19.5 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Deklaratat e frikshme të Vuçiqit për ‘nyjën kosovare’

Më të lexuarat

Presidentit i Serbisë Aleksandër Vuçiq ia ka kushtuar një shkrim Kosovës dhe vendimeve të vështira që e presin atë në raport me Kosovën dhe integrimet e Serbisë në BE.

Në shkrimin e publikuar në Gazetën “Blic” të Beogradit, Vuçiq ka folur pak më ndryshe për Kosovën, saqë shkrimin e tij e ka shpërndarë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit e vlerëson shkrimin si një hap të madh të ardhmen e të dy kombeve, mirëpo duke kujtuar thënien “nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”, tregon skepticizmin e tij karshi qëndrimeve të presidentit Serb.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndër të tjera ka bërë thirrje për popullin serb që “… të mos lejojmë të humbim ose dikujt t’ia dorëzojmë atë që e kemi, por të mos presim që do të na vijë përdore ta kthejmë atë që moti e kemi humbur”.

Tutje ai ka thënë se “në mënyrë që përparimi ynë të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm, duhet që nëse asgjë tjetër të paktën të përpiqemi ta zgjidhin nyjën gordiane të Kosovës dhe jo të fshihemi dhe barrën më të rëndë t’ua lëmë fëmijëve tanë”.

Shkrimi është parë me sy të ndryshëm nga analistët.

Për Nora Visoka Wellerin, drejtoreshë e Cambridge Academy of Global Affairs, është shumë herët të gjykohet nëse ka ndryshuar qasja e Serbisë ndaj Kosovës.

“Nga deklarata e presidentit Vuçiq duket të ketë përpjekje që të ndryshohen pikëpamjet brenda përbrenda strukturave të tij ndaj vetë historisë së tyre, dhe ky fakt është një akt i mirëpritur, posaçërisht nëse Presidenti Vuçiq inkurajon që Serbia të ballafaqohet me realitetin, domethënë të jetë më realiste në raport me Kosovën”, tha ajo për Gazetën JNK.

E, për pjesëtaren e shoqërisë civile, Besa Shahini, qëndrimet e Vuçiqit nuk janë diçka e re për politikën e Serbisë. Sipas saj të njëjtin ton e ka përdorur Serbia edhe në vitin 2010 dhe 2011 kur bindi bashkësinë ndërkombëtare që të nisë një dialog të ri për shtetësinë e Kosovës. Madje Shahini thotë se shkrimi i presidentit serb nuk është shkruar për qytetarët serb, por për bashkësinë ndërkombëtare.

“Vuçiqi po flet prapë për bashkësinë ndërkombëtare. Po ju çon porosi se është çelësi i stabilitetit në Ballkan dhe se është gati të bisedoj me popullin e vet për të gjetur zgjidhje për Kosovën. Por, duhet të mbajmë në mend se atij nuk I konvenon të gjejë zgjidhje permanente për Kosovën. Roli i tij i ‘stabilizuesit’ në Ballkan varet nga mundësia e tij për të nisur konflikte në rajon të cilat ai pastaj bëhet se gjoja po i zgjidh”, tha ajo për Gazetën.

Profesori Ibrahim Berisha thotë se qëndrimi i Vuçiq, me theksin “për të nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovë”, mund të jetë ndër më fatalët për tërësinë integrale dhe sovranitetin e Kosovës. Për të Vuçiq edhe formalisht do hisen e Serbisë në Kosovë, të cilën e konfirmon se tashmë e ka dhe duhet përfunduar me procedura “demokratike”.

“Ai nuk flet për shtetin e Kosovës, por për një pjesë të Serbisë në Kosovë, i cili sipas konstruktit politiko-administrativ të Beogradit, formalizohet përmes Asociacionit si hap i fundit për copëtimin territorial të Kosovës. Jo rastësisht, Vuçiq del me këtë propozim kur kriza e bërjes së qeverisë është e dukshme dhe partia e tij në Parlamentin e Kosovës, synon të maksimalizojë përfitimet që i dhurohen nga kultura bajraktare dhe provinciale e liderëve të partive të shqiptarëve”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Ndërsa, sa i përket vazhdimit të dialogut në nivel presidentësh dhe finalizimin e tij me njohjen e Kosovës nga Serbia, Visoka-Weller thotë se dialogu duhet të vazhdojë, por rrethanat duhet të jenë më të volitshme për Kosovën.

“Është e ditur se në çdo lloj shkëmbimi negociues palët në anët e kundërta të tavolinës krijojnë qëndrimin e tyre duke u bazuar në pozitën, fuqinë dhe dobësinë e palës së kundërt, ndërsa Kosova është ende në paqartësi të formimit të qeverisë”, tha ajo.

Sipas saj është pikërisht kjo situatë determinon sa do të zgjatë dialogu dhe çfarë tema është në situatë të negociojë Kosova.

Ndërsa, për analisten Shahini, vazhdimi i dialogut që duket se do të vazhdojë në nivel të presidentëve, po bëhet që të mundësohet faktorizimi i Thaçit dhe Vuçiqit njëkohësisht.

“Por nuk besoj se do të përfundojë me njohje. Serbia edhe mund ta heq Kosovën nga Kushtetuta e vet – por jot a njoh shtetësinë. Është e mundshme që e futë Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe në Kushtetutën e vet – që e bënë të pamundshme pavarësimin e Kosovës nga influence sabotuese e Serbisë”, tha ajo. /Gazeta JNK/kallxo.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit