20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

DITURIA DHE VLERA E SAJ NË ASPEKTIN FETAR DHE SHKENCO

Më të lexuarat

Vehbi Shatri
(DOBIA E MËSIMIT DHE STUDIMIT) I
“ Mendja e një kombi është arsimi ndersa zemra e tij është edukimi dhe morali përgjithshëm”

Përkufizimi i diturisë
Me përkufizim të diturise nënkuptojm njohuri, informacion, mësim, dituri, dije, etj. Dituria është informacioni (lajmi) i përvetësuar nga një person, organizatë apo donjë qënie tjetër.
Dituria është dijenia dhe kuptimi i ngjarjeve, së vërtetës apo njohurive të përfituara nëpërmjet mësimit, përvojës, arsyes ose botëkuptimit , apo nëpërmjet brendashikimit.
Dituria është vetëndërgjegjja e të zotëruarit të informacioneve të lidhura ndërmjet tyre të cilat, të marra veçmas, kanë një vlerë dhe një përdorim më të vogël. Dituria është kuptimi i besueshëm i një çështjeje, mundësisht me aftësinë e përdorimit të tij për një qëllim të caktuar. Kur flasim për vlerën e dituris vlen të përmendim edhe elementet bazë të nxënësit të dijes të cilat janë:
– Sinqeriteti, të vepruarit me atë dituri, largimi nga mëkatet, thjeshtësia, respektimi i dijetarëve dhe i tubimeve të diturisë, durimi në kërkimin e diturisë, konkurimi (garimi) në kërkimin e diturisë, vërtetësia, besnikëria, përhapja e diturisë, mësimdhënia e saj, përmbajtja e vetes nga lakmia e kësaj jete, kujdesja për kohën dhe shfrytëzimi i saj, studimi i diturisë nga frika e harresës, dinjiteti dhe turpi, dhe shoqëria e mirë.
Sinqeriteti në dituri:
Muhamedi a.s ka sqaruar se punët e mira nuk pranohen pa nijet-qellim dhe sinqeritet. “Veprat janë sipas qëllimeve (nijeteve, motiveve, synimeve) dhe çdo njeri shpërblehet për atë që ka pasur për qëllim…’’1.
Të vepruarit konform diturisë së fituar:
Aliu (r.a) thotë: “O ju mbartës të dijes! Punoni me të, dijetar është ai që punon me diturin e tij dhe dituria e tij pajtohet me punën e tij.
Zoti thotë në Kuran: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni? Tek Zoti është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!”2.
Thjeshtësia dhe modestia në dituri:
Thjeshtësia është cilësi e dukshme nga cilësitë e besimtarëve në përgjithësi dhe e kërkuesit të dijes në veçanti. Zoti e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij të jetë i thjeshtë, i butë dhe tolerant ndaj tyre. Zoti thotë në Kuran: “E të jesh i butë ndaj besimtarëve që të pranuan ty“. Zoti ka sqaruar, se mendjemadhësia dhe kryelartësia ndaj robërve të Tij janë cilësi, që Ai i urren. Zoti thotë në Kuran: “Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet“. Zoti na ka urdhëruar që të respektojmë shenjtëritë e Tij. Zoti thotë në Kuran: “Pra, kështu: Kush madhëron atë që Zoti e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për tek Zoti i vet“. Zoti thotë gjithashtu: “E kush madhëron dispozitat e Zoti, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave“. Zoti thotë në Kuran: “E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me shpifje dhe me një mëkat shumë të madh“3.
Respketimi i dijetarëve:
I Dërguari i Zotit ka thënë: “Nga madhërimi i Zoti është respektimi i plakut, i mbartësit të Kuranit që nuk është ekstremist dhe lëshues dhe respektimi i mbretit të drejtë“.5
Të larguarit nga gjërat e kota:
Debatimi në dituri shumë herë bëhet shkak për grindje, polemika, zemërime dhe i Dërguari i Zotit e ka ndaluar debatimin, nëse nuk është në çështjet e pëlqyera. Ai thotë: “Devijimi i një populli të udhëzuar fillon kur ata debatojnë mes tyre“. Disa nga të pare tanë kanë thënë: “Kur Zoti ia do të mirën dikujt, i hap portën e punës dhe i mbyll derën e debatimit. Kur Zoti ia do të keqen dikujt, ia mbyll portën e punës dhe i hap portën e debatimit“.
Durimi në kërkim të diturisë:
Zoti i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij kanë urdhëruar për durim në shumë vende.
Zoti thotë në Kuran: “Dhe ti ji i durueshëm, se Zoti nuk ua humb shpërblimin bamirësve“. Zoti i ka lavdëruar durimtarët e sinqertë, të cilët durojnë për kënaqësi të Zotit, i Cili thotë në Kuran: “Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam, ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundimin më të mirë“. Durimi gjatë bindjes së Zotit (gjatë kryerjes së adhurimve) është nga manifestimet më të dukshme, për të cilat Allahu na ka urdhëruar, Ai thotë: “Ai është Zot i qiejve dhe i tokës dhe çka ka midis tyre, pra Atë adhuroje, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i durueshëm.
Etja për dituri:
I Dërguari i Zotit Muhamedi a.s e ka vlerësuar pangopshmërinë në dituri dhe dëshirën për të si nevoja të besimit dhe cilësi të besimtarëve, madje ka lajmëruar, se kjo është rruga e besimtarit, derisa ai të hyjë në Xhenet”. Hasan Basriu u pyet: ” A është logjike që një njeri tetëdhjetë vjeçar të kërkojë diturinë”? Ai tha: “Po! Nëse është logjike të jetojë”.6 Ibnu Bistamit i thanë: “Sa shumë i jep rëndësi hadithit?! Ai tha: “Vallë a nuk dua të jem unë nga familja e të Dërguarit të Zotit?!”7
Shoqërimi i dijetarëve dhe sakrifica në nxënien e dijes:
Nga këshillat që Lukmani, i urti, i ka bërë të birit, është: “Biri im! Shoqëroji dijetarët dhe ndiqi pas. Zoti ringjall zemrat me dritën e urtësisë ashtu siç ringjall tokën e vdekur me shiun e pareshtur”.8 Kur Muadh ibn Xhebelit iu afrua vdekja, ai tha: “Mirësevjen ti o vdekje! Mirë se erdhe o mik, por ke ardhur në kohë skamjeje! O Zoti! Ti e di se unë nuk kam dashur të jetoj në këtë jetë për të shijuar gurgullimën e lumenjve, as për të mbjellë pemë, por kam dashur të qëndroj në këtë jetë për shkak të mundimit në një natë të gjatë (namazi i natës) , për etjen në një ditë të nxehtë (agjërimi i ditës) dhe ndjekjen e dijetarëve, duke udhëtuar për tek tubimet e përmendjes së Zoti (tubimet e diturisë)“.9 Said ibnu Xhubejr thotë: “Njeriu është dijetar, përderisa vazhdon të mësojë, ndërsa kur të braktisë mësimin me arsyetimin se i mjafton ajo që ka mësuar, është më injoranti”.10
Paturpësia në kërkim të diturisë:
Shumë herë kërkuesi i diturisë qëndron i paqartë dhe i dalldisur para shumë çështjeve. Në këto raste ai e ka për detyrë, që të pyesë të diturit, por këtë ta bëjë duke u sjellë mirë dhe duke qenë i thjeshtë me ta. Zoti ka thënë: “Ju pyesni dijetarët nëse nuk dini“.
Aishja r.a. thotë: “Zoti i mëshiroftë gratë e Ensarëve! Ato nuk i pengonte turpi që të pyesnin rreth çështjeve të fesë së tyre”.11 Abdullah ibn Mesudi thotë: “Shtimi i diturisë është kënaqësi, ndërsa hapi i parë i diturisë është pyetja”.12 Ibnu Abbasin e pyetën: “Si e ke fituar diturinë?” Ai tha: “Me gjuhë që pyet dhe mendje që logjikon”13 Ibnu Shihabi thotë: “Dituria është magazina, çelës për to është pyetja”.14
Vlera e diturisë:
Për vleren e diturs gjejmë ajete , hadithe dhe thënje të dijetarve ,ku na nxisin për dituri. Ajetet e para që ju shpallën Pejgamberit tonë Muhamedit a.s. ishin pesë ajetet e para së sures “Alak”, “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë).(Kuran-Alak, 1).18
Urdhri hyjnor “Lexo” nuk i drejtohet vetëm Pejgamberit a.s personalisht, por i drejtohet të gjithë ymetit mysliman. Të gjithë pejgamberet para pejgamberit Muhamed a.s, ngadhënjenin mbi kundërshtarët e tyre me anë të mrekullive. Musai a.s kishte shkopin e tij, Nuhu a.s tufanin që shkatërroi armiqtë e tij, Hudi a.s. erën e fuqishme (stuhinë) etj… Kurse ymeti i Muhamedit a.s. triumfoi dhe do të triumfojë vetëm me dije dhe arsim. Edhe në jetën e Pejgamberit a.s u përjetuan mrekulli, por ato nuk ishin boshti i ndryshimit, nuk ishin përcaktuesit e triumfit dhe fitores. Ato ishin vetëm për ta mbështetur moralisht Pejgamberin a.s dhe myslimanët. Ndryshimi dhe triumfi për besimtar do të vijë ditën kur ata të kapen fort pas fesë së tyre, t’i përkushtohen asaj, të arsimohen dhe t’i vënë në jetë dijet që kanë marrë.
Kaptina e dytë që iu shpall Profetit a.s është surja Kalem, që do të thotë pendë shkrimi në veçanti, apo mjet shkrimi në përgjithësi. Vetë emri i sures “Kalem” flet mbi këtë. Thotë Zoti në ajetin e parë të kësaj sureje:
“Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë ” (Kuran-Kalem, 1)15
Vetë fjala “i ditur” përmendet 224 herë në Kuranin famëlartë. Emri i Zotit “i Gjithëdituri” përmendet 185 herë, “dija” përmendet 375 herë, 16 në sahihun e Buhariut, gjendet një kapitull në vete i titulluar “dija” që përmban njëqind e dy hadithe ku përmendet fjala dije, dituri. Pejgamberi a.s. në një hadith të transmetuar nga Muslimi ka thënë: “Zoti do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet njeriut që ndjek rrugën për të kërkuar dituri në këtë botë.”17 Këto fjalë të çmuara nxjerrin në pah vlerën e diturisë dhe nxisin studimin e saj. Ajetet kuranore dhe hadithet që tregojnë qartë rëndësinë dhe vlerën e diturisë dhe ato që nxisin për kërkimin dhe përvetësimin e saj, janë të shumta.
Sikur të kishte diçka më të vlefshme sesa dituria, atëherë Zoti i Lartësuar do ta urdhëronte të Dërguarin e Tij, a.s., që ti lutej që Allahu t’ia shtonte atë ashtu siç e mësoi të lutej për shtimin e diturisë. Zoti. thotë: … O Zoti im, shtoma diturinë!”( Kuran-Ta-ha, 114).19
(vijon)

(DOBIA E MËSIMIT DHE STUDIMIT) II
“ Mendja e një kombi është arsimi ndersa zemra e tij është edukimi dhe morali përgjithshëm”

Dobitë dhe përfitimet nga dituria:
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush merr rrugën për të mësuar dituri, atij Zoti do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet dhe melekët si respekt për punën që kryen kërkuesi i diturisë shtrinë krahët e tyre mbi të. Për dijetarin kërkojnë falje (istigfar) çfarë ka në qjej dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë.
Dija është rruga që të çon në xhenet-parajsë:
Dija është rruga që të çon në xhenet, bashkëbiseduesi në vetmi, udhëzues drejt mirësisë, ndihma në vështirësi dhe arma më e fortë ndaj armiqve. Ebu Derda ka thënë: “Dituria është jetë për zemrat nga verbërimi, dritë për sytë nga errësira”. Një ymet-popullë që nuk është i interesuar për të fituar dije dhe një rini që nuk bën kërkime dhe hulumtime shkencore, është e vështirë të rimëkëmbet dhe të zhvillohet. Të jesh i suksesshëm në fushën shkencore, të përvetësosh dije dhe njohuri të reja, të merresh me zbulime dhe hulumtime shkencore, është kusht themelor për zhvillimin e çdo populli dhe çdo kombi. Imam Shafiu r.a ka thënë: “Nuk vjen gjë e mirë prej atij që nuk e do diturinë. Prandaj, mos u miqëso me një njeri të tillë, sepse dituria është jeta e zemrave dhe pishtari i arsyes”.22

Vlera e të diturve:
Vlera e dijetarit krahasuar me adhuruesin (atë që bën ibadet) është si hëna në krahasim me planetët e tjerë. Vërtet dijetarët janë trashëguesit e Pejgamberëve dhe Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as dinarë dhe as dërhemë, por kanë lanë trashëgimi diturinë. Kush merr nga ajo (trashëgimi), ka pasur një fat të mirë.”20

Roli i diturisë në aspekt individual dhe atë shoqërorë
Pa dyshim se dituria është një nga kushtet dhe nevojat kryesore për ngritjen dhe përparimin e individit dhe të shoqërisë. Nevoja për dituri dhe njohuri asnjëherë nuk shuhet; ashtu si ndihet nevoja për ushqim, ashtu është edhe dituria ushqim i mendjes dhe i shpirtit.
Pejgamberit a.s, që kur i zbritën fjalët e para “Lexo” dhe deri në fund të jetës, i qëndroi besnik mësimit dhe i mësoi metit(pasuesve) të tij besimin e pastër në Zotin. Mësimi dhe arsimimi në Islam janë përcaktuar me fjalën e Zotit në Kuranin famëlartë, me hadithet e Pejgamberit a.s. Të gjithë myslimanët janë urdhëruar për të mësuar dhe studiuar prej djepit deri në varr.”
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mësimi i diturisë është obligim për çdo mysliman dhe myslimane”. 21
Ne e dimë se imani (besimi) është shpirt i fesë, megjithatë Shpallja filloi me “lexo, mëso” dhe me pas me “beso”.
Roli i diturisë në aspektin social, ekonomik dhe shëndetësor:
Një studim vërteton rëndësinë e diturisë dhe të mësuarit si dhe dobitë e shumta shëndetësore (mjekësore) dhe psikologjike që përfiton studiuesi. Një studim ka zbuluar se të arsimuarit janë më pak të ekspozuar ndaj depresionit ndërsa kanë shumë më shumë mundësi për realizim të objektivave dhe disponojnë me shëndet më të mirë. Arsimimi – thonë hulumtuesit- i ndihmon njeriut në menaxhimin sa më efikas të jetës së vet dhe kapërcim sa më të lehtë të problemeve, si: papunësia, divorci, vdekja e te afërmve, shoqërisë, etj.
Shkathtësitë e përfituara gjatë mësimit njeriun e ndihmojnë të kuptojë se ai ka nevojë edhe për më shumë shkathtësi të tjera sikur që ka nevojë të përfitojë nga shkathtësitë e të tjerëve. Xhon Bajnz, Drejtor i Qendrës së Hulumtimeve pranë Institutit Arsimor të Britanisë, tërheq vëmendjen se hulumtuesit në këtë studim mëtuan (patën për qellim) zbulimin e dobive dhe përfitimeve që nuk kanë të bëjnë me anën ekonomike. Është shumë e rëndësishme – vazhdon Bajnz- të nxiten qytetarët për mësim ngase ka të mira shtesë, jashtë përfitimit ekonomik;
I arsimuari shumë më lehtë bën zgjidhjen e problemeve të ndryshme jetësore.
Ekipi hulumtues i studimit në fjalë porosisin që arsimimit të shoqërisë t’i kushtohet rëndësi e posaçme përderisa rekomandojnë që qytetarëve t’iu jepen shanse sa më shumë për arsimim ngase kështu do të kemi një shoqëri me një nivel më të lartë arsimor dhe rrjedhimisht edhe me një jetë më të mirë. E, si studime paraprake për çështjen në fjalë, do të veçonim atë që përmend se një prej dobive të arsimimit është edhe ruajtja nga dobësimi mental si shkak i pleqërisë; arsimimi njeriut i jep shëndet trupor dhe mental më të mirë. Studimi në fjalë, siç pamë, vërteton dobitë e shumta të nxënies së diturisë. Dijetarët thuajse çdo ditë zbulojnë dobi të reja të diturisë.
Sa madhështor ndihemi kur meditojmë zbulesën islame, e cila jo rastësisht zgjodhi të shpallej me imperativin: LEXO! Në ajetin e parë të shpallur nga Allahu i Gjithëditur qëndron:
Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).23
Ky ajet shumë qartë aludon se Islami është fe e diturisë. Nëse shfletojmë Kur’anin Fisnik, do të gjejmë se fjala dituri ILM me derivatet e saj është përmendur jo më pak se 500 herë, gjë që flet për rëndësinë që i kushtohet diturisë në Islam. I Dërguari i Zotit, Muhammedi, a.s., diturinë e obligoj për çdo musliman, mashkull apo femër qofte. Ndersa nxitjen e hulumtuesve të sotshëm për të krijuar mundësi për studim dhe mësim, Islami e ka parapri me plot 14 shekuj. Kjo e vërtet dëshmon për madhështinë e Fes Islame. Zoti i Madhëruar thotë:
…Thuaj:”A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Kuran-ez-Zumer,9.)24
Në vazhdim po përmendin nje thënje të h.Aliu r.a ku thotë: “O ju të cilët e konsideroni veten të ditur, veproni me dituri, sepse dijetarë është personi i cili vepron me diturinë e tij. Do të vjen një gjeneratë që do të kenë dituri por ajo dituri nuk do të jetë çelësi kalimtar, veprat e tyre do të jenë në kundërshtim me diturinë e tyre. Mbrendshmëria e tyre do të jetë në kundërshtim me pamjen e tyre të jashtme. Dhe kur të qëndrojnë në mekteb-mesimtore, njëri ndaj tjetrit do të behët mendjemadh, dhe njëri me tjetrin do të hidhërohen dhe nuk do të dëshirojnë të qëndojnë njëri me tjetrin në atë mekteb-mësimtore. Të tillëve Zoti nuk do t’ua rritë punën e mirë. 25
Dijetar i vërtetë është ai që nuk i bën njerëzit të dëshpëruar ndaj mëshirës së Zoti dhe nuk ju jep lehtësime kur është në pytje harami dhe mosdëgjushmëria ndaj Zoti dhe nuk i bën ata që të mendojnë që dënimi i Zoti nuk do ti kapë, dhe ai i cili nuk e lëshon Kur`anin për dëshirat e të tjerëve.
Nuk ka dobi dhe mirësi në adhurimi e të cilin nuk i ka bazat në dituri, dhe nuk ka dituri nëse nuk bazohet në një kuptim të thellë dhe të saktë, dhe ska përfitim nga leximi që nuk është i përcjellur nga të menduarit. 35(Nadretul-Ne`im 8/3149)
“Dituria e përjeton veprën, nëse vepra nuk i përgjigjet, dituria e braktisë”.26
Në rast se nuk do të mendojmë për edukimin dhe arsimimin e ardhshëm, Agnlia rrezikon të bjerë në kurthin e varfërisë” (Robin Kook)
E lusim Zotin të na japë dije dhe të na bëjë të dobishëm në shoqërinë ku jetojmë! Amin!.

_____________________________________________
Fusnotat:
1. Kur`an sure Muhamed 19. perkthim i Sherif Ahmedit
2. Kur`an sure Ez-Zumer 9. perkthim i Sherif Ahmedit
3. 40 Hadithe te Imam Neveviut.
4. Kur`an sure Saff 3. perkthim i Sherif Ahmedit
5. Kur`an sure Ahzab 58. perkthim i Sherif Ahmedit
6. po aty
7. po aty
8. po aty
9. po aty
10. po aty
11. Kuran sureLlukman 18. perkthim i Sherif Ahmedit
12. Ne Sunenin e Ebu Davudit 3656
13. po aty
14. po aty
15. po aty
16. po aty
17. po aty
18. Kur`an sure Alak 1. perkthim i Sherif Ahmedit
19. Kur`an sure Kalem 1. perkthim i Sherif Ahmedit
20. Program ne internet : Kerko fjalen ne Kur`an.
21. Ne Sunenin e Ebu Davudit 3656
22. Kur`an sure Ali Imran 18. perkthim i Sherif Ahmedit
23. Kur`an sure Taha 114. perkthim i Sherif Ahmedit
24. Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.
25. Ibn Maxhe Mukadime
26. Ne Sunenin e Ebu Davudit 3656
27. Kur`an sure Alak 1. perkthim i Sherif Ahmedit
28. Kur`an sure Zymer 9. perkthim i Sherif Ahmedit
29. Kejfe tahfidhurl Kur`an el kerijm 1/16
30. Nadretul Neim 8/3149

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit