16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Disa rregulla të përdorimit të Skype dhe Facebook

Më të lexuarat

Në kohën e fundit është përhapur me të madhe përdorimi i një programit Skype dhe Facebook për komunikim të njerëzve mes tyre. Përdorimi i këtij programi dhe programeve të ngjashme me të është bërë gjë e rëndomtë dhe e përditshme, saqë të rralla janë ato shtëpi në të cilën nuk ka kompjuter dhe lidhje të internetit.

Përdorimi i këtij programi në masë të madhe mes njerëzve ka shkaktuar jo pak rënie në gabime gjatë përdorimit të tij. Këto gabime dikush i bën pa qëllim, e disa i bëjnë me qëllim. Andaj, në këtë shkrim do të orvatemi të përmendim d i s a prej këtyre gabimeve dhe të japim këshillë në lidhje me to. Do të fillojmë me hapin e parë të përdorimit të Skype apo Facebook-it:

1-Kontakti i ri.

Gjatë shtimit të kontaktit të ri në listën e shokëve dhe miqve duhet të kesh parasysh disa gjëra:

a) Nëse je mashkull prano vetëm  meshkujt në listën për komunikim.

b) Nëse je femër prano vetëm femrat në listën për kontakt dhe komunikim.

c) Këtë e themi sepse komunikimi mes meshkujve dhe femrave në internet zakonisht sjell pasoja të këqija për dy palët. Andaj, nëse dëshirojmë të kontaktojmë dhe komunikojmë me gjininë tjetër duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të ruhemi nga gabimi dhe rënia në gjëra që nuk kanë epilog të mirë.

Ne ju këshillojmë, që nëse detyroheni të kontaktoni me gjininë tjetër, të mundoheni maksimalisht që të jenë të pranishëm njerëz të tjerë dhe mos të ketë vetmi. Ndokush mund të ndihet ngushtë nga regjistrimi i kontaktit të ri, andaj preferohet që së pari ta lajmërojmë me dërgim të emailit dhe kërkimit të lejes e pastaj ta regjistrojmë.

2- Selami.

Shumë herë futemi drejtpërsëdrejti në biseda pa filluar sipas edukatës islame e ajo është fillimi me selam, duke thënë: Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Nëse e ke mik dhe nuk e ke parë për një kohë të gjatë, është pjesë e edukatës islame që ta pyesim për gjendjen e tij, e jo sikurse ndodh shumë herë, me hyrjen në Skype apo Facebook fillon drejtpërsëdrejti me bisedë rreth ndonjë teme që të preokupon vetëm ty. Pra, harron dhënien e selamit dhe pyetjen për hallin dhe gjendjen e tij. Kjo që thamë për fillimin e bisedës vlen edhe për përfundimin e tij. Është pjesë e komunikimit të mirë përdorimi edhe i disa shprehjeve të bukura dhe të këndshme gjatë fillimit të bisedës dhe përfundimit të saj, sepse këto gjëra e gëzojnë bashkëbiseduesin.

3- Mos të zgjasim bisedën në përshëndetjet.

Këshilluam që bisedën mos ta fillojmë pa selam dhe pa pyetur dhe u interesuar për gjendjen e bashkëbiseduesit, mirëpo kjo assesi nuk duhet t’i kalojë të gjitha parametrat e bisedës normale dhe në suaza të pranuar. Nuk duhet të marrim rolin e prokurorit dhe inspektorit dhe të fillojmë të pyesim bashkëbiseduesin sikurse të jetë në stacion policor, por duhet të mjaftohemi me pyetjet bazë dhe standarde. Nëse e zgjasim shumë bisedën duke e pyetur për çështje banale dhe të përditshme, kjo e mërzit atë dhe nuk sjell ndonjë fryt të dobishëm në bisedë.

4- Mos harxho kohën e bashkëbiseduesit tënd.

Për disa djelmosha dhe vasha koha është flori e për disa dhé, pa vlerë. Muslimani nuk duhet ta harxhojë kohën e vet në gjëra të kota, sepse është shumë me vlerë; andaj, në vend që ta harxhosh kohën në gjëra të padobishme, mund ta shfrytëzosh në gjëra që të bëjnë dobi në ahiret, e nëse nuk e shfrytëzon në këtë mënyrë, atëherë së paku shfrytëzoje për çështje të dynjasë. Andaj, kur të hysh në bisedë me ndonjë vëlla në Skype apo Facebook, futu drejtpërsëdrejti në temën të cilën dëshiron të bisedosh, debato dhe merr mendimin e tij dhe përfundo komunikimin.

Assesi nuk lejohet që Skype apo Facebook- i të bëhet shkak dhe mjet i humbjes dhe harxhimit të kohës kot. Për këtë, hulumto njeri i cili kur hyn në Skype apo Facebook edhe ai kujdeset për kohën dhe i dhimbset ta harxhojë në gjëra të kota dhe pa vlerë.

Nuk themi se të gjitha bisedat duhet të jenë serioze, sepse kjo nuk është e mundshme, mirëpo kemi për qëllim që mos ta përdorim këtë mjet vetëm për të humbur kohën, për të gjetur njerëz si ti që kanë kohë për ta harxhuar kot. Pastaj dikujt edhe i vjen turp të thotë se nuk ka kohë dhe ka detyra dhe angazhime e të ndërpresë bisedën me ty, andaj ti duhet të jesh ai që duhet ta ketë parasysh këtë gjë.

5- Respekto dëshirën e palës tjetër.

Shumë herë vërejmë se njerëzit në Skype apo Facebook vendojnë shenjën “i zënë”, kurse ne nuk e respektojmë këtë shenjë dhe i nisim letër me bisedë, duke i thënë: e di se je i zënë, mirëpo kam një çështje për të cilën dëshiroj të bisedoj, apo kam diçka që dëshiroj të lajmëroj”. Ose i thotë: “e di se je i zënë, mirëpo më duhesh një minutë” etj. Kjo vepër është në kundërshtim me porosinë Kur’anore: “…e nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni …”. (En-Nur: 28).

Ne duhet të kuptojmë se njeriu që ka vendosur këtë shenjë dëshiron të punojë rehat pa e penguar dikush dhe nuk duhet ta sjellim punën që të na thotë: më fal se po më pengon!

Ajo që na habit disa herë është fakti se dikujt kjo sjellje i pengon, madje edhe hidhërohet dhe të qorton nëse nuk i përgjigjesh, dhe nuk i shkon ndër mend të qortojë vetveten, sepse nuk respekton shenjën që ke vendosur e as kujdesin që ke për kohën.

6- Ki mendim të mirë për miqtë tuaj.

Shpeshherë na ndodh që të kemi komunikim të keq me njëri-tjetrin nëpërmjet Skype apo Facebook-it dhe atë për shumë shkaqe. Me dikë për shkak të mos respektimit të shenjave të komunikimit, ose për shkak të mosnjohjes së mirë të përdorimit të kompjuterit apo internetit etj. Kjo gjendje shpesh bëhet shkak për mendim të keq ndaj mikut tonë. Andaj kur e takon të nesërmen i thua: dje të fola, mirëpo nuk më dhe përgjigje?! “Të fola disa herë e ti aspak nuk më përgjigje” etj.

Këto shprehje tregojnë gjykimin tënd ndaj mikut tënd para se të njohësh tërësisht rrethanat në të cilat ka qenë ai, është rezultat i mendimit të keq për vëllanë tënd, sepse gjykon se ai nuk ka dashur të përgjigjet dhe me këtë vepër nuk ka treguar respekt ndaj teje! Duhet të kemi mendim të mirë për miqtë tanë vazhdimisht, sepse ka mundësi të ketë shumë shkaqe për mungesë të përgjigjes, lidhjet telefonike të dobëta, interneti i dobët, kompjuteri i vjetër, mungesa e dijes mbi përdorimin e kompjuterit etj. Shumë herë ndodh që të jesh jashtë lidhjes, kurse emri yt mbetet e figuron sikurse je në lidhje. Për këto shkaqe duhet të kemi mendim të mirë për vëllezërit tanë dhe në vend që të gjykojmë dhe flasim me hidhërim t’I themi: “a të arritën fjalët e mija mbrëmë?”, “çka ndodhi se nuk munda të komunikoj me ty?” e kështu me radhë.

7- Kërko leje para se të bëhesh i treti në bisedë.

Ndodh disa herë që të bisedojmë me dikë dhe të futet i treti në bisedë, vallë kjo sjellje është e saktë?

Në këto raste duhet kërkuar leje, sepse ndoshta biseda që janë duke bërë këta dy është private dhe intime  dhe nuk kanë dëshirë që t’i di këto gjëra një i tretë, andaj mos i rehato dhe mos u bë shkak për ta ndierë veten ngushtë. Nëse përsëriten shpesh këto sjellje, tjetri do të detyrohet që të bllokojë komunikimin me ty. Andaj, zbato këtë sjellje islame, kërkimin e lejes gjatë hyrjes në biseda të huaja.

8- Njerëzit kanë gjëra private andaj mos ndërhy në privaticitetin e tyre.

Nuk duhet të jemi shumë kureshtarë dhe të mundohemi të dimë të gjitha gjërat për miqtë tanë, pa marrë parasysh se a janë të rëndësishme dhe të dobishme këto gjëra ose jo dhe pa marrë parasysh se këto pyetje a i paraqesin problem ose jo. Duhet të mos të fusim hundët gjithkund, sikurse thotë populli ynë. Nuk duhet të ngulim këmbë me pyetjet tona që të dimë si quhet bashkëbiseduesi ynë, çfarë punon, nga është etj, nëse ai është dakord të na tregojë nuk prish punë, mirëpo nëse i rrëshqet përgjigjes, nuk duhet të këmbëngulim.

Disa vërejtje

Vërejtja e parë: Këto këshilla kanë të bëjnë me kontaktet tona të përgjithshme dhe ndoshta nuk merren në konsideratë gjatë kontakteve tona me miqtë tanë shumë të afërt, sepse miqësia e gjatë dhe e afërt i tejkalon disa herë këto përkufizime.

Gjithashtu duhet të dimë se gabimet dhe rrëshqitjet janë pjesë e natyrës tonë njerëzore dhe normalisht që do të kemi mangësi dhe të meta, pasi “ai që kërkon shok pa të meta mbetet pa shok”.

Vërejtja e dytë: Inkurajojmë secilin musliman që rri gjatë në internet, ka kontakte të shumta dhe me njerëz të ndryshëm dhe ka përvojë të gjatë në përdorimin e Skype apo Facebook-it, të na ofrojë këshilla të tjera për përdorim sa më efikas të këtij programi dhe për mënyrat se si mund ta shfrytëzojmëpër thirrje në fe të Allahut.

Vërejtja e tretë: Kemi dëgjuar dhe lexuar disa tregime trishtuese si pasojë e shfrytëzimit të keq të internetit dhe Skype apo Facebook-it në veçanti, andaj inkurajojmë ata që kanë dëgjuar tregime të këtilla apo kanë lexuar gjëra të tilla, t’i shkruajnë këto tregime dhe t’i publikojnë, për të qenë shembull dhe mësim për tjerët.

Allahu na pasuroftë me besim të fuqishëm dhe vepra të mira, na bëftë çelës të veprave të mira dhe mbyllës të veprave të këqija. Amin./albislam/kohaislame.com

Shkruan: Bekir HALIMI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit