Dënohet ndërhyrja e policisë në TV Mitrovica

0
51

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim ka marrë lajmin se Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhunshëm në lokalet e TV Mitrovica.
Sipas njoftimit, policia me urdhër të komunës ka uzurpuar lokalet në të cilat operon ky televizion lokal dhe ka demoluar edhe pajisjet teknike të kësaj medie. Ndërhyrja ka ardhur pas një urdhri të Komunës së Mitrovicës që pretendon pronësi mbi objektin në fjalë.

AGPK kërkon tërheqjen e policisë dhe pezullimin e urdhrit të Komunës deri në vendimin final të gjykatës mbi pronësinë e këtyre lokaleve.

Komuna e Mitrovicës me datën 10 korrik 2012, ka lëshuar një konkluzion mbi lejimin e ekzekutimit të aktit administrativ për zbrazjen e zyrave dhe hapësirave tjera që i shfrytëzon RTV Mitrovica. Stafi i këtij televizioni i janë drejtuar organeve gjyqësore lidhur me këtë kontest pronësor, në mënyrë që gjykata të thotë fjalën përfundimtare.

“Ndërhyrjet e pushtetit në media, sikur kjo që ka ndodhur në TV Mitrovica cenojnë rëndë Lirinë e Shtypit dhe vlerat demokratike në vend”, thuhet në deklaratën e AGPK.

Ndërkohë pronari i TV Mitrovica, Nexhmedin Spahiu, i cili momentalisht ndodhet në Qiprio, ka dënuar këtë akt të dhunshëm të policisë dhe të Komunës. Ai ka thënë se “organet shtetërore e kanë shfrytëzuar rastin për të bërë atë që kanë bërë, pasi ai nuk ndodhej në Mitrovicë”. /Telegrafi/kohaislame