13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Devijimi i imazheve të figurave kombëtare

Më të lexuarat

Ismail Qemal bej Vlora në posterat e Pavarësisë dhe të festimeve në kuadrin e 100 vjetorit na paraqitet si një perëndimor i thekur.

Tashmë dihet se pushtetet e ndryshme kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë me imazhe të ndryshme në favor të propagandës së tyre zyrtare. Ndërkaq regjimi komunist që shkoi i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e abuzimit, sidomos me armiqtë e regjimit, të cilëve jo vetëm ua fshiu emrat nga historia zyrtare, por edhe fotot e tyre ua hoqi nga muzetë e librat e historisë, duke retushuar gjithçka rregullisht, sa herë që zbuloheshin dhe asgjësoheshin grupet armiqësore. Është shumë e njohur në ambientet e ndryshme studimore letraro-historike skema bardhë e zi e trajtimit të problemeve. Minus – viti 1944; çdo gjë para këtij viti ishte e zezë, vetëm një dritë e vogël xixëllonte, ajo e Partisë Komuniste me shokun Enver Hoxha në krye; plus + viti 1944; fillonin vitet e lumtura të ndërtimit socialist dhe ndriçonte dielli socialist i Partisë së Punës. Shumë e varfër si skemë, por shumë efikase në shkatërrimin e shoqërisë dhe të kundërshtarëve, sepse ishte shumë e thjeshtë në damkosjen e armiqve dhe ngritjen e imazheve të reja të propagandës komuniste. Mirëpo fatkeqësisht kjo skemë po vazhdon edhe në këto ditë që po flasim edhe ne për 100 vjetorin e pavarësisë, ku vetëmburrja kombëtare është ngritur në kupën më të lartë të qiellit dhe të nxitur nga berihaji kolektiv “shqiptarizmi” ka marrë flakën e dollive të tryezave kolektive. E rëndomtë kjo gjë vërehet më posterat e Ismail Qemal bej Vlorës, të cilët paraqiten po ashtu si edhe në kohën e regjimit monist “një plak me musteqe e mjekërbardhë”. Ky imazh po shumëfishohet vazhdimisht dhe ka zënë tashmë parafytyrimin kolektiv të shqiptarëve, kurse historianët dhe politikanët heshtin. A thua nuk e dinë ata, se kush ishte Ismail Qemal beu?… Nuk ta do mendja!

Babai i pavarësisë së Shqipërisë një politikan dhe qeveritar karriere osman, i cili sipas shumë të dhënash ka pasur edhe bekimin e Shtetit Osman të asaj kohe erdhi në Vlorë i shoqëruar nga fesi i tij karakteristik për të gjithë burrat e asaj kohe. Ai ishte një burrë osman, me të gjitha vetitë dhe virtytet e asaj kohe dhe në të gjitha fotot e tij publike apo private ai shihet të ketë dalë me fesin osman, i cili i përkthyer nga historiografia komuniste ishte një fes turk, turk i barazvlefshëm me pushtuesin e egër, që nuk e kishte lënë shqiptarin të lirë; për pasojë i duhej hequr fesi dhe ia hoqën Ismail Qemal beut fesin.

Anormalia në gjithë këtë mesele është se edhe regjimi i sotëm demokratik tejet i perëndimizuar deri në palcë po e vazhdon këtë lojë, pra devijimin e kuptimit të imazheve për të dhënë një tablo, e cila është e rreme, sepse të gjithë ata burra që e bënë pavarësinë në Vlorë, dhe ecën me idenë: “Ta bëjmë Shqipërinë”, e iu përkushtuan kësaj ideje maksimalisht vinin me një background karriere osman dhe me feset e tyre përkatës. Ishte dominante të mbaje fes. Mehmet pashë Dëralla, Turhan pashë Përmeti e shumë figura të tjera. Nuk po i hyjmë këtu imazheve të kalasë së Krujës, shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit e ndonjë tjetër, të cilat po vuajnë nga këto devijime, të cilat janë adaptuar rëndom nga “Shqiptaristët”, por që vijnë si pasojë e një propagande tejet të rënduar komuniste qysh nga vitet e regjimit monist.

Këtu nuk ka vend ajo fjala e urtë shqiptare “Sipas kokës do ta vejnë dhe festen”, por sipas kohës ta heqin apo ta vejnë festen./e-zani

Aldo Hysa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit