13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Disa fjalë rreth shirkut

Më të lexuarat

Fjala shirk në gjuhën arabe rrjedh nga fjala “shereke” që do të thotë   shoqërim. Edhe shirku e ka të njëjtin kuptim, pra t`i shoqërosh Allahut dikë tjetër në adhurim, pa marrë parasysh a është ai që ti e adhuron së bashku me Allahun enjgjëll, profet, njeri i mirë (eulija), varrë, gurë apo dru.

Në shirk, hyn gjithashtu edhe nëse i lutet njeriu xhinëve apo mbështetet në yje e kërkon ndihmë nga to si dhe gjëra të ngjajshme.

Kur njeriu u përkushton ndonjë adhurim këtyre, atëherë ai ka bërë shirk, mëkatin më të madh dhe më të rrezikshëm në islam dhe përkundër ai e konsideron veten se është nga më të afërtit e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:

”Me të vërtetë ty (Muhamed) të është shpallur edhe atyre para teje: “Nëse i bën shirk (Allahut), veprat tuaja janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.”

Shumë nga njerëzit, e për fat të keq edhe nga muslimanët, mendojnë se lutja drejtuar të vdekurve (njerëzve të mirë , eulijave, siç i quajnë ata), kërkimi ndihmës , furnizimit dhe bereqetit nga ata, nuk është shirk, por është një nga ritet e muslimanëve që duhet t`i kryejnë me devotshmëri dhe e quajnë atë vepër me termin “uesile” që do të thotë sipas tyre “afrim” tek Allahu me këto vepra.

Këto pretendime janë një nga gabimet më të mdha që mund t`i bëjë njeriu, për shkak se këto vepra të gjitha janë nga shirku dhe kjo ishte edhe feja e mushrikëve të Mekës që Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!) i luftoi ata. Allahu i Lartësuar thotë duke shpjeguar pretendimet e tyre në adhurimin që ua bënin idhujve të tyre: “Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër vetëm se të na afrojnë tek Allahu. S`ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim.” (Zumer, 3)

Mospajtimi mes të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi të!) dhe mushrikëve nuk ishte në besimin e ekzistimit të Allahut, për shkak se edhe mushrikët e besonin Atë si të vetëm por mospajtimi i tyre ishte në veçimin e Tij në ritet dhe adhurimet e tyre që i kryenin. Besimin e tyre se vetëm Allahu është  krijues e vërteton edhe Kurani.

“Po nëse ti (Muhamed) i pyet ata (mushrikët): kush i krijoi qiejt e tokën, kush i nënshtroi (të lëvizin) diellin dhe hënën? Ata do të thonë Allahu…” (Ankebut, 61)

Ata deklaronin ekzistimin e Allahut si i vetmi Krijues, por mendonin se idhujt që i adhuronin janë afrues (ndërmjetsues) tek Allahu, prandaj u quajtën jobesimtarë (mushrikë).

Pra, njeriu nuk bëhet musliman i vërtetë nëse vetëm beson se Allahu është Zot, Krijues i vetëm, po patjetër duhet të besojë se Ai (Allahu), është i vetmi që meriton t`i përkushtohet ndonjë adhurim, qoftë ai : kërkim ndihme, shërim apo zbritje të bereqetit etj., për shkak se këto të gjitha janë nga gjërat që i ka në dorë vetëm Allahu.

Prandaj edhe përkthimi i  fjalës : “La ilahe il Allah” me thënien “ Nuk ka zot tjetër përveç Allahut” është përkthim i mangët dhe jo i plotë, ndërsa domethënia e saktë e kësaj fljalie është: Nuk meriton  askush të adhurohet përveç Allahut.

Kurse ajo që ka ardhur në Kuran për “uesilën”  që ata  i japin kuptim për ta arsyetuar shirkun e tyre,  sikurse në thënien e Allahut : “O ju që besuat kini frikë Allahun dhe kërkoni tek Ai (uesile) afrim, luftoni në rrugën e Tij që të gjeni shpëtim.”

Është për qëllim kryerja e të gjitha veprave e adhurimeve  si namazi, agjërimi, zekati, kurbani etj. dhe këto ibadete konsiderohen gjëra me të cilat afrohemi tek Allahu. Këtu nuk është për qëllim lutja apo kërkimi i ndihmës dhe bereqetit nga eulijat e varret e njerëzve të vdekur.

Në lidhje  me këtë lloj të shirkut Allahu i Lartësuar thotë për popullin e Nuhut (alejhis selam):

“Dhe ata thanë: Ti s’do t’i braktisësh zotat e tu, as që do të braktisësh Uedin, as Suvanë, as Jeguthin, as Jaukun, as Nesrin.” (Nuh, 23)

Është treguar nga një grup selefësh (paraardhësve të devotshëm), në shumë transmetime se këto pesë perëndi qenë njerëz  të dijshëm  dhe adhurues të drejtë të Allahut. Sidoqoftë, kur ata vdiqën, shejtani  u përshpëriti njerëzve të tyre që të tërhiqen dhe të ulen tek varret e tyre. Pastaj shejtani u përshpëriti atyre që erdhën pas tyre se ata duhet t’i marrin ata si idhuj, duke ua zbukuruar atyre idenë se ju do t’i përkujtoni ata dhe me këtë t’i pasoni në sjelljen e mirë. Pastaj shejtani i sugjeroi gjeneratës së tretë se ata duhet t’i adhurojnë këta idhuj krahas Allahut (më të Lartit) dhe se kjo ishte ajo çka stërgjyshërit e tyre bënin.

Kështu që, Allahu iu dërgoi atyre Nuhun (alejhi selam), duke i urdhëruar që ta adhurojnë vetëm Allahun. Mirëpo, asnjë nuk iu përgjigj thirrjes së tij, përveç disave. Allahu e tregoi tërë këtë ngjarje ne kapitullin Nuh.

Ibn Abasi tregon:

“Vërtet, këta janë pesë emra të njerëzve të drejtë prej popullit të Nuhut. Kur ata vdiqën, shejtani iu përshpëriti popullit të tyre që t’u bëjnë statuja atyre dhe t’i vendosin këto statuja në vendtubimet e tyre si përkujtim për ta, kështu që ata vepruan kësisoj.”

Sidoqoftë, asnjë prej tyre nuk i adhuroi këto statuja derisa ata vdiqën, ndërkohë qëllimi i statujave ishte harruar. Pastaj (gjenerata tjetër) filloi t’i adhurojë ata.”

E njëjtë si kjo ka qenë treguar edhe nga  Ebu Xhafer el Bakirit:  “Uedi ( nje nga idhujt e popullit të nuhut) qe një musliman i dashur për popullin e tij. Kur ai vdiq, njerëzit filluan të mblidheshin rreth varrit të tij në vendin e Babilit (Babilonisë), duke qarë dhe vajtuar. Kështu që, kur shejtani i pa ata duke qarë dhe vajtuar për të, ai mori formën e njeriut dhe u erdhi atyre, duke thënë: “Unë shoh se ju jeni duke qarë dhe vajtuar për të. Pra, pse nuk e bëni një figurë të tij (d.m.th. statujë) dhe ta vendosni atë në vendtubimet tuaja që ta përkujtoni atë?” Ata thanë: “Po.” Dhe ata e bënë një figurë të tij dhe e vendosën në vendtubimin e tyre, e cila i përkujtonte ata për të”.

Kur Iblisi i pa ata se si e përkujtonin atë (së tepërmi), ai tha: “Pse nuk e bëni secili prej jush nga një figurë të ngjashme që ta mbani në shtëpitë tuaja, me qëllim që ta kujtoni atë (vazhdimisht).”

Ata thanë: “Po.” Secila shtëpi e bëri nga një figurë të tij, të cilën ata e admironin dhe respektonin dhe e cila i përkujtonte vazhdimisht në të.

Pra, marrja e muslimanëve me besime se eulijatë apo shejhat, të cilët kanë vdekur apo janë gjallë, kanë mundësi të na bëjnë dobi apo dëm si shprëndarjen e bereqetit e të ngjajshme, janë vepra të shirkut dhe këta muslimanë që besojnë gjëra të tilla vetëm se kanë marrë rrugën e popullit ë Nuhut.

Allahu i Lartësuar, në lidhje me lutjen e dikujt tjetër përveç Allahut, thotë: “Dhe me të vërtet xhamitë janë për Allahun e ti mos e lut dikë tjetër me Allahun.”

Pastaj thotë: “Zoti juaj ka thënë:  “Më thërrisni mua, Unë ju përgjigjem. Ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimi ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar  në xhehenem.” (Gafir, 60)

 

Përgatiti: Alaudin Abazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit