12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Dhjetë ditët e fundit

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut, Bamirësit, Bujarit dhe Fisnikut, i Cili na ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme. Atë e lavdëroj për bamirësinë e Tij, e falënderoj për suksesin dhe mirënjohjen e Tij.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, njeriun më të mirë që ka falur dhe agjëruar, i cili i ka kryer obligimet ndaj Allahut në formën më të mirë të mundshme, u ka sqaruar Umetit të tij të lejuarën dhe të ndaluarën. Paqja dhe bekimet qofshin për familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që i ndjekin deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtet, dhuntitë e Allahut të Lartësuar në këtë muaj të bekuar nuk mund të numërohen dhe as të llogariten dhe ato vazhdojnë të na vijnë njëra pas tjetrës. Ka hyrë muaji Ramazan me gjithë mirësitë e tij të përgjithshme dhe dhuratat e tij të çmueshme, besimtarët vërtet me të u gëzuan, ata që vërtet e njohin atë për shkak se ata e dinë bujarinë e Allahut të Lartësuar me të cilën u jep robërve të Vet mirësitë dhe shpërblimet. Allahu i Lartësuar, i Cili është më Bujari, vazhdon të jetë Bujar ndaj robërve të Vet, edhe për faktin se dhjetë netët e fundit të Ramazanit i ka veçuar edhe me më shumë begati dhe mirësi.

Në vijim, do të ndalemi në disa ndalesa me këto dhjetë netët e begatshme:

Ndalesa e parë:

Imam Muslimi shënon në përmbledhjen e tij të saktë nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, e cila tregon se:

“I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, angazhohej në adhurim gjatë dhjetë netëve të fundit më shumë se në çdo kohë tjetër të vitit.”[1]

Në Musnedin e Imam Ahmedit është transmetuar nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, e cila thotë:

“I Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, në njëzet ditët e para të Ramazanit edhe adhuronte Allahun edhe flinte, ndërsa në dhjetë netët e fundit të tij e shtrëngonte rripin.”[2]

Në dy koleksionet e sakta të Buhariut dhe të Muslimit transmetohet gjithashtu nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, e cila tregon:

Kur fillonte dhjetëditëshi i fundit, i Dërguari i Allahut e shtrëngonte rripin, e ngjallte natën me adhurime dhe e zgjonte familjen.”[3]

Këto argumente, të cilat shpjegojnë biografinë aromatike të Pejgamberit tonë Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, në këto ditë, skicojnë për Umetin e tij metodologjinë të cilën duhet praktikuar, ndjekur dhe marrë për model në të gjitha fushat e jetës së tyre.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe Allahut qoftë mbi të, angazhohej në këto dhjetë net, kjo, pa dyshim se është një fjalë shprehëse. Angazhimi përkatësisht përpjekja nënkupton: Sakrifikimin e mundit dhe mundësisë. Ai, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, sakrifikonte mundin e tij, lodhjen e tij, mundësitë e tij në këto dhjetë net të begatshme më shumë se netëve të tjera. Angazhohej në lloje të ndryshme të adhurimit, në namaz, të përkujtuarit e Allahut, në lexim, lëmoshë, në ndihmën ndaj të tjerëve dhe në mirëbërësi.

Për qenien e tij se sakrifikon mundësitë dhe aftësitë e tij, janë shfaqur shenja të këtij sakrifikimi, e ajo është shtrëngimi i rripit, që nënkupton largimin e tij nga gratë me qëllim që t’i përkushtohet adhurimeve madhore.

Prej metodologjisë së tij, paqja e Zotit qoftë mbi të, gjatë këtyre netëve është: Ngjallja e natës së tij. Ai e shndërroi zgjimin e tij dhe veprat e tij të ndryshme gjatë këtyre netëve të begatshme në  jetë. S’ka dyshim se jeta e zemrave dhe ëmbëlsia e saj është në të përmendurit e Allahut të Lartësuar, në lexim, në namaz dhe bamirësi ndaj krijesave. Të gjitha këto afrojnë tek Allahu i Madhërishëm. Kjo ngjallje është e përcaktuar për besimtarin që ta bëjë metodologji mbi të cilën ec gjatë tërë jetës së tij, që ta ngjallë një pjesë së natës së tij duke iu përshpirtur Krijuesit të tij, duke i drejtuar lutjet e përgjëruar Atij, duke i kërkuar ndihmë e mbështetur tek Ai.

Pa dyshim se qetësia e natës dhe të larguarit nga preokupimet e kësaj bote, të çliruarit nga barrët e kësaj bote, e gjithë kjo e bën shpirtin të gatshëm për t’u përshpirtur Krijuesit, për të kërkuar falje dhe për namaz si dhe e bën më afër Allahut të Madhërishëm.

Gjithashtu, prej metodologjisë së tij, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, është: T’i  zgjojë edhe familjen dhe gratë e tij që t’i bashkëngjiten në këto vepra të lavdëruara, që edhe ata të përfitojnë hisen e tyre të sevapit dhe shpërblimit, të shpresojnë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe të arrijnë dashurinë e Tij.

Në këtë bashkëpunim fisnik, muslimani ndjenë përgjegjësinë e tij të madhe kundrejt familjes së tij. Ai nuk i lë ata të zhytur thellë në gjumë në këto net të vlefshme e të numëruara. Pa dyshim se prej mirësisë është që muslimani ta marrë këtë model, me qëllim që ta e kryejë një pjesë të përgjegjësisë të ngarkuar mbi të kundrejt familjes dhe fëmijëve të tij.

Ky veprim – respektivisht zgjimi i familjes dhe i fëmijëve dhe inkurajimi i tyre për namaz dhe lutje – është ndihmës pas ndihmës së Allahut të Lartësuar në përmirësimin e tyre dhe të qëndruarit e tyre në rrugën e drejtë. Madje, me shpresë se kjo mund të jetë metodologji të cilën do ta ndjekin në ditët e tyre të ardhme, që vet ata të iniciojnë ngjalljen e netëve të tyre, ngase kush shijon ëmbëlsinë e besimit përmallohet për ta shtuar, e s’ka dyshim se nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kënaqësia e përshpirtjes së Krijuesit të qiejve dhe të Tokës, i Mirinformuari i të gjitha gjendjeve.

Krahas kësaj metodologjie të begatshme pejgamberike drejt së cilës udhëzon dhe porosit Umetin e tij  i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të për ta ndjekur atë, në anën tjetër e gjejmë duke nxitur për këtë bashkëpunim të besimit. Shënon Ebu Davudi dhe të tjerët nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Allahu pastë mëshirë mbi atë njeri, i cili zgjohet natën të falë namaz dhe e zgjon gruan e tij për namaz, dhe nëse ajo refuzon, ai e stërpik me ujë në fytyrë. Dhe Allahu pastë mëshirë mbi atë grua, e cila zgjohet natën të falë namaz, dhe e zgjon burrin e saj për t’u falur, dhe nëse e refuzon, ajo e stërpikë me ujë në fytyrë.”[4]

Ne në të Dërguarin e Allahut kemi model, në veprat e tij shëmbëlltyrë, me qëllim që të ecim hapave të tij dhe të ndjekim modelin e tij. Ai është i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, të cilit i janë falur mëkatet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, megjithëkëtë ai angazhohet me këtë angazhim të madh, ndërsa ia vlen për ty vëllai im musliman – duke qenë se troket dyert e këtyre dhjetë netëve të begatshme – të bësh nijet dhe të ripërtërish vendosmërinë që të ecësh hapave të tij, paqja e Zotit qoftë mbi të, në këto dhjetë net dhe në çdo ditët tua.

Ndalesa e dytë:

Prej metodologjisë së tij, paqja e Allahut qoftë mbi të, në këto dhjetë net të begatshme është edhe: I’tikafi, kurse i’tikaf nënkupton të qëndruarit në xhami me qëllim të përkushtimit ndaj adhurimit të Allahut të Lartësuar. Ai që vendos ta bëjë këtë nuk del nga xhamia përveç për atë që konsiderohet absolutisht e nevojshme, si shkuarja për të marrë abdes e të ngjashme me këto. Prej dispozitave të tij janë: Nuk lejohen marrëdhëniet intime me bashkëshorten. Allahu i Lartësuar thotë:

“Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami!” (Bekare, 187)

Prej edukatës së i’tikafit: Kushtim i plotë adhurimit të Allahut dhe bindjes ndaj Tij, të kërkuarit e Natës së Kadrit, e cila është më e vlefshme se njëmijë muaj. Në dy përmbledhjet e sakta të Buhariut dhe Muslimit transmetohet nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, e cila ka thënë:

“Se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka qëndruar i vetmuar në xhami gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit çdoherë derisa ka ndërruar jetë. Gratë e tij kanë vazhduar të ndjekin këtë praktikë edhe pas vdekjes së tij.”

Prej gjërave të domosdoshme dhe synimeve të I’tikafit janë: Ai që qëndron në xhami i vetmuar t’i përkushtohet adhurimit dhe përshpirtjes së Krijuesit të tij, lutjes drejtuar Atij, llogaritjen e vetvetes, leximit të Librit të Allahut të Lartësuar, meditimin mbi të, namazin, meditimi rreth çështjeve fetare të tij, të preokupuarit me përmirësimin e të metave të tij dhe që shumicën e kohës së tij ta kalojë në këto çështje, me shpresë se Allahu i Madhërishëm do ta pranojë prej robërve të Tij të devotshëm dhe të pranojë prej tij adhurimet.

Është shumë e natyrshme të thuhet se ai që qëndron në xhami të mos preokupohet me çështje të kësaj bote, qëndrimin e tij mos ta bëjë arenë e vizitave për të shkëmbyer bisedat e natyrës së kësaj bote, ta bëjë vend të ushqimeve dhe pijeve e veçanërisht në Shtëpinë e Shenjtë (Qabenë), ose me qëndrimin e tij t’i dëmtojë e shqetësojë vëllezërit e tij muslimanë, si të fjeturit në rrugët nëpër të cilat kalojnë ose në rreshtat (safat) e përparshme, ose me vënien e rrobave të tyre para falësve e gjëra të tjera që ndikojnë në prishjen e i’tikafit dhe synimit të tij, të preokupohet me çështjet e kësaj bote në vend të tjetrës dhe ta largojë zemrën nga Allahu i Lartësuar. Ndaj, besimtarë të nderuar! Le t’i bëjmë adhurimet tona të na afrojnë tek Allahu i Madhërishëm.

Muslimanë të nderuar!

Këto dhjetë net të begatshme janë ditë të pakta dhe orë të caktuara. Sa shpejt që kalojnë ato! Besimtari i mençur është ai që i shfrytëzon ato në bindje, përulje, nënshtrim dhe adhurim para se të jetë vonë dhe të kalojnë.

E lus Allahun e Lartësuar të na bëjë prej robërve të Tij të zgjedhur, të na falë mëkatet dhe gjynahet, të na lirojë nga zjarri i xhehenemit. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Muslimi, 2/832, nr. 1175. Ibën Maxhe, 1/562 nr. 1767.

[2] Imam Ahmedi në Musned, 6/67.

[3] Buhariu 4/269 nr. 2024. Muslimi, 2/832 nr. 1174.

[4] Ebu Davudi me nr. 1308. Nesaiu, 3/205. Ibën Maxhe nr. 1336, Ahmedi, 2/250, 436.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit