1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Disa çështje rreth martesës

Më të lexuarat

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Sipas dijetarëve, martesa në kuptimin gjuhësor, vjen me kuptimin e bashkimit, ndërsa në sheriat, vjen me kuptimin e një lidhjeje apo kontrate midis dy bashkëshortëve. Martesa është bërë detyrë për atë që ka mundësi të martohet. Gabimisht, disa njerëz mendojnë se kuptimi i kësaj “ai i cili ka mundësi” ka kuptimin ai që ka epsh. Mendimi më si saktë për këtë është se martesa është detyrë për atë që ka mundësi (pasuri) për të mbajtur bashkëshorten dhe për t’i dhënë të drejtat e saj, sikurse thuhet në hadithin e nxjerrë nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerët nga hadithi i Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “O ju të rinj! Nëse keni mundësi martohuni, sepse martesa të largon nga shikimi në harram dhe është mbrojtja më e mirë për nderin. Ai i cili nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse për të agjërimi është mbrojtje.”

Nëse qëllimi i fjalës së profëtit (alejhi selam) do të ishte “ai i cili ka fuqi (epsh) prej jush” nuk do të thoshte: “ai i cili nuk mundet, le të agjërojë…”

Pra, martesa është ligj dhe detyrë për çdo njeri i cili ka mundësi financiare për të mbajtur familjen. Gjithashtu, martesa është detyrë edhe për atë i cili ka frikë nga vetja e tij se nuk mund t’i ruhet dot harrameve dhe gjynaheve. E gjithë kjo, pasi lënia e harrameve dhe gjynaheve nuk plotësohet vetëm se duke i braktisur ato. Lënia e harrameve dhe mëkateve është detyrë, e, nëse njeriu nuk gjen mundësi për mbrojtjen e nderit apo ruajtjen e shikimit të tij, atehërë këto i gjen vetëm tek martesa.

Imam Buhariu dhe Muslimi kanë nxjerrë nga hadithi i transmetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se tre persona erdhën tek pejgamberi (alejhi selam) dhe e pyetën për punën e tij. Dhe kështu, e lajmëruan për punën që bënte pejgamberi (alejhi selam). Puna që bënte pejgamberi (alejhi selam) iu duk e paktë dhe njëri prej tyre tha: “Përsa më përket mua, unë do të agjëroj pa e çelur fare.” Ndësa tjetri tha: “Unë do të falem gjithë natën dhe nuk do të fle.” I treti prej tyre u shpreh: “Unë nuk do të martohem asnjëherë me gra.” Kur pejgamberi (alejhi selam) u kthye dhe dëgjoi për fjalët e tyre, u zemërua, hipi në minber, falenderoi Allahun e Lartësuar dhe tha: “Përsa më përket mua, unë agjëroj dhe çel (ha), ngrihem natën të falë namaz, por edhe fle e martohem me gra. Kush largohet nga suneti im (nga kjo që unë veproj), ai nuk është prej meje (prej umetit tim).”

Duke kometuar fjalën e pejgamberit (alejhi selam) “…edhe martohem me gra…”, dijetarët thonë se kjo thënie është për ata që kanë epsh dhe dëshirë për gra dhe nga kjo i largohet frika personit nga mëkatet. Kush është në këtë gjendje detyrohet të martohet. Gjithashtu, dijetarët thonë se është e ndaluar që të mos martohesh fare. Kjo duke u bazuar në hadithin e saktë të Sad ibn Ebi Uekas (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), në të cilin thuhet se pejgamberi (alejhi selam) e ka ndaluar tredhjen. Për këtë, Uthman ibn Matumi dhe Sadi u shprehën se po të mos ishte e ndaluar, do të ishim tredhur të gjithë. Lejohet të mos martohet personi, kur nuk ka mundësi të shpenzojë asgjë për bashkëshorten apo nuk ka epsh, pasi kjo e fundit, nëse martohesh, është në dëm për gruan. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos i prekni ato, duke iu bërë dëm atyre.” e kështu, duke kaluar jashtë të drejtës së tyre duke i dëmtuar.

Nga suneti është që të martohesh me një grua që është e butë, të mos jetë sterile, siç ka nxjerrë imam Ahmedi në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “ Martohuni me ato që janë të mira, të buta në fjalë dhe me ato që lindin fëmijë, sepse unë shpresoj që të shtohet me ju populli im.” Gjithashtu, duhet që gruaja të jetë e virgjër, bazuar në hadithin e Xhabirit kur ai u martua dhe profeti (alejhi selam) i tha: “Si është, e virgjër apo jo?” Xhabiri iu përgjigj: “E ç’virgjër.” Pejgamberi (alejhi selam) tha: “A nuk gjete ndonjë të virgjër që ta kënaqje atë dhe të të kënaqte ty?” Pra, nga kjo është ligjëruar në sheriat që kur të zgjedhë njeriu, ta zgjedhë të dashur, të mos jetë sterile dhe të jetë e ndershme (të jetë e virgjër) ashtu siç duhet që të zgjedhë atë që është fetare, e bukur dhe nësë është e pasur, është edhe më e mirë. Sipas hadithit të transmetuar në librat e saktë të haditheve se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Martohet femra për katër gjëra: për pasurinë e saj, nderin e saj, bukurinë dhe fenë e saj. Zgjidhni atë që është fetare, që të keni begati.” Nëse këto katër cilësi të përmenduar në hadith gjenden tek femra, kjo është akoma dhe më e mirë.

Nëse fejesa bëhet më një grua të madhe në moshë, atëherë duhet t’i flasësh asaj vetë, ndërsa nësë bëhet me një vajzë të vogël, duhet të flasësh me prindërit apo me kujdestarët e saj. Në një hadith pejgamberi (alejhi selam) thotë: “E divorcuara martohet duke biseduar drejtpërdrejt me të, ndërsa për të voglën ( të pamartuarën) kërkohet leje; përgjigja e  saj për pranim është heshtja.” Në një hadith të saktë transmetohet se pejgamberi (alejhi selam) kur u fejua me Umu Selemen shkoi tek ajo dhe bisedoi vetë dhe dërgoi Hatib ibn Ebi Belten për ta kërkuar atë. Ndërsa, për Aishen bisedoi me babain e saj Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)

Nuk lejohet për muslimanin që të fejojë një femër, të cilës është futur për fejesë (në të njejtën kohë) një vëlla tjetër musliman, derisa ajo të mbarojë punë plotësisht me të parin; pra të ketë dhënë një përgjigje përfundimtare për çështjen. Në “Sahihun” e Buhariut është transmetuar se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Të mos fejohet një burrë në fejesën e vëllait të tij, ashtu sikurse nuk lejohet të kërkojë një grua që i ka vdekur burri i saj për katër muaj e dhjetë ditë.” E nëse personi nuk dëshiron të bisedojë më të me fjalë, por ia lë të kuptojë atë me ndonjë shenjë, atëherë kjo është e lejuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Dëshira juaj për martesë, ndaj grave që kanë kryer afatin e tyre, në mënyrë të tërthortë ose mbajtja fshehtë në veten tuaj nuk është mëkat për ju.” Ndërsa në një ajet tjetër thuhet: “Allahu e di se ju do t’ua përmendni atyre dëshirën për martesë, por  kurrsesi mos i premtoni atyre diçka tjetër, përveç që t’iu thoni fjalë të lejuara dhe mos vendosni lidhjen e kurorës, derisa të përfundojë afati i caktuar. Ta dini se Allahu e di se çfarë fshihni në vete, prandaj kini frikë prej Atij dhe dijeni se Allahu është që fal shumë, është i butë.”

Nuk lejohet fejesa apo kërkimi i dorës së femrën në dy gjendje:

Nësë ka shkuar për ta kërkuar një person tjetër besimtar musliman dhe nëse ndodhet brenda afatit kohor katër muaj e dhjetë ditë, pasi i ka vdekur burri apo nësë është e divorcuar.

Martesa nuk plotësohet vetëm se me një ndërmjetësues dhe dy dëshmitarë të drejtë. Daru Kutni ka nxjerrë nga hadithi i Aishes se pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka martesë, përveç se me ndërmjetësues dhe dy dëshmues të drejtë.”

Lejohet për mashkullin dhe për femrën që të logjikojnë mirë përpara se të ndërmjetësojë një tjetër, ashtu siç ka ardhur në një hadith të saktë se profeti (alejhi selam) i ka thënë një gruaje: “A je e kënaqur sikur të martoj ty?” “Po.”- i është përgjigjur gruaja. Atëherë ai i tha: “Do të martoj ty me filanin.”

Para se të bësh martesën, lejohet që të shikosh tek ajo që  dëshiron të martohesh. Është transmetuar në një hadith të saktë se një person nga ensarët donte që të martohej me një grua nga ensarët dhe profeti (alejhi selam) i tha atij: “A e pe atë? Sepse në sytë e ensarëve ka diçka.” Në një hadith tjetër transmetohet se profeti (alejhi selam) i tha njërit prej sahabëve, kur ai donte të martohej: “Shikoje atë, sepse kjo është gjëja më e mirë që t’ju bashkojë juve të dy.”

Lejohet, gjithashtu, që mashkulli të shikojë në fytyrë dhe në dy duart, e përveç këtyre, nuk lejohet që të shikojë gjë tjetër. Nëse është e domosdoshme, le të dërgojë gra, p.sh: nënën, motrën për ta parë atë dhe gjendjen e saj, në të kundërtën, le të mjaftohet me shikim e fytyrës së saj, me paraqitjen që ajo ka.

Përgatiti: Erion Sulo

Burimijetes.com

19.08.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit