Disa fjalë rreth shefatit (ndërmjetësimit)

0

Fjala shefat gjuhësisht rrjedh nga “shef’ë” (çift) që është e kundërta e tekut, kjo për shkak se ai që ndërmjetësohet për të bëhet çift së bashku me atë që ndërmjetëson.

Ndërsa përkufizimet i tij sipas Islamit janë:

1. Kërkimi i ndërmjetësuesit të ndërmjetësojë me të mirë për dikë.

2. Ndërmjetësimi i ndërmjetësit për dikë tjetër që t’i sjellë dobi apo t’i largojë ndonjë dëm.

3. Kërkimi i faljes së mëkateve dhe krimeve për dikë.

Qëndrimi i njerëzve ndaj shefatit

Njerëzit, për sa i përket shefatit, ndahen në tri grupe:

1. Grupi i cili e ka tepruar në qëndrimin e tyre ndaj tij. Këta janë të krishterët, çifutët, eksrtemistët nga sufitë dhe adhuruesit e varrezave. Këta e kanë bërë ndërmjetësimin e atij që e madhërojnë tek Allahu ditën e Gjykimit si ndërmjetësimin e tij në këtë botë dhe besojnë se të madhëruarit e tyre, ndërmjetësimin e kryejnë të pavarur.

2. Grupi që mohoi shefatin si mutezilët dhe hauarixhët. Këta mohuan ndërmjetësimin e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të tjerëve për mëkatarët dhe e veçuan ndërmjetësimin për besimtarët që janë penduar. E këtë (sipas drejtimit të tyre të devijuar) e arsyetuan se ndërmjetësimi e mohon parimin e kërcënimit. Besojnë se kërcënimi duhet të zbatohet ndaj atij që e meriton dhe mohojnë ndërmjetësimin për të qoftë nga Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) apo të tjerët.

3. Një grup mesatar, që pohuan ndërmjetësimin që e pohojnë argumentet nga Kurani dhe Suneti dhe mohuan prej tij atë që e mohojnë argumentet. Shefati ( ndërmjetësimi) i lejuar te ky grup është ai që kërkohet prej Allahut, është për besimtarët pas lejes së Allahut ndaj ndërmjetësuesit dhe pëlqimit ndaj atij që ndërmjetësohet për të. Pra nuk kërkohet prej dikuj tjetër përveç Allahut dhe nuk kryhet vetëm se me lejen dhe pëlqimin e Tij. Ky është ndërmjetësimi me llojet e tij që e pohojnë pasuesit e sunetit, duke e futur në të edhe ndërmjetësimin për mëkatarët. Ndërsa, ndërmjetësimi i ndaluar, sipas pasuesve të sunetit, është ai që e ka ndaluar Islami, e ai është që kërkohet nga dikush në mënyrë të pavarur dhe nuk janë plotësuar në të kushtet e ndërmjetësimit.

Llojet e shefatit

Prej asaj që u përmend ndërmjetësimi është dy llojesh:

1. I lejuar, ku në të janë plotësuar kushtet e e ndërmjetësimit.

2. I ndaluar, ku në të nuk janë plotësuar kushtet e ndërmjetësimit.

Kushtet e shefatit

Ndërmjetësimi i pohuar ka dy kushte, të cilat janë:

1. Leja e Allahut për ndërmjetësuesin. Allahu thotë: “Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, përveç me lejen e Tij?” (Bekare, 255)

2. Pëlqimi ndaj të ndërmjetësuarit. Allahu thotë: “Dhe ata nuk përpiqen të ndërmjetësojnë, përveç për atë me të cilin është i kënaqur Ai.” (Enbija, 28)

Disa të tjerë i shojnë edhe dy kushte:

1. Mundësia e ndërmjetësuesit për ndërmjetësim, siç thotë Allahu i Lartësuar për ndërmjetësuesin që kërkohet kjo prej tij: “Ata që i adhuruan përveç Tij, nuk mund të ndërmjetësojnë (të bëjnë shefat), përveç kush dëshmoi të vërtetën, e ata e dinë.” (Zuhruf, 86) Kështu që, kërkimi i tij prej të vdekurve, d.m.th: të kërkohet prej atij që nuk e posedon.

2. Të jetë i ndërmjetësuari nga muslimanët. Allahu thotë: “Për zullumqarët nuk ka as mik e as ndërmjetësues që i shkon fjala.” (Gafir, 18)

Me zullumqarët në këtë ajet nënkuptohen jobesimtarët, vetën se nga ta veçohet Ebu Talibi.

Në të vërtetë dy kushtet e fundit bëjnë pjesë në dy kushtet paraprake, pasi ndërmjetësimin nuk e posedon askush vetëm se me lejen e Allahut dhe se nuk ndërmjetësohet vetëm se për muslimanin.

Llojet e ndërmjetësimit të lejuar

Allahu thotë: “Thuaj! I tërë shefati (ndërmjetësimi) i takon vetëm Allahut.” (Zumer, 44) Ky ajet tregon se ndërmjetësimi është i shumëllojshëm e më pas do t’i përmendim këto lloje:

1. Ndërmjetësimi i madh, të cilin nuk do ta marrin përsipër as të Dërguarit e vendosur (alejhimus selam) derisa të arrijë te Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili do të thotë: “Unë jam për të.” e kjo ndodh atëherë, kur krijesat shpejtojnë te pejgamberët (alejhimus selam) që të ndërmjetësojnë tek Allahu për ta që t’ua heq vështirësitë e qëndrimit të tyre në vendqëndrimin para Zotit dhe të gjykojë mes tyre. Ky lloj i ndërmjetësimit është i veçantë për Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

2. Ndërmjetësimi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për banorët e xhenetit që të hyjnë në të e edhe kjo është e veçantë për Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ndrëmjetësimi i Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për xhaxhain e tij, Ebu Talibin që t’i lehtësohet dënimi me zjarr, e kjo është e veçantë për Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

3. Ndërmjetësimi për një pjesë të umetit të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pasi që e merituan zjarrin me mëkatet e tyre e Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërmjetëson të mos hyjnë në të. E kjo është për Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të tjerët.

4. Ndërmjetësimi për mëkatarët nga besimtarët që të dalin nga zjarri, në të cilin kanë hyrë me mëkatet e tyre. E kjo është për Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të tjerët.

5. Ndërmjetësimi për disa banorë të xhenetit që t’iu shtohen shpërblimet dhe t’iu rriten gradat. E kjo është për Pejgamberin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të tjerët.

6. Ndërmjetësimi i fëmijëve për prindërit e tyre musliman.

7. Ndërmjetësimi i shehidëve (dëshmorëve) për familjet e tyre.

8. Ndërmjetësimi i besimtarëve për njëri tjetrin.

Përktheu: Driton Lekaj