12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Dialogu i Ibrahimit (alejhi selam) me babanë e tij

Më të lexuarat

Almedin Ejupi

Allahu i Lartësuar thotë:

“Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dheprofet. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi, e kështu të bëhesh i afërm i djallit”! Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”! Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua. Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut. Do t’i lutem Zotin tim, sepse jam i sigurt se nuk do të jem fatkeq me lutjet që ia bëj Zotit tim.” (Merjem: 41-48)

Gjatë këtij dialogu kur’anor vërejmë se Ibrahimi a.s. ka ndjekur një dialog konstruktiv me babanë e tij.

Ibrahimi a.s. thirrjen e tij e nisi me: “O babai im!” një këshillë imanore që i ofron babait të tij. Ai e përsëriti shprehjen: “O babai im!” katër herë.

Këto këshilla nisën me ofrimin e argumentit logjik babait të tij: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?” Këta idhuj janë trupa të ngurtë nuk dëgjojnë lutjet e adhuruesit, nuk shohin vendin e tij, nuk mund t’i sjellin ndonjë dobi e as nuk mund t’i largojnë dëmin, atëherë përse o babai im adhuron ato, ndërkohë që logjika e shëndoshë i refuzon?

Herën e dytë vijon me këtë këshillë: “O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë!”

Herën e tretë Ibrahimi a.s. ndalon babanë e tij nga adhurimi i djallit: “O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.”

Ndërsa në fund për të katërtën herë, Ibrahimi a.s. i drejtohet babait të tij Azerit duke e frikësuar për fundin e keq: “O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi, e kështu të bëhesh i afërm i djallit”!

Kësisoj ishte fjalimi i djalit drejtuar babait të tij, i cili në mënyrë graduale e ftoi në besim. Filloi me më të lehtën. E njoftoi për diturinë e tij dhe se kjo është e domosdoshme për ta ndjekur atë. Nëse i bindet do të udhëzohet në rrugën e drejtë. Më pas e ndaloi nga adhurimi i djallit dhe i shpjegoi dëmet, ndërsa në fund e paralajmëroi për dënimin e Allahut nëse vazhdon në gjendjen e tij dhe nëse e bën këtë do të jetë i afërm i djallit.

Megjithëkëtë, kjo thirrje dhe kjo metodologji nuk i solli dobi atij fatkeqit, madje iu përgjigj me injorancë: “Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi”, do të thotë nëse s’dëshiron t’i adhurosh zotat dhe s’pajtohesh me to, ndalohu nga sharja, nënçmimi dhe dëmtimi i tyre, ndërsa nëse s’e bën këtë do të hakmerrem ndaj teje, sikur që thotë: “Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë;” si dhe “largohu prej meje për një kohë të gjatë!”

Ibrahimi a.s. ku i tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty!”,respektivisht nuk do të të ndodhë ndonjë e keqe nga unë, madje ti je i shpëtuar nga ana ime, ai shtoi edhe më tepër mirësi: “Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” Ibën Abbasi dhe të tjerët thonë se Ibrahimi a.s. i është lutur Zotit që ta falë atë sikur që i ka premtuar në lutjen e tij, mirëpo kur mësoi se ai është armik i Allahut, u nda prej tij, sikur që thotë Allahu i Lartësuar:

“Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë e qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.” (Tevbe: 114)

Ç’përfitojmë nga ky dialog?

1. Të stolisurit me vlerat më të larta morale, prej të cilave sinqeriteti dhe vërtetësia. Allahu i Lartësuar thotë:

“Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet.” (Merjem: 41)

2. Të thirrurit e njerëzve më të afërm të thirrësit.

3. Butësia gjatë të folurit si dhe mirësjellja. Allahu i Lartësuar thotë: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë.” (Merjem: 47)

4. Të sqarohet dobësia dhe pafuqia e zotave që adhurohen në vend të Allahut të Madhërishëm.

5. Të ndaluarit e bindjes ndaj djallit ngase bindja ndaj tij çon në adhurimin e tij.

Në përfundim:

Gjatë këtij dialogu të qetë e të suksesshëm, që synon komunikimin e së vërtetës tek tjetri, pa dyshim formon një mjet të suksesshëm për çdo thirrës që fton të tjerët në të gjitha fushat me mjete të përshtatshme dhe me metodologji të përmbajtur. Sa shumë kemi nevojë sot të përfitojmë nga shembuj dialogu dhe modelet kur’anore që do të na lehtësonin në ndërtimin e ideve të shëndosha e të sakta për një rezultat pozitiv.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit