8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Dinjitetin nuk e vendos luksi i Hotelit

Më të lexuarat

Nga Endri Shabani

Më ka bërë përshtypje mbrojtja që një pjesë e shoqërise i bën shpenzimeve ekstravagande të ministres. Sipas tyre ministri duhet të qëndrojë në një hotel të shtrenjtë, sepse vetëm kështu mund të përfaqësohet në mënyrë “dinjitoze”.

Sipas kësaj mendësie dinjiteti caktohet nga sasia e parave (tona) që politikanët shpenzojnë, dhe jo nga mënyra se si sillen apo nga vlerat që përfaqësojnë.

Sipas kësaj mendësie vrasësit me pagesë, gjobvënësit, dhe trafikantët e drogës apo të vajzave, që me paratë e krimit ia dalin të udhëtojnë first-class dhe bëjnë pushimet nëpër ishuj ekzotik jetojnë me dinjitet.

Ndërsa prindërit që punojnë ndershmërisht për të mbajtur familjen, por që nuk ia dalin dot të dërgojnë fëmijët me pushime, nuk jetojnë me dinjitet.

Sipas kësaj mendësie, një politikan i korruptuar që ka varfëruar një komb të tërë, duke iu vjedhur paratë e ilaçeve, shkollave, spitaleve apo rrugëve, dhe që me paratë e vjedhura kanë ndërtuar vila majë kodrave jetojnë me dinjitet.

Ndërsa një student që krahas shkollës i duhet të rropatet në punë të ndershme (duke bërë edhe nga dy punë), por që e di fare mirë se do t’i duhen edhe dy jetë për të blerë një shtëpi, nuk jeton me dinjitet.

Dua t’i kujtoj këtyre “dinjitareve” se që në origjinën e saj, fjala “dinjitet”, është përdorur për të vlerësuar sjelljen e individëve në shoqëri, përmbajtjen e karakterit të tyre dhe vlerat njerëzore që ata përfaqësojnë.

Dinjiteti i njeriut përcaktohet jo nga paratë që dikush ka në xhep, por nga vlerat e karakterit të tij. Madje në shumë raste parate dhe jeta luksoze janë provë materiale e mungesës së dinjitetit.

George Ëashingtoni përshembull konsiderohet si një prej politikanëve më “dinjitoz” në histori, pikërisht sepse vendoste gjithmonë interesin publik përpara komoditetit personal.

Kështuqë, kur të shikoni një minister të një vendi të varfër që bën jetë luksi me paratë e popullit, quajeni tangëllëk, arrogance, papërgjegjshmëri dhe gjithçka tjetër, por ju lutem mos e quani sjellje “dinjitoze”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit