12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Del në pah “telegrami diplomatik” që tregon se si Franca urdhëron të arratisen autorët e gjenocidit në Ruandë

Më të lexuarat

Drejtori i Kërkimeve i Qendrës Kombëtare Kërkimore të Francës (CNRS), François Graner, njëherësh anëtar i Shoqatës Survie, që studion arkivat e presidentit François Mitterrand, ndau me gazetarin e Anadolu Agency (AA) “telegramin diplomatik” që tregon se Franca urdhëroi të arratisen nga rajoni autorët e gjenocidit në Ruandë.

Këshilltari i Ministrit të Jashtëm të atëhershëm Alain Juppe dhe Drejtori i Përgjithshëm aktual i Njësisë së Inteligjencës së Jashtme Franceze DGSE, Bernard Emie, më 15 korrik 1994 në orën 18:22 i dërgoi një “telegram sekret diplomatik” special përfaqësuesit të atëhershëm të Francës në Ruandë, Yannick Gerard.

Në telegram deklarohet se derisa “komuniteti ndërkombëtar në New York” është në procesin e përcaktimit të vendimit që do të merret kundër autorëve të gjenocidit, nga Gerard u kërkua të mos shkonte në Cyangugu në Ruandë për t’u takuar me zyrtarët qeveritarë që kryen gjenocidin.

“Ju mund të përdorni të gjitha kanalet indirekte, dhe posaçërisht kontaktet tuaja afrikane, për të përcjellë tek këta zyrtarë (nën kontrollin e ushtrisë franceze) se ne u kërkojmë atyre të braktisin Zonën e Sigurt të Ndihmës Humanitare, pa zbuluar drejtpërdrejt veten. Nënvizoni se bashkësia ndërkombëtare, dhe veçanërisht Kombet e Bashkuara (OKB), së shpejti do të përcaktojnë rrugën që duhet ndjekur kundër këtyre të ashtuquajturve autoritete. Nënshkrimi: Emie”, thuhet në telegram.

“Urdhri u dha nga ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Alain Juppe”

I njohur për punimet e tij mbi rolin e Francës në gjenocidin e Ruandës, Graner tha: “Ne e dinim që Franca lejoi autorët e gjenocidit të iknin. Por ne nuk e dinim që Franca dha një urdhër të tillë. Ky dokument tregon se si Franca e mori këtë vendim. Urdhëri u dha nga ministri i Punëve të Jashtme i kohës, Alain Juppe”, deklaroi ai.

Duke theksuar se ky dokument tregon dy gjëra, Graner tha:

“Kjo tregon se përpara se OKB-ja të vendosë nëse është e nevojshme të kapen ata që kanë kryer gjenocid apo jo, ata lejohen të shkojnë. (Në telegram) “Autoritetet ruandeze” përdoren në vend të frazës “autorët e gjenocidit”. Megjithatë, ne e dimë që me një dokument tjetër, Ministria e Jashtme franceze u informua se këta njerëz ishin autorët. Nga ana tjetër, telegrafi thotë (se është dhënë urdhri) të mundësohet ikja (e autorëve të gjenocidit), por kjo të bëhet fshehtazi”.

Duke deklaruar se zyrtarët francezë kishin kontakte me autorët e gjenocidit më 1994, Graner deklaroi: “Franca është i vetmi vend që pranoi përfaqësuesit e qeverisë (autorët e gjenocidit) themelimin e së cilës e mbështeti. Gjatë gjenocidit, në prill 1994, u pritën dy përfaqësues në kryeministri, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Pallatin Elysee”, tha ai.

Ai theksoi se Yannick Gerard, përfaqësuesi i Francës në Ruandë, dëshironte që autorët e gjenocidit të kapeshin, por ai ndoqi udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke shtuar se Gerard kishte hapur kufijtë e mbyllur në mënyrë që këta njerëz të arratiseshin dhe i dërgoi në kufi me automjete.

Graner deklaroi se këta njerëz ishin 14 anëtarë të qeverisë që kryen gjenocidin, duke përfshirë kryeministrin dhe shumë ministra.

“Franca mbështeti të mërguarit dhe ushtrinë ruandeze”

Graner deklaroi se këta njerëz shkuan në Gabon, Afrikën Perëndimore, dhe vendet evropiane.

“Kjo është provë politike e mbështetjes së vazhdueshme të Francës për një grup ekstremist Hutu para, gjatë dhe pas gjenocidit. Franca iu besoi atyre për të mbajtur rajonin nën ndikimin e saj. Franca, duke ditur se çfarë kishin bërë (autorët e gjenocidit), për të rimarrë Ruandën, ajo gjithashtu pas gjenocidit u besoi atyre dhe mbështeti të mërguarit dhe ushtrinë ruandeze”, thuhet më tej.

Graner nënvizoi se “politika franceze” mbështet vazhdimisht ata që kryen gjenocidin para, gjatë dhe pas gjenocidit.

Ndërkaq, në lidhje me telegramin, ai tha: “Ai paraqet një problem serioz jo vetëm për sa i përket së drejtës ndërkombëtare, por edhe për sa i përket ligjit francez. Ky vendim u mor në Francë, megjithëse kryeministri (Franca) favorizonte arrestimin e atyre që kryen gjenocid”.

Graner theksoi se pasojat e mbështetjes së Francës për gjenocidin kundër komunitetit Tutsi janë të rënda.

Gjenocidi në Ruandë

Ndryshe, Në Ruandë, në vitin 1994, pjesëtarë të komunitetit Hutu filluan një gjenocid kundër popullatës Tutsi, të cilën ata e konsideruan përgjegjëse për rrëzimin e avionit të presidentit të atëhershëm Juvenal Habyarimana.

Më shumë se 800 mijë pjesëtarë të komunitetit Tutsi vdiqën në masakrën 100-ditore në vend.

Të gjitha arkivat e presidentit të atëhershëm François Mitterrand në lidhje me rolin e Francës në gjenocidin e Ruandës tregojnë se Franca kishte konfirmuar mbështetjen e saj ushtarake, politike dhe mediatike për pjesëtarët e komunitetit Hutu dhe se autoritetet franceze ishin informuar se po përgatitej gjenocidi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit