8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Detaje të tjera të frikshme për vrasjen e gruas nga Suhareka

Më të lexuarat

Një 54-vjecare nga komuna e Suharekës, ndërroi jetë gjatë javës që e lam pas, si pasojë e të rrahurave që I kishte marrë nga burri I saj. Familjarët kanë treguar se kjo nuk ishte hera e parë 54-vjecarja ishte rrahur nga burri.

Të shtunën që lamë pas një 54 vjeçare ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi nuk arriti t’i përballojë plagët që kishte marrë nga bashkëshorti i saj me datën 31 maj të këtij viti.

Edhe pse bashkëshorti i saj ishte munduar të mbulonte rastin në fjalë, duke e bërë sikur e njëjta ka rënë nga vetura, tashmë organet e drejtësisë po e hetojnë këtë ngjarje nën dyshimin se pikërisht bashkëshorti i saj e lëndoi atë duke e bërë të duket si rast aksidental.

“Më 31 maj të këtij viti në Nebeshistë të Suharekës, gruaja në fjalë është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Ndihma e parë viktimës iu është dhënë në qendrën mjekësore në Suharekë, por për shkak të gjendjes të rëndë shëndetësore viktima është dërguar për mjekim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. I dyshuari, bashkëshorti i viktimës është në paraburgim për këtë vepër që dyshohet. Ka qenë duke udhëtuar me automjet me bashkëshortin dhe thuhet se është ra nga vetura, a është hedhë apo çfarë ka ndodhur janë detaje të cilat i takojnë hetuesisë. Dyshohet se gjatë kohës sa ishin duke udhëtuar edhe ka marrë lëndimet”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Por familjarë nga e dëmtuara në mënyrë anonime për Indeksonline kanë deklaruar se kjo nuk ishte hera e parë që i dyshuari I.H ka sulmuar bashkëshorten e tij.

Madje sipas të njëjtëve i dyshuari në këtë rast kishte pastruar edhe njollat e gjakut përmes ujit dhe që më pas e mori për ta dërguar në urgjencë duke deklaruar se ajo kishte rënë nga vetura.

“Më pas gruas i ka ardh vetëdija dhe i ka treguar mjekëve që është rrahur nga bashkëshorti por më pas ka ndërruar jetë sepse ishte në gjendje shumë të rëndë. Nga i dyshuari ka ikur edhe gruaja tjetër me të cilën ka pasur fëmijë, poashtu për të njëjtën arsye sepse ai përdorte dhunë ndaj saj”, ka thënë familjari i të dëmtuarës në mënyrë anonime për Indeksonline.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar edhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala.

Shala ka deklaruar se rasti në fjalë është duke u hetuar dhe që i dyshuari kryesor për këtë rast është bashkëshorti i viktimës.

“Bashkëshorti i viktimës është dyshuar për veprën penale rrezik i trafikut publik dhe është në paraburgim. Ndaj të njëjti janë zgjeruar hetimet edhe për lëndim të rëndë me pasojë vdekje. Për prokurorinë është vdekje e dyshimtë, por hetimet do ta sqarojnë rastin. Prokuroria është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja”, ka thënë Shala.

Kryeprokurori i Prizrenit deklaroi gjithashtu se janë ende në pritje të raportit nga obduksioni.

“Akoma nuk dihet se si kanë rrjedh lëndimet pasi trupi i viktimës është dërguar në obduksion dhe akoma nuk kemi pranuar raportin”, ka thënë ai.

Duhet përkujtuar që lidhur me këtë rast është deklaruar edhe djali i viktimës, që sipas të njëjtit ishte pikërisht babai i tij që lëndoi nënën duke u munduar që rastin ta bënte të dukej si aksidental.

Ky nuk është rasti i vetëm i dhunës ndaj gruas në Kosovë, madje ky fenomen është shqetësues pasi shifrat e raportimeve të dhunës ndaj gruas në vend janë mjaft të larta dhe alarmante.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit