12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Dhënia fund e të drejtës për shtetësi nga lindja, debat i ri i nxitur nga Trumpi

Më të lexuarat

Parimi i vjetër që secili që lindë në tokën amerikane është qytetar amerikan, pavarësisht statusit ligjor të prindërve, është kthyer në temë të nxehtë pak para mbajtjes së zgjedhjeve të 6 nëntorit, që do të përcaktojnë përbërjen e Kongresit në SHBA.

Presidenti amerikan, Donald Trump, Partia Republikane e të cilit ka shumicën e ulëseve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, ka nisur debat këtë javë, kur ka përmendur në një intervistë televizive se synon t’i japë fund të drejtës për shtetësi për fëmijët që lindin në Shtetet e Bashkuara nëse prindërit e foshnjës nuk janë shtetas amerikanë apo janë migrantë joligjorë.

“Ne jemi vendi i vetëm në botë, ku një person vjen, lind dhe më pas foshnja është qytetar i Shteteve të Bashkuara me të gjitha përfitimet”, ka thënë Trump në një intervistë për Axios më 30 tetor, medium i cili ka përmendur që më shumë se 30 shtete ofrojnë shtetësi për foshnjat e lindura në shtetet përkatëse.

“Është qesharake. Është qesharake dhe duhet të përfundojë”, është shprehur presidenti amerikan.

Ai ka thënë se këshilltarët ligjorë i kanë thënë atij se ai mund t’i japë fund kësaj praktike me një urdhër ekzekutiv dhe se “është në proces. Do të ndodhë”.

Deklarata e tij se ai mund ta bëjë një gjë të tillë me vetëm një shkresë është përballur me mospajtime edhe nga vetë anëtarët e Partisë Republikane, mirëpo Trump ka vazhduar pretendimet e tij përmes një postimi në Twitter më 31 tetor, duke thënë se kjo praktikë nuk është e mbrojtur me Kushtetutë.

Në një prej postimeve të tij në Twitter, Trump ka thënë se “e ashtuquajtura e drejtë e shtetësisë që nga lindja, e cila i kushton shtetit tonë miliarda dollarë është shumë e padrejtë për qytetarët tanë, do të përfundojë në një mënyrë apo tjetër. Nuk mbulohet nga Amendamenti i 14-të, për shkak të frazës ‘nën juridiksionin e saj’. Shumë studiues pajtohen”.

Në pjesën për këtë çështje në Amendamentin e 14-të përcaktohet se “të gjithë personat e lindur apo të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që janë nën juridiksionin e saj, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara”, megjithatë kurrë nuk është vendosur nëse fraza në fjalë zbatohet për “personat që janë në shtet në mënyrë joligjore”.

Trumpi dhe nënpresidenti Mike Pence kanë argumentuar se Gjykata Supreme e SHBA-së asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë vendim mbi fraza në fjalë zbatohet, posaçërisht për “njerëzit që janë në shtet në mënyrë joligjore”.

Gjatë një organizimi të zhvilluar më 30 tetor me mediumin Politico, Pence ka konfirmuar se administrata “është duke kërkuar hapa që do të rikonsideronin të drejtën për shtetësi përmes lindjes”, në kuadër në shqyrtimeve të ligjeve amerikane që kanë nxitur shumë persona të nisen drejt SHBA-së ilegalisht.

Demokratët akuzojnë Trumpin dhe republikanët për përdorim të imigrimit si çështje për nxitje të frikës dhe rritje të mbështetjes për republikanët që të fitojnë sërish kontrollin e Kongresit.

Disa republikanë në anën tjetër kanë shprehur dyshime lidhur me propozimin e Trumpit.

Një nga republikanët më të zëshëm në Kongres, udhëheqësi në shkuarje i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, është përgjigjur duke thënë në radion WVLK më 30 tetor se “kjo nuk mund të ndodhë. Ju nuk mund t’i jepni fund dhënies së shtetësisë nga lindja me një urdhër ekzekutiv”.

James Ho, gjyqtar federal i Apelit, i emëruar nga Trumpi, ka shkuar më 2006 se e drejta për shtetësi nga lindja “mbrohet jo më pak për fëmijët, prindërit e të cilëve janë pa dokumente, se paraardhësit e personave të parë që kanë ardhur në Amerikë”.

Pikëpamje të tilla kanë ngritur pikëpyetje te shumë studiues të ligjeve kushtetuese për të kuptuar nëse ndryshimet e propozuara nga Trumpi do t’i mbijetonin shqyrtimit nga sistemi gjyqësor federal i SHBA-së, pa paktën një akt të Kongresit.

Mirëpo bazuar në klimën aktuale politike, me pothuajse opozitë unanime nga demokratët dhe disa republikanë skeptikë, ndonjë akt i Kongresit për ndryshime kushtetuese rreth kësaj çështjeje, ka pak mundësi të ndodhë.

Megjithatë, disa vëzhgues kanë thënë se tingëllon e mundshme që ligjvënësit të tentojnë të ndryshojnë disa rregullore specifike për shtetësinë, të cilat tani praktikohen për fëmijët, prindërit e të cilëve jetojnë në mënyrë joligjore në SHBA.

Studiuesit e ligjit kanë thënë se mënyra e vetme për t’i dhënë fund kësaj të drejte për shtetësi, të njohur si “jus soli” dhe nga gjuha latine do të thotë “e drejta e tokës”, do të ishte përmes një procesi të vështirë të ndryshimit të Kushtetutës amerikane.

Mirëpo një gjë e tillë do të kërkonte që amendamenti i propozuar të miratohej nga dy të treta e shumicës në Senat dhe Dhomë të Përfaqësuesve, dhe më pas të ratifikohet me të paktën tri të katërtat në të gjitha shtetet amerikane.

Historia e gjatë

E drejta e lindjes në tokën amerikane kanë qenë parim themelor ligjor për shtetësinë amerikane gjatë gjithë historisë së SHBA-së.

Kjo praktikë është rezultat i një vendimi të gjykatës angleze më 1608 që ka përcaktuar se “statusi i një personi vendoset që nga lindja dhe vendi ku ka lindur—një person që ka lindur nën sundimin e mbretit, detyrohet të jetë besnik ndaj sovranitetit dhe në kthim të saj mbetet nën mbrojtje të mbretit”.

Mirëpo ky parim nuk është zbatuar ndaj skllevërve me ngjyrë dhe fëmijëve të tyre në Shtetet e Bashkuara deri pas Luftës Civile Amerikane, me miratimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1866 dhe Amendamentit të 14-të në 1868.

Për amerikanët vendas, të lindur në Shtetet e Bashkuara, që janë konsideruar rast i veçantë, shtetësia amerikane nuk u është garantuar derisa Kongresi ka kaluar Aktin për Shtetësi Indiane më 1924.

Shumë studiues kushtetues argumentojnë se ende ka shumë histori në rastet ligjore, duke përfshirë një seri të vendimeve nga Gjykata Supreme e SHBA-së, të cilat e bëjnë të pamundur që një urdhër presidencial apo edhe një legjislacion në Kongres të mbështetet si vendim kushtetues nga gjykatat federale të SHBA-së.

Një rast kyç që daton nga viti 1898, rikujton një vendim të Gjykatës Supreme, i cili ka përcaktuar se djali i qytetarëve kinezë që ka lindur në San Francisko është qytetar amerikan bazuar në Amendamentin e 14-të që përcakton normat për shtetësi.

Në këtë rast, Gjykata Supreme ka dhënë një interpretim të zgjedhur të frazës “nën juridiksion e saj” që gjendet në këtë amendament.

Aty është thënë se nënkuptimi i këtyre fjalëve “duket se ka tentuar të anashkalojë përdorimin e termeve” për dy lloje të rasteve, për “fëmijët e lindur nga armiqtë në një territor armiqësor dhe për fëmijët e përfaqësuesve të një shteti të huaj”.

Mirëpo studiuesit e ligjeve që mbështetin thirrjet e Trumpit për ndryshim të praktikave për dhënie të shtetësisë nga lindja, argumentojnë se vendimi i Gjykatës Supreme i vitit 1898 ka pasur të bëjë me një fëmijë, prindërit e të cilit kanë qenë banorë të ligjshëm dhe të përhershëm.

Sipas tyre ky rast është krejtësisht i ndryshëm, në krahasim me situatën kur prindërit e fëmijëve të lindur jetojnë në mënyrë të paligjshme në SHBA./REL/Krenare Cubolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit