8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Deri në vitin 2045 diabeti do të prekë 700 milionë njerëz

Më të lexuarat

Numri i personave të moshës midis 20 dhe 79 vjeç me diabet pritet të arrijë në 700 milionë deri në vitin 2045, tregojnë gjetjet e fundit nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF).

Diabeti, një nga sfidat shëndetësore në rritje të shpejtë e shekullit 21, nuk respekton as statusin socio-ekonomik, as kufijtë gjeografikë apo kombëtarë, me numrin e të rriturve që jetojnë me këtë sëmundje dhe që ka kaluar trefishin gjatë 20 viteve të fundit.

Duke shënuar Ditën Botërore të Diabetit, AA përpiloi të dhënat nga botimi i fundit i Atlasit të Diabetit i IDF-së, një burim autoritativ mbi barrën globale të diabetit, i cili tregoi se një në 11 të rritur të moshës 20-79 vjeç kanë diabet.

Vlerësohet se 463 milionë të rritur, të cilët përfaqësojnë 9,3 për qind të popullsisë botërore në këtë grupmoshë, aktualisht jetojnë me këtë sëmundje.

Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, deri në vitin 2030, IDF parashikon një rritje prej 10 për qind të numrit të personave me këtë sfidë shëndetësore që pritet të arrijë në 578 milionë.

Rreth dy dekada më parë, vlerësimi global i të rriturve që jetojnë me diabet ishte 151 milionë, shifër e cila deri në vitin 2009 ishte rritur ndjeshëm me 88 për qind, duke shkuar në 285 milionë.

Vlerësohet se shumica dërmuese, rreth 80 për qind e njerëzve me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Botimi i fundit i Atlasit tregon se dy në tre persona me sëmundje jetojnë në zona urbane.

Shpenzimet vjetore globale të shëndetit për diabet vazhdojnë të rriten çdo vit dhe parashikohet të arrijnë në 760 miliardë dollarë në 2019, ekuivalent me 10 për qind të shpenzimeve të përgjithshme globale të shëndetit.

Shpenzimet globale për kombinimin e sëmundjes parashikohet të arrijnë në 825 miliardë dollarë deri në vitin 2030 dhe 845 miliardë dollarë deri në vitin 2045, thuhet në raport.

Mjerisht, kërcënimi për shëndetin ka marrë shumë jetë. Në vitin 2019, numri i vdekjeve që rezultojnë nga diabeti dhe komplikimet e tij arriti në rreth 4,2 milionë, thuhet më tej në raport.

Çfarë është diabeti?

Diabeti është një sëmundje afatgjate që shfaqet kur pankreasi nuk është më në gjendje të prodhojë insulinë, një hormon që rregullon sheqerin në gjak, ose kur trupi nuk mund të përdorë mirë insulinën që prodhon, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Ekzistojnë tre lloje kryesore të diabetit:

– Diabeti i tipit 1 – i njohur më parë si diabeti i varur nga insulina, shkaktohet nga një reaksion autoimun në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon qelizat beta prodhuese të insulinës së pankreasit dhe si rezultat, trupi prodhon shumë pak ose aspak insulinë. Kjo gjendje kërkon administrimin ditor të insulinës.

Simptomat, të cilat mund të paraqiten papritur, përfshijnë urinimin e shpeshtë, etjen e tepërt, uri e vazhdueshme, humbje të peshës, shikim të paqartë, djersitje dhe mungesë të energjisë.

Sipas IDF-së, mbi 1,1 milionë fëmijë dhe adoleshentë nën moshën 20 vjeç jetojnë me diabet tip 1.

– Diabeti i tipit 2 – më parë i quajtur si diabeti që nuk është i varur nga insulina, është lloji më i zakonshëm i diabetit, nga i cili janë të prekur rreth 90 për qind të të sëmurëve në të gjithë botën dhe përdorimi i insulinës rezulton joefektiv për trupin, duke shkaktuar të ashtuquajturin “rezistencë të insulinës”.

Sëmundja kryesisht është si rezultat i peshës së tepërt të trupit dhe pasivitetit fizik.

Meqenëse simptomat e diabetit të tipit 2 janë më pak të shënuara, diagnoza e sëmundjes mund të vijë disa vjet pas fillimit të saj, duke shkaktuar komplikime shëndetësore.

– Diabeti i tipi 3, i quajtur diabeti gestacional, karakterizohet nga nivele të larta të glukozës në gjak ose hiperglicemisë gjatë shtatëzanisë.

Kjo mund të paraqitet në çdo kohë gjatë shtatzënisë, ka shumë të ngjarë pas javës së 24-t dhe zakonisht zhduket pas shtatzënisë.

Gratë me këtë lloj diabeti kanë një rrezik të lartë të komplikimeve gjatë shtatzënisë dhe gjatë lindjes, ndërsa ata dhe fëmijët e tyre gjithashtu janë në rrezik të rritur nga diabeti i tipit 2 në të ardhmen.

Rreth 15,8 për qind ose 20,4 milionë lindje janë prekur nga hiperglicemia gjatë shtatzënisë në vitin 2019.

Përhapja e diabetit nëpër vende

Kina, India dhe SHBA janë vendet me numrin më të madh të të rriturve me diabet të moshës 20-79 vjeç në vitin 2019 dhe parashikohet të mbetet e tillë deri në vitin 2030.

Ndërkohë, raportet e IDF-së parashikojnë që numri i të rriturve me diabet në Pakistan do ta tejkalojë atë në SHBA dhe do të arrijë në vendin e tretë deri në vitin 2045.

Në Turqi, IDF vlerëson rreth 6,6 milionë të rritur (të moshës 20-79 vjeç) që jetojnë me këtë sëmundje në vitin 2019.

Raporti gjithashtu parashikon se Turqia do të ketë 10,4 milionë njerëz të së njëjtës grup moshë me diabet në vitin 2045.

Dita Botërore e Diabetit

Dita Botërore e Diabetit u themelua në vitin 1991 nga IDF dhe OBSH si reagim ndaj shqetësimeve në rritje për kërcënimin e shëndetit të shkaktuar nga diabeti.

Me miratimin e një rezolute, 14 Nëntori u bë dita zyrtare e OKB-së në vitin 2006 dhe shënoi ditëlindjen e Sir Frederick Banting, i cili së bashku me Charles Best zbuluan insulinën në vitin 1922./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit