8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Dënimi me burg nga Izraeli shkakton dhimbje te familja e punonjësit të TIKA-s

Më të lexuarat

Murtexha u arrestua më 12 shkurt të vitit 2017 teksa po largohej nga Rripi i Gazës për të shkuar në Ankara, ku do të merrte pjesë në një konferencë trajnuese të organizuar për punonjësit e TIKA-s

 

GAZA (AA) – Familja e Muhammed Murtexha, punonjësit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Rripin e Gazës i cili u dënua me nëntë vite burgim nga gjykata izraelite, ndihet e pikëlluar për të dhe e frikuar për fatin e tij në burgun e Izraelit.

Fëmijët Ahmedi (13), Abdurrahmani (11) dhe Faruku (8) me lot në sy shprehin mallin për babanë e tyre, në të njëjtën kohë duke qenë të frikuar për fatin e tij.

Faruku dëshiron të dijë nëse babai i tij është i etur, uritur ose i pikëlluar në burg dhe nëse atij i bëhen tortura.

Ndërkaq, e pavetëdijshme për ndodhitë, vajza e tij Sara, e cila ende nuk i ka mbushur dy vite e gjysmë jetë, xhaxhallarëve u drejtohet me “baba”.

Nga ana tjetër, e shoqja Fatima, tregon se Sara u kishte lindur pas vdekjes së vajzës Merjemit dhe se Murtexha ishte arrestuar kur ajo kishte mbushur një vjet.

Kur Murtexha takohet me anëtarët e familjes ose avokatin e tij, ai pyet: “Si është Sara, si ecën; çfarë ha; çfarë vesh; si e hodhi hapin e parë; si flet?” Sipas Fatimas, Murtexha vuan në burg nga fakti që e ka të pamundur ta sheh vajzën e tij teksa rritet.

“Është e vështirë mungesa e Murtexhait. Aktualisht po përpiqemi ta tejkalojmë mungesën e tij. Të paktën duhet të jemi të fortë për fëmijët. Megjithatë, nuk është lehtë”, shprehet më tej Fatima.

– Karrige e zbrazët në tryezën e ushqimit

Fatima thekson se mungesa e të shoqit ka shkaktuar një zbrazëtirë të madhe në jetën e tyre.

“Karriga e Muhamedit ngeli e zbrazët në sofrën në të cilën të premteve hamë bashkë”, thotë Fatima, duke e cilësuar këtë fakt si tragjedi për familjen e tyre.

– “Synojnë të hijëzojnë aktivitetet humanitare”

Mithat Murtexha, babai 67 vjeçar i Muhamedit, tha se akuzat ndaj të birit të tij janë tirane, të padrejta dhe në kundërshtim me kriteret e paanshmërisë.

Ai thotë se djali i tij ka punuar në TIKA me besnikëri dhe pa asnjë paragjykim politik, vetëm e vetëm për t’u ndihmuar njerëzve në nevojë.

“Duan t’i hijëzojnë aktivitetet humanitare në Gaza”, potencon babai i pikëlluar, duke i cilësuar këto masa si përpjekje të Izraelit për t’i mbajtur banorët e Gazës nën trysni.

– “Turqia ishte atdheu i tij i dytë”

Babai Mithati tregon më tej se Muhamed Murtexha kishte ndjenja të afërsisë për Turqinë, duke e konsideruar atë si atdhe të dytë, pasi ai kishte kaluar gjashtë vite në këtë vend për të studiuar arkitekturën.

Ai u bëri thirrje shteteve mike të popullit palestinezë dhe organizatave humanitare të japin përpjekje për lirimin e Muhamedit.

– Nëna e Murtexhait: Vendimi i gjykatës izraelite është barbarizëm

Ndërkohë, nëna Tagrid (64) e ka pritur me tronditje vendimin e gjykatës kundër djalit të saj, ndërsa këtë vendim ajo e cilëson si barbarizëm.

“Ndarja në fakt është një gjë që shkakton shumë dhimbje”, thekson Tagrid, duke shtuar se Murtexhai nuk e ka klasifikuar askënd sipas subjekteve politike në Gaza.

Edhe avokati i Murtexhait, Halid Zebarka, duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon se klienti i tij është akuzuar për anëtarësim në Hamas dhe për kanalizim të ndihmave të TIKA-s në vitet 2014-2015 drejt Hamasit.

Në mesin e akuzave ndaj Murtexhait bëjnë pjesë edhe aktivitetet si shpërndarja e ndihmave të prura nga organizata humanitare nga Turqia IHH për njerëzit në nevojë në kohë lufte dhe organizimi i ceremonive martesore për të rinjtë palestinezë.

Sipas Zebarkas, akuzat ndaj klientit të tij në fakt janë argument se qeveria izraelite dëshiron t’i shkelë në tërësi palestinezët dhe t’i ndëshkojë nevojtarët në Gaza.

Ndryshe, 41 vjeçari Murtexha u arrestua më 12 shkurt të vitit 2017 teksa po largohej nga Rripi i Gazës për të shkuar në Ankara, ku do të merrte pjesë në një konferencë trajnuese të organizuar për punonjësit e TIKA-s, ndërsa të dielën që lamë pas, ai u dënua me nëntë vite burgim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit