6.6 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Dilema morale e përzgjedhjes njerëzore

Më të lexuarat

Justinian TOPULLI

Thelbi i jetës së çdo njeriu në këtë botë dhe i shoqërisë njerëzore në vetvete, është çështje thellësisht morale. Të gjitha betejat dhe dilemat e mëdha njerëzore, në fund të fundit janë vetëm se dilema morale.

Rezymeja e realitetit të historisë njerëzore përmblidhet në dilemën ekzistenciale, mes të qenit “mirënjohës” ndaj ekzistencës sonë si qenie të vetëdijshme dhe gjithë mirësive që e shoqërojnë këtë fakt, dhe prirjes së egos njerëzore për të qenë “i lirë” nga kjo mirënjohje dhe detyrimeve që vijnë prej saj, nga jashtë njeriut. Kjo është një dilemë qartësisht morale: a do të jemi mirënjohës ndaj asaj Qenieje që na solli në ekzistencë, apo do t’i referohemi vetëm vetvetes, si të ishim të vetëkrijuar ose të vinim nga hiçi?

Të gjitha pikëpamjet njerëzore mbi jetën dhe botën, që kanë pasur si burim të tyre vetë njeriun, në daç arsyen apo egon e tij të brendshme, kanë tentuar të provojnë, në një mënyrë ose në një tjetër, pikërisht absurdin e vetëkrijimit ose krijimit nga hiçi, për t’iu kundërvënë pikërisht kërkesës morale të mirënjohjes, që buron vetvetiu nga njeriu, kur ai kupton se dikush tjetër jashtë tij, e ka sjellë atë në ekzistencë.

Pyetja është vërtet kaq e thjeshtë dhe thelbësore për të gjithë ne si njerëz: a ka Zot, apo jo? Nëse ka, atëherë padyshim që Ai, përveçse është Krijuesi ynë, nuk është as indiferent ndaj nesh dhe për rrjedhojë, ne kemi një detyrim madhor moral ndaj Tij.

Por nëse nuk ka Zot? Atëherë do të duhet të pranojmë absurditetin e vetëkrijimit ose krijimit nga hiçi dhe prej këndej, të gjithë jetën dhe pikëpamjen tonë mbi të dhe botën, duhet ta ndërtojmë mbi këtë themel absurd, të pamundur në realitetin ekzistencial.

E thënë më shkoqur: çdo pikëpamje që e largon njeriun nga besimi në Zot, nga njohja, përkushtimi dhe mirënjohja ndaj Tij, e ka burimin pikërisht tek produkti i absurditetit të egoizmit njerëzor, që stimulohet nga epshi për t’iu gëzuar jetës, pa ndjerë mbi supe asnjë barrë të përgjegjësisë morale të mirënjohjes ndaj Krijuesit, pra, për të qenë i lirë nga kjo përgjegjësi. Në thelb, është pikërisht kjo “liri”, ajo e cila paraqitet si vlera më e lartë e qenies njerëzore nga moderniteti dhe të gjitha pjellat e tij ideologjike, që dominojnë tash e disa shekuj arenën e kësaj bote.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë dilemë më të madhe njerëzore morale, sesa të jesh mirënjohës ndaj Krijuesit, apo të jesh i lirë prej kësaj përgjegjësie morale të vetvetishme. Është në dorë të gjithsecilit se çfarë zgjedh, të paktën kjo është e vetmja liri, që ka vërtet rëndësi ekzistenciale për njeriun.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit