Dietat e rënies nga pesha, sa efikase janë në të vërtetë?

0

Dietat shihen shpëtimtare të vërteta nga ata persona të cilët duan të humbin ndonjë kilogramë të tepërt! Por ato nuk janë kurrë të mjaftueshme dhe efikase për sa u përket rezultateve. Një studim i fundit shkencor ka demonstruar se dietat duhet të shoqërohen gjithmonë me ushtrime fizike, por edhe me vetëbesim të madh psikologjik dhe qetësi shpirtërore…

Nëse po mendoni që të filloni një dietë, është e rëndësishme që të dini se si të veproni ekzaktësisht. Shpeshherë, zgjedhja e ushqimeve që na bën më mirë, mund të jetë vërtet e vështirë. Një studim i ri ka vënë përballë njëra-tjetrës disa nga dietat më popullore të momentit, dhe nëpërmjet tij janë demonstruar rezultate interesante.

Dieta Atkins, për shembull, është një nga më të popullarizuarat në mesin e atyre që konsiderohen si më të famshmet, ashtu si dhe ajo e rekomanduar nga marka amerikane e të ushqyerit Weight Watchers, shumë e përhapur për strategjinë e saj për të humbur peshë.

Megjithatë, duket se asnjëra prej tyre nuk është aq efikase sa një stil jetese përgjithësisht i shëndetshëm. Përveç dietës Atkins, me bazë të ulët karbohidratesh dhe Weight Watchers, që bazohet te një numër i caktuar kalorish, ekspertët kanë analizuar edhe dietën South Beach, që dallon për nga karbohidratet e “mira” dhe të “këqija”, dhe dietën Zone, që bazohet te koncepti i porcioneve të veçanta të ndara ne proteina dhe karbohidrate.

Gjatë eksperimentit, studiuesit i krahasuan të gjitha këto dieta me një stil ushqyerje më pak strikt, por të rregullt, që shoqërohet nga një mënyrë jetese e shëndetshme. Ata që ndoqën dietën South Beach nuk patën asnjë ndryshim në peshë gjatë periudhës kohore prej 12 muajsh; individët që ndoqën dietën Atkins humbën mes 2 dhe 4 kilogramëve në peshë; ata që i besuan Zone-s u dobësuan nga 1.5 deri në 3 kg., ndërsa të tjerët që iu referuan Weight Watchers humbën rreth 3 kilogramë.

Ndërkohë, personat që nuk ndoqën dietë, në mënyrë normale (pa e ekzagjeruar në të ngrënë), por që e ndienin veten shumë mirë psikologjikisht, humbën në fakt rreth 2 kilogramë nga pesha e tyre.

Faktorë të tillë si presioni i gjakut, niveli i kolesterolit dhe i sheqerit, nuk ndryshuan aspak gjatë eksperimentit. Profesori i mjekësisë, Mark Eisenberg, nga Universiteti McGill në Kanada, i përmbledh kështu rezultatet e studimit:

“Pavarësisht popullaritetit dhe kontributit të tyre të veçantë në këtë lloj ‘industrie’ ushqyerje shumëmilionëshe, ende nuk e dimë nëse këto dieta janë të dobishme për t’i ndihmuar personat që të humbin peshë dhe të ulin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Ndërhyrja e mjekëve dhe e specialistëve në këtë sektor do të ishte shumë më efikase për të përmirësuar kushtet e përgjithshme të stilit tonë të jetës, sepse ka mundësi që këto dieta të popullarizuara, të mos paraqesin zgjidhjen më të mirë për pacientin”.

Duhet të keni parasysh se për të humbur peshë, çdo lloj diete duhet të shoqërohet me ushtrime fizike. Ushtrohuni fizikisht çdo ditë për të paktën dhjetë minuta, dhe mos e kaloni sasinë e kalorive të rekomanduara nga dietologët (2000 për femrat dhe 2500 për meshkujt).

Ndërkohë, nuk duhet të shqetësoheni vazhdimisht për kilogramët tuaj të tepërt. Ju leverdis që ta largoni mendjen prej këtij problemi dhe të jeni më energjik dhe pozitiv në jetën tuaj të përditshme, sepse kjo është një mënyrë ndihmëse dhe plotësuese për të marrë rezultate sa më të mira nga ndjekja e një diete.

Po kështu, fotografojini ushqimet mbi tryezë. Duke i parë herë pas here ato që keni ngrënë do të ulni sasinë, sepse do të reflektoni. Kur të jeni në shtëpi dhe të gjeni pak kohë të lirë, çlirojeni veten nga streset duke dëgjuar muzikë dhe duke kërcyer. Edhe punët e shtëpisë bëjini shpejt dhe duke lëvizur sa më shumë. Më pas bëni një dush me ujë jo shumë të nxehtë. Mos harroni gjithashtu që të pini sa më shumë ujë natyral.

Pra të gjitha këto alternativa janë tepër të domosdoshme për t’ia bashkangjitur një diete që do të ndiqni, nëse dëshironi që të jeni gjithmonë në formë të mirë dhe të shëndetshme. Rezultatet e këtij studimi janë publikuar në revistën shkencore “Cardiovascular Quality and Outcomes”./