7.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Dështimi për të vërtetën si dështim moral

Më të lexuarat

Agim Baçi/ Personazhet e romanit distopik “Më e mira e botëve” e Aldous Huxley-t jetojnë në një botë plot bollëk dhe ekstravagancë. Ata nuk shqetësohen për asgjë sepse duket se kanë gjithçka, deri në bollëk.

Ndërkohë që në romanin “1984” të britanikut tjetër, George Orwell, botuar vetëm pak vite pas romanit të Huxley, distopia na përshkruan njeriun e trishtuar dhe në nevojë të përhershme, që ka vetëm mungesa. Në pamje të parë, personazhet e Huxley-t dhe Orwell-it janë dy botë të largëta, pa asnjë lidhje. Por, në fakt, ajo që i lidh është kontrolli total i individit nga autoritetet.

Pavarësisht ekstremeve në mungesë apo bollëk, shoqëritë e Huxley-t dhe Orwell-it jetojnë në një shoqëri ku liria e individit ka shkuar drejt hiçit. Madje, ata që drejtojnë kanë krijuar një rutinë të programuar që ka çuar pjesëtarët e shoqërisë në përbuzjen e kësaj lirie. Frika, shpresat, ëndrrat qëndrojnë pezull përreth Komandës Supreme, që shkruan skenarin e jetëve të tyre, pa të drejtë improvizimi. Pra, një jetë marionetash, ku fijet janë diku tjetër. Njeriu e humb alternativën e vetes dhe as nuk lodhet më të ketë dëshirë të zbulojë kuptimin e skenarit që i jepet për jetën.

Dhe në fakt, parashikimi i Huxely-t dhe Orwellit, ashtu siç erdhën në rrugë të ndryshme, ashtu edhe u aplikuan në mënyrë të ndryshme, edhe pse me një thelb të njëjtë. Parashikimi i Orwell-it ishte njeriu në totalitarizëm, ku gënjeshtra i lejon sistemit të jetojë sa më gjatë.

Ndërkohë që personazhet e Huxley janë viktima të një krijimi të vazhdueshëm të një shoqërie që filozofi polak, Zigmund Bauman, e quan “Modernitet i lëngët”, ku në pamje të parë duket sikur jepen shumë fakte dhe të vërteta, që në fakt nuk janë as fakte e as të vërteta, por një realitet që menaxhohet në emër të dëshirave të qytetarëve, duke e futur kështu njeriun gjithnjë e më shumë në botën e instinktit, të nevojave. Në botën që shpjegon Bauman, nacionaliteti vetëm zbehet duke u zëvendësuar me instinkt dhe dëshira.

Në fakt, Huxley dhe Orwell bashkohen në atë që ky i fundit e parashikoi në romanin “1984”: “Qytetërimi ynë është ngritur mbi urrejtje. Në botën tonë nuk do të ketë ndjenja të tjera veç frikës, zemërimit, triumfit dhe vetëposhtërimit. Gjithçka tjetër do të shkatërrohet”, shkruan George Orwell.

Por, a janë fajtorë vetëm ata që duan ta zotërojnë këtë realitet të ri? A mundemi ne të mos kthehemi në viktima të realitetit që na e prodhojnë të tjerët dhe që të mos jetojmë vetëm mes ankthit dhe dëshirave?

Shumë vite më parë, në kohën e disidencës së tij, Vaclav Havel do të shkruante një ese, “Pushteti i të papushtetshmëve”, që u kthye në ikonë të disidencës në Europën Lindore. Aty ai shpjegonte vetëmashtrimin për pafuqinë e një perimeshitësi, që detyrohet çdo ditë të varë në dritaren e dyqanit të tij shënimin ku shkruhej: “Punëtorë të botës, bashkohuni!” Havel e shpjegon se perimeshitësi nuk është ndonjë entuziast i idealeve komuniste, por frika nga ndëshkimi e bën atë që të jetojë në një “besim mashtrues” se nuk mundet ta ndryshojë realitetin.

“Por çdo të ndodhte nëse një ditë të gjithë perimeshitësit do t’i ulnin poshtë këto shënime?”, pyeste Havel. Përgjigja ishte e qartë: ky do të ishte fillimi i një revolucioni. Pra, thjesht perimeshitësi nuk është kaq i pafuqishëm. Përkundrazi, ai është mjaft i fuqishëm, por janë prodhuesit e vegjël që lejojnë që loja të vazhdojë në radhë të parë.

Haveli besonte se dështimi i perimeshitësit për të jetuar në të vërtetën është një dështim moral: ai është fajtor për mbështetjen e sistemit që e shtyp atë. “Fakti se ai jeton një gënjeshtër, se të gjithë jetojnë një gënjeshtër, nuk e largon të vërtetën, por vetëm e demoralizon personin që të kërkojënjë jetë me të vërtetën”, shkruante Havel.

Por perimeshitësi i Havelit duket sikur nuk i përket vetëm diktaturave. Ai i përket çdo shoqërie ku mbreti ecën lakuriq, por ku qytetarët nuk kanë guxim t’ia thonë në sy.

Perimeshitësi i Havelit është vetëmashtrimi që mund të jetë te kushdo që vetëm jeton me bindjen se nuk mundet, se gjithçka është e përcaktuar nga të tjerët, dhe se kuraja e tij nuk vlen. “Gënjeshtrat moderne politike janë kaq të mëdha saqë kërkojnë një riorganizim të plotë të të gjithë gjendjes faktike”, shkroi HanahArendt në librin e saj “Origjinat e totalitarizmit”. Madje, një situatë e tillë, sipas saj, parashikon një fund tragjik, ku gënjeshtari arrin të mashtrojë edhe veten e tij, për shkak se njeriu përmes gënjeshtrës largohet gjithnjë me më shumë nga bota reale.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit