Dhimbja për djalin, Moisiu: Lajmin e aksidentit ma dha Nano

0
95

TIRANE – Kur i përmend Admirin, i mbushen sytë me lot. Nuk e jep veten, kthen kokën mënjanë dhe përtyp lotët që ia hidhëroi humbja e djalit të tij të vetëm. Dhimbje ka shumë, por dhimbja nuk e ka mposhtur asnjëherë. Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu vjen në pjesën e dytë të rrëfimit të tij për “Gazetën Shqiptare”, me momentet më të vështira në jetë.

Si jeni njohur me gruan tuaj?
Në vitin ’51 ishte festa e 28 Nëntorit. Isha me një shokun tim ushtarak që kishte një motër në Teknikumin e fizkulturës “Vojo Kushi”. Shkuam në një mbrëmje vallëzimi. Ajo ishte shumë e re, 16 vjeçe, ndërsa unë 22. Unë ika në Rusi. Neve nuk na lejohej të ktheheshim shpesh; për arsye ekonomike të shtetit, mund të ktheheshim një herë në 3 vjet. Mbanim korrespondencë, por në distancë. Kur u ktheva, u rigjetëm.
Kur u martuat?
Në 1957-ën, një vit para se të mbaroja akademinë. Bëmë celebrimin dhe një bufe në shtëpi, se s’bëheshin dasma asaj kohe. Ajo donte të bënim fëmijë, unë i thoja ‘rrimë dhe pak se do na lidhen këmbët’.
Kur erdhi fëmija i parë?
Erdhi shpejt në fakt. Në dhjetor 1958 lindi Rubena. Pastaj erdhën 2 vajza të tjera me radhë. Unë doja një djalë me thënë të drejtën, por fatkeqësisht edhe mua e tim vëllai na vdiqën djemtë. Kështu që mbiemri Moisiu mbetet i patrashëguar. U kam kërkuar vajzave që të mbajnë mbiemrin Moisiu dhe e kanë bërë, por…
Si e kujtoni momentin e humbjes së djalit tuaj të vetëm?
Ka qenë moment shumë i rëndë (hesht). Në fillim nuk e perceptoja dot, mirëpo më duhej ta mbaja veten edhe për vajzat. Sigurisht, fakti që isha në pozicionin e kreut të shtetit më detyronte ta kontrolloja veten. Këto tragjedi mos i rafshin asnjë njeriu se janë shumë të rënda. Të humbasësh djalin e vetëm 33 vjeç kot, se të kishte ndonjë arsye… S’e di, është vuajtje e madhe. Sa herë që udhëtoj në atë rrugë, nuk e kuptoj se si janë rrëzuar ata, sepse kanë qenë në krahun e kundërt me atë që ranë, sikur t’i ketë nxjerrë njeri jashtë rruge… S’e di… Ai zakonisht më thoshte kur ikte, ndërsa atë ditë s’më njoftoi. Për mua ishte krejt e papritur (përlotet pa e dhënë veten). Nano më mori në telefon e më tha që tim biri i kishte ndodhur një aksident. Pastaj në zyrë më erdhi Sabri Godo e Pandeli Majko.
Nuhate gjë?
Sigurisht që e kuptova direkt, sepse deri sa trupi nuk i ishte gjetur, e dija vijimin. Por njeriu qenka i fortë. Nuk thonë kot: “I ra drurit, e dogji, i ra gurit, e çau, i ra hekurit, e shkriu, i ra njeriut, e mbajti”.

(intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)

(er.nu/GSH/BalkanWeb)kohaislame