12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Demokraci apo dystopi?

Më të lexuarat

Nga Ilir Kalemaj

Dy vjet më parw, fjala “post-truth” u shpall fjala e vitit nga fjalori i Oksfordit në garë të ethshme me “lajmet e rreme” [fake news]. Në fakt, fabrikimet dhe lajmet e rreme kanë një histori mjaft më të hershme. Për shembull, një master i manipulimit mediatik të themi, ka qenë Pietro Aretino që kompozonte sonete fyerëse mbi kandidatët për papë në 1522 dhe i postonte ne buletinin e shpallur pranë Piazza Navona në Romë. Këto sonetë që i postonte nën një pseudonim “Pasquino”, u quajtën “pasquinades” dhe u bënë një zhanër mjaft popullor që vazhdoi deri në shekullin e 18 dhe nga Roma u përhap në Paris dhe më gjerë. Në fakt, aq shumë progres qe bërë deri atëherë sa një kategori e re “novelistët” ishin ara që përhapnin thashethemet zyrtare që kombinon pak të vërteta dhe shumë gënjeshtra nëpërmjet librave dhe gazetave klandestine. Ndërsa rreth fundit të shekullit 18-të në Londër nisën të publikoheshin pararendësit e tabloideve të sotme, revista skandalesh siç quheshin asokohe dhe fshikullonin personazhe publikë.

Por nuk duhet të harrojmë që shpesh liria e fjalës së shkruar është mbrojtur edhe nëpërmjet logjikës që lajmi nuk është çfarë realisht ka ndodhur por një histori apo narrativë mbi atë që ka ndodhur, pra filtrat apo syzet me të cilat e sheh gazetari apo narratori, por ky është nje debat më vete. Qysh herët liria e shprehjes i është bashkangjitur Kushtetutës amerikane nëpërmjet amendamentit të parë në 1791 dhe mandej është bërë pjesë esenciale e kushtetutave në vendet që sot kategorizohen si demokraci liberale. Është një nga të drejtat apo liritë esenciale, bashkë me të drejtën e jetës, lirinë e gëzimit të pronës private dhe për të votuar.

Në fakt, qysh me shpikjen e World Wide Web nga Tim Berners-Lee në 1990-ën, nga një anë kemi akses të demokratizuar dhe pjesmarrje në agorën publike të çdolloj individi që ka diçka për të thënë apo një audiencë për ta dëgjuar, dukë mos përjashtuar as “budallain e lagjes” që siç përmend me thumb Umberto Eco dikur dëgjohej vetëm në pijetoren e lagjes dhe tashmë nuk është çudi të ketë edhe audiencë globale. Pra edhe hapësirë demokratike dhe pjesmarrëse duke i’u kundërvënë njëfarësoj monopolit të elitave, por edhe me riskun që çdolloj narcizi, grafomani apo thjesht idioti do ta keqpërdorë aksesin për të shpërhapur dezinformacion, lajme të rreme apo thjesht delire që nuk shtojnë gjë në kandarin e arsyes. Sikundër shkruan Tom Nichols në librin e tij “Vdekja e Ekspertizës”, ka një bindje të përhapur mes qytetarëve të zakonshëm që opinioni i tyre është po aq i mirë sa edhe i çdokujt tjetër dhe kjo shtyn drejt një mosbesimi kolektiv ndaj teknokratëve dhe ekspertëve në fusha të ndryshme.

“Vdekja e ekspertizës” përkon jo pak herë me rritjen e populizmit, i cili mund të rezultojë po aq i dëmshëm për demokracinë, po aq sa ana tjetër e medaljes: autoritarizmi. Ky i fundit shpesh vjen i maskuar nën kërcënimin e proceseve ligjore dhe gjyqësore, nën maskën arrogante të kërcënimit të “shkopit” apo nën incentivizimin ëmbëlsues të “karrotës” por ngelet po aq diabolik dhe i rrezikshëm në të dy rastet.

Natyrisht faktet janë fakte dhe ingorantia non excusat. Kjo është një apel dhe për kapardisësit e ekraneve që flasin rroma përtoma apo siç thotë populli “kodra pas bregut”, pa u thelluar në vërtetësinë e lajmit, pa verifikuar burimet, pa bërë gazetari investigative dhe kështu me radhë. Por çdo përgjegjësi është e ndarë dhe kjo nuk do të thotë që dikush mund t’i heqë dikujt të drejtën e mendimit, opinionit apo analizës në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Siç thoshte mençurisht ish-senatori dhe sociologu i famshëm amerikan Daniel Patrick Moynihan: “secili ka të drejtën e opinionit të tij, por jo edhe të fakteve të tij”. Thënë kjo, çdolloj kërcënimi për agjitacion i maskuar si mbrojtje ndaj së vërtetës, të vërtetës së pushtetit, është një kërcënim për demokracinë dhe liritë esenciale të individit dhe e cuar më larg mund të shtyjnë drejt një të ardhme distopike të paralajmërimeve Orwelliane, ndonëse teorikisht do vijojmë të quhemi demokraci.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit