6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Disa fjalë rreth refleksioneve të ngjarjeve të fundit nëpër botë!

Më të lexuarat

Ajo që ndodhi mbrëmë në Nice të Francës, dje në Medinen e ndritur dhe pardje në Stambollin e bukur, është vërtet një tragjedi e llahtarshme, që, me plot kuptimin e fjalës, faturën e krejt këtyre mizorive padyshim janë duke e paguar fetaria dhe qytetaria e mirëfilltë, e cila ngrihet mbi bazat e tolerancës dhe mirëkuptimit islam.

Kështu që vendosa t’i shkruaj disa fjalë rreth refleksioneve të këtyre ngjarjeve të tmerrshme që tronditën çdo qenie njerëzore…

1. Islamofobët e shfrytëzojnë rastin që nga rrjedhat e kohës dhe të ngjarjeve ta luftojnë fetarinë e myslimanëve në emër të ekstremizmit islam, duke mos harruar se islamofobia është ushqimi kryesor i TERRORIZMIT dhe i izmave të tjerë…

2. Ekstremizmi nuk mund të luftohet e as të trajtohet nga laikët, sepse ata nuk bëjnë dallim ndërmjet fetarisë dhe ekstremizmit.

3. Ekstremizmi nuk është problemi i vetëm i shoqërisë në botë, edhe pse nuk mund të mohohet ekzistimi i tij, por nuk duhet harruar assesi se në anën tjetër kemi dhe liberalizmin e tepruar, i cili është fundosur në mëkate degjeneruese.

4. Dituria e vërtetë është përcaktuesi i vetëm i cili neutralizon ekstremizmin, radikalizmin dhe njëherazi edhe liberalizmin e shoqërisë së zhytur në dukuri negative, ngaqë radikalizmi, ekstremizmi, po edhe liberalizimi i tepruar vijnë si rrjedhojë:

a) e moskuptimit të drejtë të Islamit, dhe

b) e mungesës së fetarisë në shoqëri.

5. Islami është i pastër nga veprat e mendjelehtëve dhe servilëve, të cilët e shfrytëzojnë rastin të dalin në emër të një modernizimi, madje edhe në emër të Islamit, duke u munduar që t’ua përshtatin vetes rrjedhat e kohës, por edhe fenë. Ata nuk zgjedhin mjete për të realizuar synimet e tyre të ndyra, por përdorin servilizmin, shantazhimin, etiketimin dhe shpifjen deri në atë masë saqë nganjëherë edhe rrenat e veta i marrin për të vërteta.

6. Duhet theksuar edhe një gjë shumë të rëndësishme: “Beteja e vërtetë nuk është duke u zhvilluar mbi tokë, por realisht ajo është përplasja e ideologjive në mes të dy ekstremeve të kundërta: a) pala e ISIS-it, të cilët e bëjnë tekfir (e nxjerrin nga feja) këdo që u del përpara (rrezikon aktivitetin e tyre), dhe b) pala tjetër ekstreme në liberalizëm, të cilët asgjësojnë çdo gjë që pengon projektet e tyre.

7. Armiqtë e së vërtetës, deri diku ia kanë arritur cakut të tyre nën moton “përçaj e sundo”, duke shfrytëzuar disa mendjelehtë nga mesi i myslimanëve për t’i realizuar qëllimet e tyre shkatërrimtare. Të manipuluarit ua kryejnë më së miri shërbimin të huajve, kundër interesave të umetit, madje duke i shpallur të pafe edhe vetë prijësit fetarë…

8. Myslimanët po ballafaqohen me një standard të dyfishtë. Këtë realitet të hidhur e bënë edhe më prezent në shoqëri veprimet e disa djemve të rinj të cilët i kanë shkëputur lidhjet me dijen dhe dijetarët.

9. Shtrohet pyetja: A kanë faj myslimanët, respektivisht krerët e davetit, për dukurinë e ekstremizmit dhe radikalizmit?! Përgjigjja e kësaj pyetjeje është se edhe ne do ta kishim një pjesë të fajit, sikur të na jepej hapësirë për edukimin e mirëfilltë të këtyre të rinjve, por nëse nuk na jepet kjo e drejtë nuk mund të jemi përgjegjës për radikalizimin e tyre. E vërteta mund të jetë e dhimbshme, por në fund është e ëmbël, madje vazhdon të jetë e tillë.

10. Prej mësimeve që i nxjerrim nga kjo çështje është se përhapja e turbullirave dhe ligësive nëpër botë, sidomos paraqitja e këtij fraksioni të devijuar; tekfirizmi si refleksion i havarixhëve kohëve të fundit, vetëm se vërteton paralajmërimet e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.

11. Nëpërmjet fraksioneve të tilla të devijuara, të tjerët i kanë realizuar gjithmonë qëllimet e tyre, andaj ne na takon ta vetëdijesojmë shtresën e gjerë në mënyrën më të mirë të mundshme, që ta kuptojmë se nuk duhet t’ua bëjnë hyzmetin armiqve të fesë së tyre. Vetëm me edukim të mirëfilltë, duke ndërtuar të ardhmen tonë dhe duke marrë mësim nga e kaluara e lavdishme e umetit tonë mund të arrijmë në arsimimin e kësaj shoqërie. Allahu na ndihmoftë! Amin!

12. Një ndër dukuritë fatkeqe që i pësoi umeti, të cilën ia shkaktoi fraksioni i devijuar (ISIS-i) në shek. XXI është se arriti ta largojë vëmendjen botërore nga terrorizmi shiit që u ushtrua mbi myslimanët sunitë nëpër botë, siç janë pushteti diktatorial i Asadit, milicitë shiite të Hizbulatit, ato të Iranit dhe huthinjtë në Jemen. Këto janë pra pasojat famëkeqe që ia kurdisën umetit në emër të sheriatit, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me interesat e umetit.

13. Për fund po i përmendim disa nga shkaqet kryesore që shkaktojnë ekstremizmin:

a) Indoktrinimi i gabuar, i cili vjen nga njerëzit e gabuar.

b) Keqedukimi, qoftë para ose pas indoktrinimit të gabuar.

c) Mosfunksionimi i shtetit dhe i BIK-ut. Duhet organizuar urgjentisht tribuna në xhami, në salla komunash dhe në shtëpi të kulturës, dhe sidomos duhet zbatuar mësim-besimi në mënyrë sistematike, që të shtohet insistimi ynë në edukimin e breznive të ardhshme nëpër xhami e jo nëpër rrjete sociale a gjetiu.

d) Mungesa e perspektivës, dhe jo vetëm fukarallëku, por dhe gjendja e tyre e mjerë dhe mentaliteti tejet i ulët.

Vërtet i shqetësuar prej këtyre ngjarjeve të tmerrshme, të cilat po ndodhin anekënd botës, por me shpresë se një ditë do të përmirësohet gjendja, kur njerëzit t’i kthehen realitetit të së vërtetës, e cila garanton të drejtat e secilit njeri, pavarësisht bindjeve të tij.

Hoxhë Fatmir Latifaj, imam në xhaminë e Shipolit në Mitrovicë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit