Deri ku do shkojë kriza e Katalunjës

0

Nga Bernard Guetta

Është një mekanizëm që mund t’ju shpjerë larg, shumë larg. Të enjten në mëngjes, pak para skadimit të ultimatumit të nisur nga Spanja, presidenti i Katalunjës Carles Puigdemont tha se nëse Madridi vazhdon të kundërshtojnë rrugën e dialogut, “parlamenti i Katalunjës do të vazhdojë të votojë një shpallje zyrtare formale të pavarësisë, e cila nuk u votua” gjatë seancës së fundit.

Nëse fjalët kanë kuptim, Puigdemont sapo ka njoftuar kryeministrin spanjoll, për atë që Rajoy i kishte kërkuar të vinte në dukje, pra që nuk ka pasur asnjë shpallje të pavarësisë (gjë e cila është e vërtetë), që mund të vijë një e tillë, por që në ndërkohë, dialogu mes Madridit dhe Barcelonës mbetet i mundur.

Mariano Rajoy mund të propozojë hapjen e menjëhershme të negociatave, dhe në anën tjetër, duke qenë se Presidenti i Katalunjës vazhdon të mbajë një qëndrim të paqartë, Këshilli i Ministrave i Spanjës do të vendosë sot, se si të zbatojë nenin 155 të Kushtetutës, i cili do të pezullonte autonominë katalanase, në mesin e javës së ardhshme.

Nëse me të vërtetë do të shkohet kaq larg dhe papritmas parlamenti i Katalunjës do të shpallë pavarësinë, Madridi do të duhet të përballet me një lëvizje proteste dhe të vazhdojë me arrestime të reja, të cilat do të përforcojnë polemikat duke acaruar palët. Indipendentistët më radikalë, në atë pikë do të kenë fituar dhe do ta shtyjnë Madridin të sillet si një pushtues, duke e bërë Katalunjën një koloni, dy kushte të cilat do të lejonin Barcelonën të thërriste në ndihmë të drejtën për vetëvendosje.

Nëse gjërat do të shkonin kështu, jo vetëm Spanja dhe Katalunja do të mbërrinin në një qorrsokak, prej ku do të ishte e vështirë të dilnin, por kjo krizë mund të degjeneronte shpejt në dhunë, pasi të dy palët do të udhëhiqeshin vetëm prej pasioneve të ndezura.

Kjo është një situatë shumë shqetësuese, sepse dialogu duket gjithnjë e më i paimagjinueshëm mes katalanasve dhe pjesës tjetër të Spanjës, me të parët që kanë shkelur ligjin dhe të dytët, që kanë bërë gjithçka për të justifikuar radikalizimin e indipendentistëve.

Ka ardhur koha për të thënë mjaft. Duhet dialog. I shërben Spanjës, Katalunjës dhe Bashkimit Evropian, në të cilin Spanja është ekonomia e katërt. Nëse ky dialog nuk arrin në një kompromis, do u takojë votuesve të marrin një pozicion, me shumicë të cilësuar, sepse një vendim i tillë nuk mund të merret me 51 përqind të votave. Ne duhet t’i braktisim këto qëndrime vetëvrasëse, dhe 26 udhëheqësit e tjerë europianë duhet të kontribuojnë më shumë, në vend se të përqafojnë verbërisht intransigjencën e madrilenasve. / France Inter – Bota.al