15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

“Do të pendohesha sikur të mos jem i penduar” – Intervistë me Naser Rafunën

Më të lexuarat

Albislam: E lus Allahun t’ju japë sukses në ato punë me të cilat Ai është i kënaqur dhe t’ju bëjë shembull të së mirës. Ne deshëm të bëjmë një bisedë nga e cila shpresoj se do të kënaqen edhe lexuesit tanë. Na thoni në fillim kush është Naser Rafuna dhe me çfarë merret ai?
Rafuna: Jam i lindur ne Prishtinë. Me profesion aktor. Momentalisht luaj ne serialin ‘Kafeneja Jonë’, që e prodhon CMB për RTK-në. Jam asistent profesor i profesorit Enver Petrovci në Akademinë e Arteve dhe po ashtu jam edhe student i studimeve Master në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Albislam: Çfarë libra lexoni dhe cili është libri që ju ka lënë më shumë përshtypje dhe pse?
Rafuna: Lexoj shumë libra dhe e kam tejkaluar numrin katër shifror të lexuarit të tyre. Ndërsa Libri që të len përshtypje më shumë është padyshim Kurani. Unë para se të lexoj Kuranin kam lexuar mjaft BestSellera të autorëve të ndryshëm të mëdhenj botërorë. Dihet çka është i ardhur nga qielli e çka nga imagjinata dhe inspirimi, duke pasur motiv vetëm perceptimin, imagjinatën dhe motivin autori.
Albislam: A mendon se të rinjtë shqiptarë i ka kapur “epidemia” e vrapimit pas famës me çdo kusht? A pajtoheni se shumë prej tyre nëpërkëmbin shumë parime, sidomos ato fetare islame, me qëllim që të realizojnë synimet e tyre?
Rafuna: Frika nga vdekja, inferioriteti, kompleksi i dukjes apo pamjes së jashtme, si dhe kulturës, edukatës dhe bontonit, rinia jonë dhe një pjesë e madhe e saj vetëm e pasojnë pa pasur argument, pa arsyetim dhe logjikë rrugën e ardhmërisë, vendosmërisë dhe vendimmarrjes. Në këtë formë ka të bëjë mosedukimi familjar, sepse mendoj që kompleksi i cili trashëgohet e sjell këtë pasojë. Fama jepet dhuratë prej Zotit, ndërsa dallon karriera. Nuk është problemi, se nëse njeriu nuk di apo është i paditur ose injorant, problemi qëndron në faktin se ka shumë sish, të cilët nuk dëshirojnë të dinë. Njerëzit nuk mund t’i nëpërkëmbin parimet fetare të dhëna si dhuratë nga Zoti, por ata mund ta nëpërkëmbin veten, duke mos e vërejtur këtë gjë, nga arsyeja e shpresave të kota. Unë i njoh jobesimtarët, të cilët irritohen nëse flitet ndonjëherë tema për Zotin, fenë dhe rrugën e drejtë. Normal, flas për Fenë Islame, ngase besoj se është e vetmja fe e pranuar dhe e dhuruar nga Zoti, të tjerat janë njerëzore, epshore dhe pasuese me përplot kontradikta që logjika nuk i pranon. Unë jam musliman, sepse edhe po të isha i ndonjë feje tjetër shpresoj se do të isha bërë musliman nga një arsye: sepse mendoj si duhet e jo si dua. Mendjemadhësia, lakmia dhe xhelozia po e shkatërron rininë dhe popullin tonë.

Albislam: Spektaklet e ndryshme që organizohen nëpër medie, qofshin muzikore etj., që kanë në program zbulimin e talenteve apo karaktereve, si po ndikojnë në jetët dhe formimin e rinisë?
Rafuna: Është ide koti. Sepse qëllimi nuk është rinia, por përfitimi apo fama e organizatorëve, apo e producentëve. Dashuria e të qenit në qendër të vëmendjes kalon shpejt dhe krejt çka mbetet është puna e madhe me vullnet të mirë.
Albislam: Kush është vizioni i rinisë tonë?
Rafuna: Rinia jonë s’ka vizion.
Albislam: A beson se xhamitë (hoxhallarët) mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim?
Rafuna: Çdo njeri me qëllim të mirë mund të japë një kontribut të mirë. Hoxhallarë për mua janë ata që e mbajnë çallmën jo vetëm në xhami. Edhe jashtë saj e kanë krenarinë.
Albislam: Çfarë është ajo për të cilën do të pendoheshit?
Rafuna: Të mos pendohem kurrë. Do të pendohesha sikur të mos jem i penduar. Nëse Zoti nuk më fal, unë jam i humbur, të tjerat kanë zgjidhje. Shpresojmë në falje. Kush mëshiron, mëshirohet. Kush fal, falet. Kush falet, falet.
Albislam: Si e paramendoni ardhmërinë e shqiptarisë?
Rafuna: Shqiptarët të bashkuar në një vend, një shtet, një komb, përndryshe kot është tjetër gjë, ose kështu siç jemi. Duhet të jemi një vend i madh. Një Shqipëri.

Revista Albislam, viti 2011

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit