëpi dhe familje si shfrytëzim dhe shtypje, por si harmonizim i roleve të ndryshme që mashkulli dhe femra kanë në shoqëri, ku secili ruan ekuilibrin social të natyrës njerëzore. Kontributi që jep secili në shoqëri është i lidhur me natyrën specifike fizike, emocionale dhe mendore të secilit, sepse mashkulli dhe femra nuk janë të njëjtë në çdo aspekt, dhe vendosja e barazisë mes tyre në çdo gjë është padrejtësi ndaj natyrës njerëzore dhe ndaj vetë gruas dhe femrës dhe nuk është aspak vlerësim për të. Vlerësimi imagjinar që krijohet nga përshtypja e barazisë është vetëm një konstrukt ideologjik ose shumë shumë një vesvese që lind nga krahasimi sipërfaqësor dhe thjeshtëzues mes mashkullit dhe femrës. Gruaja në kontekstin shoqëror është krijuar për të qenë nënë dhe bashkëshorte dhe ky rol është kaq i rëndësishëm, thelbësor dhe vendimtar për mbarëvajtjen e familjes, shoqërisë dhe vetë sojit njerëzor, saqë minimizimi i tij apo reduktimi i tij në terma materialist të vlerësimi edhe në para është tejet i shëmtuar dhe i turpshëm, që në fakt tregon se çfarë rrënjësh materialiste dhe joshpirtërore ka një pikëpamje e tillë. Burri dhe gruaja nuk janë në një luftë klasore, siç pretendojnë marksistët, dhe lumturia do të vij kur kjo të marrë fund, por janë një botë harmonike, që përshkruhet nga dashuria dhe mëshira, siç e ka cilësuar atë vetë Zoti në Fjalën e Tij, dhe vetëm së bashku, secili sipas rolit që përcakton natyra e tyre, mund t’i japin maksimumin e mundshëm të mirësisë kësaj bote dhe për arritjen e saj nuk duhet të ndalen. Ndërkohë iluzioni për një jetë të kësaj bote pa probleme, tensione, dështime dhe ligësi, është thjesht një mashtrim, një utopi, një “parajsë marksiste” që kërkon të zëvendësojë besimin në botën tjetër.
Këto janë vetëm disa nga produktet dehumanizuese dhe denatyralizuese, të pikëpamjes progresiviste dhe marksiste për shoqërinë. Por, falë Zotit, ky lloj mutacioni nuk trashëgohet gjenetikisht tek njerëzit, kështu që ai mbetet përherë një ndikimi i jashtëm ideor e kulturor i mjedisit. Dhe padyshim që marksizmi ka pjesën e tij të ndikimit, ndoshta atë më të madhe, në këtë verbëri materialiste, nga mënyra se si shumë njerëz vazhdojnë ta shohin botën akoma edhe sot.
Hoxhallarët dhe njerëzit e ditur të fesë, dhe jo vetëm ata, do të duhet të japin zgjidhje sa më të përshtatshme për ta kthyer njerëzimin në natyrshmërinë e tij, e ndoshta nevoja mund ta lips të jepen edhe opinione fetare të përkohshme të domosdoshmërisë, që do t’i quaja fetva të mbijetesës, por kurrsesi të kapitullojnë para këtyre ndryshimeve jonatyrore, që ka pësuar shoqëria e sotme moderne dhe të bëhen pjesë e rrjedhës së kequdhëzuar të shumicës së njerëzve.
Janar 2019/ Xhumada El-Euel 1440
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit