9.1 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Disa gabime në akide – Shejh Bin Baz

Më të lexuarat

Drejtuar të gjithë atyre që i shikojnë këto tek muslimanët. Allahu ju dhëntë suksese dhe ju shtoftë dijen dhe besimin! Amin!

Abdulaziz bin Abdullah bin Baz

Eselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Më kanë njoftuar se shumë njerëz bëjnë gabime të shumta në besim dhe disa gjëra që ata i konsiderojnë sunet, janë bidate.

E prej tyre:

Mohimi i lartësisë së Allahut dhe qëndrimit të Tij mbi Arsh. Këtë çështje e ka sqaruar Allahu i Lartësuar në Librin e Tij fisnik: “Vërtetë, Zoti juaj, Allahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arsh.” (Araf, 54) Këtë fakt Allahu e ka përmendur në shtatë ajete të Librit të Tij madhështor. Imam Maliku, kur është pyetur për këtë, ka thënë: “Qëndrimi i Allahut mbi arsh është i njohur. Mënyra se si qëndron nuk dihet, ndërsa besimi në të obligim.” Kështu janë shprehur edhe dijetarë të tjerë të gjeneratave të para. Kuptimi i “istiua-së” (qëndrimit të Allahut mbi Arsh) nga aspekti gjuhësor është i njohur, e ai është: Lartësia. Allahu i Lartësuar thotë: “Pra, i gjithë sundimi është në Duart e Allahut, të Lartit, të Madhëruarit!” (Gafir, 12) “E nuk lodhet duke i ruajtur (mirëmbajtur), pasi Ai është i Larti, Madhështori. (Ky ajet quhet edhe “Ajetul-Kursij”)” (Bekare, 255) “Te Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon.”
(Fatir,10)

Të gjitha këto ajete tregojnë për lartësinë e tij dhe se Ai qëndron mbi Arsh, mbi të gjitha krijesat. Këtë e pohon ehli suneti prej shokëve të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e të tjerëve.

Është obligimi ynë t’i besojmë këto dhe t’i këshillojmë të tjerët në këtë, si dhe t’ua tërheqim vërejtjen prej asaj që është në kundërshtim me këtë.

Gjithashtu, prej gabimeve është të ndërtohen xhamitë mbi varreza, të falurit në këto xhami, si dhe vendosja e kubeve mbi to. Të gjitha këto janë shkaqe që të shpien në shirk. Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka mallkuar çifutët dhe krishterët për këtë dhe ka paralajmëruar nga pasimi i veprës së tyre duke thënë: “Allahu i mallkoftë çifutët dhe të krishterët që i shndëruan varrezat e pejgamberëve të tyre në faltore.” (Buhariu dhe Muslimi) “Vini re! Ata që ishin para jush i merrnin varrezat e pejgamberëve dhe njerëzve të tyre të mirë si xhamia. Vini re! Mos i shndërroni varrezat në xhamia! Unë ju ndaloj nga kjo.” (Muslimi) Muslimi, gjithashtu, transmeton nga Xhabir bin Abdullah Ensari të ketë thënë: “Pejgamberi i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar që të ngrihet varri, të ulet mbi të dhe që të ndërtohet mbi të.” Hadithet me këtë kuptim janë të shumta.

Muslimanët e kanë obligim të kenë kujdes dhe të këshillojnë njëri-tjetrin për tu larguar prej kësaj vepre, për arsye se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka tërhequr vërejtjen prej saj, pasi kjo është nga shkaqet që të shpien në adhurimin e të varrosurit, në lutjen drejtuar atyre, në kërkimin e ndihmës prej tyre, kërkimin e fitores… e të tjera lloje të shirkut.

Dihet se shirku është nga mëkatet më të mëdha, më të rënda dhe më të rrezikshme, prandaj është obligim të tërheqim vërejtjen prej tij, shkaqet dhe shtigjet që shpien në të, ashtu sikurse Allahu ua ka tërhequr vërejtjen nga ai në ajete të shumta. Prej tyre përmendim: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përveç këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa, 48) “Pasha Alahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje, që nëse i bën shok (Allahut), veprat e tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.” (Zumer, 65) “E sikur t’i përshkruajnë shok Zotit (edhe ndonjë nga këta) kishte për t’iu shkuar huq ajo që kanë vepuar.” (En’am, 88) Ajetet me këtë kuptim janë të shumta.

Prej llojeve të shirkut të madh është edhe lutja drejtuar të vdekurve dhe jo të pranishmëve, xhinëve, idhujve, drunjëve, yjeve dhe të kërkuarit ndihmë prej tyre apo të kërkuarit prej tyre t’i shërojnë të sëmurët dhe fitoren ndaj armiqve. E kjo është feja e idhujtarëve të parë nga kurejshët e të tjerët, siç thotë Allahu i lartësuar: “Ata përveç Allahut adhurojnë çdo gjë që nuk bën as dobi, e thonë: ‘Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu!” (Junus, 18) ” Andaj ti adhuroje Allahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij! Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut. S’ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë, atë që është gënjeshtar, jobesimtarë.” (Zumer, 2-3) Ajetet me këtë kuptim janë të shumta.

Të gjitha ato tregojnë se idhujtarët e parë e dinin se Allahu është Krijues, Furnizues që sjell dobinë dhe dëmin, por adhuronin idhujt e tyre që të ndërmjetësojnë për ta tek Allahu dhe që t’i afrojnë ata por, Allahu i Lartësuar i konsideroi si jobesimtarë dhe i gjykoi si të tillë dhe idhujtarë duke e urdhëruar Pejgamberin e tij t’i luftoj ata derisa të adhurohet vetëm Allahu, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Luftoni ata derisa të mos mbetet idhujtari (besim i kotë), e i tërë adhurimi të bëhet vetëm për Allahun.” (Enfal 39)

Dijetarët për këtë kanë shkruar libra të shumtë dhe sqaruan realitetin e Islamit me të cilin dërgoi Allahu Pejgamberët e Tij dhe zbriti me të Librat e Tij. Aty sqarohen feja e injorancës, besimet dhe veprat e tyre që kundërshtojnë ligjin e Allahut. Dijetarët që kanë shkruar për këtë janë Abdullah bin Ahmed, imami i njohur Ibn Huzejme në librin e tij për Teuhidin dhe Muhamed bin Uedah, si dhe dijetarë të tjerë. Prej librave më të mira të shkruara janë ajo që ka shkruar Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) në librat e tij të shumta e sidomos në librin e tij të shkurtër “ El-Kaide el-Xhelileh fit-Teuessuli uel- Uesileh” Gjithashtu edhe atë që  e ka shkruar Abdurrahman bin Hasen bin Shejh Muhamed bin Abduluehab në librin e tij “ Fet’hul Mexhid sherh kitab et-Teuhid”

Prej veprave të idhujtarisë së shëmtuar është edhe të betuarit në dikë tjetër përveç Allahut, si të betuarit në Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) apo në dikë tjetër prej njerëzve, të betuarit në emanet dhe kjo e tëra është prej çështjeve të shëmtuara dhe të ndaluara të idhujtarisë. Për fjalën e Pejgamberit  (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Ai që betohet në diçka tjetër përveç Allahut, vetëm se ka bërë shirk.” (Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu me zinxhir transmetuesish të saktë nga Abdullah bin Umer bin Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai që betohet në dikë tjetër përveç Allahut ka bërë shirk apo kufër.” Gjithashtu është vërtetuar se Pejagmaberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “ Ai që betohet në emanet nuk është prej nesh.” Hadithet për këtë janë të shumta.

Betimi në dikë tjetër përveç Allahut, sipas dijetarëve, është shirk i vogël, por është obligim të tërhiqet vërejtja nga ai, pasi është shkak që të çon deri te shirku i madh, e në këtë bëjnë pjesë edhe shprehjet: “Atë që do Allahu dhe do filani”; ”Po të mos ishte Allahu dhe filani”; “Kjo është prej Allahut dhe filanit”. Është obligim të thuhet: “Atë që do Allahu pastaj  filani”; “Po të mos ishte Allahu pastaj filani”; “Kjo është prej Allahut pastaj prej  filanit”. Të gjitha këto për shkak se është vërtetuar se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “ Mos thoni: çfarë do Allahu dhe filani, por thoni: çfarë do Allahu pastaj filani!”

Gjithashtu, prej çështjeve të ndaluara që i përkasin idhujtarisë dhe në të cilat bien shumë njerëz janë: varja e hajmalive, rruazave prej eshtrave apo “uedea” dhe të tjera e që i përmbledh fjala   hajmali. Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai që  e var një hajmali, mos ia plotësoftë Allahu për atë që e ka varur dhe ai që varë një “vedea” (lloj hajmalie) mos i dhëntë Allahu rehati!” Gjithashtu ka thënë: “Vërtet, rukjet (leximet që i bëhen të sëmurit), hajmalitë dhe “tiuelet” (hajmali që e bëjnë gruan të dashur tek burri dhe ansjelltas), janë shirk.” Këto hadithe përfshijnë hajmalitë dhe rruazat që përmbajnë Kuran dhe të tjera, pasi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka përjashtuar asgjë prej tyre dhe se varja e hajmalive nga Kurani është shkak që shpie për të varë të tjerat, prandaj është e obliguar të ndalohen të gjitha për t’i mbyllur shtigjet që shpien te shirku, si dhe për ta realizuar teuhidin (njëshmërinë) duke punuar me përmbajtjen e përgjithshme të haditheve. Përveç rukjes, ngase Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka veçuar ato në të cilat nuk ka shirk, për të cilat thotë: “Nuk ka gjë të bëhet rukje, përderisa nuk është shirk.” Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ka bërë rukje disa shokëve të tij, ashtu që të bëhet rukje. Nuk ka ndonjë problem pasi ajo është nga shkaqet e lejuara, nëse është  prej Kuranit Fisnik ose nga ajo që  është vërtetuar prej sunetit, ose prej fjalëve të qarta që në to nuk ka shirk apo diçka të ndaluar.

Prej gjërave të shëmtuara dhe risive është festimi i meuludit (ditëlindja) qoftë ajo ditëlindja e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) apo dikuj tjetër. Kjo për arsye se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ka bërë atë e as udhëheqësit e drejtë pas tij e as sahabët e tjerë (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e as pasuesit e tyre më të mirë gjatë tre shekujve të lavdëruar. Ai është shpikur në shekullin e katërt, për shkak të fatimive dhe të tjerëve nga shiitët e pas tyre e kanë vepruar disa prej ehli sunetit, për shkak të injorancës ndaj dispozitave fetare dhe duke pasuar verbërisht disa nga bidatxhinjtë (risimtarët).

Prandaj, është obligim të kemi kujdes që të mos veprojmë pasi meuludi është nga bidatet e shëmtuara që hyjnë në fjalët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kini kujdes nga çështjet e shpikura, pasi çdo shpikje (në fe) është risi e çdo risi është humbje.“ “Ai që shpik në çështjen tonë atë që s’është prej saj, është i refuzuar.” (Buhariu dhe Muslimi) Gjithashtu thotë: “Ai që punon një vepër që nuk përputhet me punën tone, ëshë i refuzuar.” (Muslim) “E më pas, fjala më e mirë është Fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe çështjet më të këqija janë ato të shpikurat (në fe) dhe çdo risi është humbje.” (Muslimi)

Manifestimi i meuludit është nga shkaqet dhe shtigjet që shpien në shirk dhe ekstremizëm. Obligim është të kujdesemi prej tij, t’i paralajmërojmë të tjerët, të këshillohemi për të qëndruar në sunet dhe lënien anash të asaj që e kundërshton.

Allahut i drejtohem me lutje të na dhurojë sukses neve, juve dhe të gjithë muslimanëve për atë që e do dhe të na dhurojë dije për fenë e tij, sidhe të na përforcojë në të, të na mbrojë ne dhe të gjithë muslimanët nga sprovat e errëta dhe ngacmimet e djallit! Ai është që ndihmon dhe  ka mundësi ta bëjë këtë.

Eselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

 

Përktheu: Driton Lekaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit