4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Dinamika e masakrës: 65 plumba kundër 11 personave

Më të lexuarat

Policia zbardh dinamikën e krimit, sekuestrohen në vendin e ngjarjes tre armë automatike, 65 gëzhoja dhe 26 fishekë. Vrasësit, të veshur me uniforma kamuflazhi të Forcave Speciale. Shoqërohen 46 persona, policia ofron shpërblim tre milionë lekë të rinj, për personat që mund të japin informacion për autorët. 

Tre automatikë, 65 gëzhoja, 26 plumba, tre predha, tre të vrarë, tetë të plagosur. Ky është “inventari” që ka bërë policia ditën e djeshme pas masakrës të ndodhur pranë stadiumit në Elbasan, mbrëmjen e së mërkurës.
Tre viktimat: Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakoli u varrosën dje nga familjarë dhe të afërm, në një kortezh të gjatë që përshkoi gjithë qytetin, një zonë tashmë e tronditur, pasi krimi goditi me bilanc vërtet të rëndë.
Me qindra forca policie, përfshi RENEA-n dhe FNSH-në, kanë kryer kontrolle të shumta në Elbasan, Librazhd dhe Peqin, por asnjë e dhënë për autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë tre persona. Në duar të hetuesve është edhe një kamera sigurie e vendosur në lokalin “Univers”, ku ndodhi ngjarja.
Aty shfaqen tre persona të veshur me uniforma kamuflazhi ushtarake dhe të policisë, që fillimisht bërtasin: Policia, dhe më pas nisin të shtënat që u morën jetën tre personave dhe plagosën tetë të tjerë, tre prej të cilëve janë në reanimacion në gjendje mjaft të rëndë.
Hetimet për këtë ngjarje po drejtohen nga Besnik Cani, drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa mbrëmjen e së mërkurës në këtë qytet ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm: Saimir Tahiri; Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit: Haki Çako; dhe zyrtarë të tjerë të lartë të strukturave të rendit.
U kërkua që të bëhej gjithçka për kapjen e autorëve, por rezultuan se kanë qenë mjaft të përgatitur, pasi mund të kenë vepruar me detaje si gjatë sulmit ashtu edhe në arrati.
Policia tashmë ka kaluar në planin “B”, kur dje në një njoftim zyrtar theksoi se janë vënë në dispozicion tre milionë lekë të reja për të gjithë personat që japin të dhëna mbi vendndodhjen e autorëve.
Një nismë e tillë është ndërmarrë pasi nuk kanë mundur që të arrestohen në kushtet e flagrancës dhe sa më shumë kalojnë orët, aq më i vështirë bëhet identifikimi dhe më pas arrestimi.
Burime të policisë lokale shprehen se janë shoqëruar në komisariat 46 persona, të cilët dyshohet se kanë dijeni për rrethanat e krimit.
Nga ana tjetër, Prokuroria po punon për grumbullimin e pronave dhe hetimet i kanë përqendruar kryesisht në të kaluarën e fisit Çapja, pasi që nga viti 2005, janë në konflikt të vazhdueshëm me pjesëtarët e fisit Mema. Forca të shumta policie të Ndërhyrjes së Shpejtë, FNSH-së, kanë krehur zonën dhe kanë kryer kontrolle në shumë banesa.
Ndërsa mjaft interesante për policinë dhe prokurorinë janë edhe dëshmitarët e vendit të ngjarjes. Ata kanë dëshmuar se autorët ishin të veshur me uniforma të ngjashme me ato të ushtrisë dhe Forcave Speciale dhe në kokë kishin kapuça për të mos u njohur.
Gjithashtu dyshohet se lëvizja mund të jetë kryer nga dy automjete, çka ka bërë që policia të mos bjerë ende në gjurmët e atentatorëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, duke folur për masakrën e ndodhur në Elbasan, është shprehur se kjo ngjarje ka për motiv konfliktet kriminale të hershme në këtë qytet mes dy fiseve.
“Policia është duke bërë shumë, shumë e më shumë se sa mund të mendojë dikush. Është e vërtetë që ngjarja është e rëndë, policia është e mobilizuar dhe shumë shpejt ka mbërritur në vendngjarje, e drejtuar nga drejtori i Policisë së Elbasanit. Ngjarja ka për motiv konfliktin e vjetër të ngjarjeve kriminale, që policia ka arrestuar. Policia është në pamundësi për të dhënë emrat e autorëve. Ne mbajmë përgjegjësitë tona. E gjithë policia dhe krimet e rënda janë duke punuar”, u shpreh Çako.
Një ngjarje e tillë me përmasa të rënda përsa i përket numrit të viktimave dhe të të plagosurve ka bërë që të ketë reagime të shumta për sigurinë në vend. Një ngjarje që edhe mund të ishte parandaluar nëse do të funksiononte drejtësia dhe policia.
 
Drejtësia “sehir” në një konflikt me viktima
Nga viti 2005 dhe deri më tani, janë regjistruar jo pak por tetë të vrarë nga miqtë apo radhët e dy fiseve në konflikt, Çapja dhe Mema. Vrasje të formave nga më të ndryshme, nga atentatet me breshëri kuturu armësh në mes të rrugës, deri në eliminime të tipit mafioz. Policia ngjante sikur bënte punën, ku pas çdo vrasjeje shoqëronte, arrestonte dhe më pas dosjen ia delegonte prokurorisë. Në disa raste prokuroria çështjen e dërgonte në gjykatë, ku kjo e fundit më pas jepte pafajësi, apo dënonte me pak vite burg për krime të rënda. Ngjarje të tilla që në dhjetë vite nuk u ndëshkuan shtuan akoma më shumë “dozën e hakmarrjes” personale nga ana e dy fiseve. Krime që nisën në Elbasan, vijuan në Tiranë, më pas në Itali dhe në fund u rikthyen përsëri dy ditë më parë në qytetin e Elbasanit. Duke marrë të gjithë vrasjet që nga viti 2005 kur nisi konflikti, numri i viktimave ka arritur në tetë, ndërsa nëse nuk do të ndërhyhet që autorët të vihen para përgjegjësisë nuk është çudi që krimet të vijojnë, me pasoja sërish të rënda.
Të vrarët dhe të plagosurit, lidhje gjaku dhe shoqërore
Viktima Agron Çapja ishte në tavolinë me nipin e tij Ardit Sinakoli dhe me shokun e afërt Eno Bedalli. Që të tre mbetën të vrarë në vend nga breshëria e plumbave. Ndërkohë edhe personat e tjerë të plagosur janë pjesëtarë të fisit Çapja dhe shokë të tyre, ndërsa nuk rezulton të ketë ndonjë lidhje vetëm me dy prej të plagosurve, që u gjendën në kohën dhe vendin e gabuar në ato çaste. Situata është vërtet e rëndë në familjen Çapja, pasi përveç humbjes së njërit prej familjarëve, kanë në spital në gjendje të rëndë edhe katër pjesëtarë të familjes së tyre. Gjatë gjithë kohës së ceremonisë mortore, shoqëroheshin nga punonjës të policisë për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.
Të vrarë:
Agron Çapja, 50 vjeç, banues në Elbasan
Ardit Sinakoli, 27 vjeç, banues në Elbasan
Eno Bedalli, 38 vjeç, banues në Elbasan
Të plagosur:
Ardian Zharri, 45 vjeç, banues në Elbasan
Fejzulla Çapja, 58 vjeç, banues në Elbasan
Ferit Muça, 42 vjeç, banues në Elbasan
Luan Muça, 47 vjeç, banues në Elbasan
Bujar Rreshka, 40 vjeç, banues në Librazhd
Florenc Çapja, 35 vjeç, banues në Elbasan
Arnold Çapja, 23 vjeç, banues në Elbasan
Erdis Sulku, 33 vjeç, banues në Elbasan

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit