6.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Deklarata përfundimtare e konferencës botërore: “Trendet intelektuale ndërmjet lirisë së shprehjes dhe rregullave të Sheriatit”

Më të lexuarat

Deklarata përfundimtare e konferencës botërore:
“Trendet intelektuale ndërmjet lirisë së shprehjes dhe rregullave të Sheriatit”
Lavdërimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi qofshin për Profetin e fundit, Profetin Muhamed, familjen dhe mbarë shokët e tij.
Nën kujdesin e Shërbyesit të dy Xhamive të Shenjta, mbretit të Arabisë Saudite Selman ibn Abdulaziz Al Saud, Liga e Botës Islame, e përfaqësuar nga Akademia e saj e Fikhut Islam, organizoi në selinë e saj në Mekën e nderuar, ndërmjet datave 20-22 Xhumadi el-Ahir 1438h./ 19-21 Mars 2017e.s. në prezencën e një numri të madh dijetarësh, mendimtarësh dhe predikuesish islam, konferencën botërore me titull: “Trendet ideologjike ndërmjet lirisë së shprehjes dhe rregullave të Sheriatit”
Konferencën e hapi në emër të Shërbyesit të dy Xhamive të Shenjta, princi Halid el-Fejsal ibn Albdulaziz Al Saud, princi i Mekës së nderuar. Në fjalën e tij përshëndetëse Shërbyesi i dy Xhamive të shenjta i uroi mirëseardhjen miqve të konferencës, dijetarëve dhe mendimtarëve, dhe vuri theksin te pikat referuese ndriçuese që përmbante tema e konferencës dhe vlera që ajo ka për të gjithë, duke e konsideruar atë si një dokumente themeltar. Në fjalën përshëndetëse fjalën e mori edhe hirësia e tij Shejh Abdulaziz ibn Abdullah Al-Shejh, Myftiu i përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite, kryetari i Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj të saj, kryetar i Këshillit të Lartë të Ligës së Botës Islame dhe kryetar i Akademisë së Fikhut Islam. Më pas fjalën e mori sekretari i përgjithshëm i Ligës, kryetar i Këshillit Administrativ të Këshillit të Dijetarëve Musliman dhe zëvendës kryetar i Akademisë së Fikhut Islam Dr. Muhamed ibn Abdulkerim el-Isa, sekretari i përgjithshëm i Akademisë së Fikhut Islam Dr. Salih ibn Zabin el-Merzuki, kryetari i Çështjeve Fetare Turke Dr. Mehmet Gurmez, i cili foli në emër të qarqeve shtetërore pjesëmarrëse nga bota islame, shejh Abdullah ibn Bejah, kryetar i Forumit të Forcimit të Paqes në Shoqëritë Islame, i cili foli në emër të organizatave islame joshtetërore që merrnin pjesë në konferencë.
Pjesëmarrësit pasi diskutuan rreth studimeve akademike dhe intelektuale që u paraqitën në konferencë vendosën si më poshtë:
1.Sekretariati i Përgjithshëm i Akademisë së Fikhut Islam në Ligën e Botës Islame duhet të përgatisë një draft projekt i cili duhet të përmbajë: Rregullat dhe kriteret sheriatike rreth pikëpamjeve intelektuale bashkëkohore. Ky material duhet t’i paraqitet Akademisë në sesionin e saj të ardhshëm. Pas miratimit të tij nga ana e Akademisë përfundimet duhet të gjejnë rrugën e tyre të zbatimit në qarqet e ndryshme islame.
2.Ftojmë organizatat qeveritare dhe joqeveritare në botën islame të punojnë në forcimin e virtyteve të larta të Islamit, që ftojnë në dashuri, bamirësi, tolerancë, bashkëjetesë e harmoni dhe parandalojnë shkaqet e përçarjes, konfliktit dhe urrejtjes. Pjesë e këtyre virtyteve është edhe të kuptuarit e ligjit natyral të Krijuesit për mospajtimet, larminë dhe pluralizmin, si dhe të qenit i përzemërt ndaj shkollave të ndryshme islame, në kontekstin e prurjeve të tyre akademike dhe intelektuale të lejuara sheriatikisht, duke e konsideruar këtë një nga tiparet e gjerësisë së sheriatit islam, univeralitetit dhe mëshirës së tij ndaj njerëzve.
3.Ftojmë muslimanët të respektojnë lidhjen që krijon besimi dhe bashkëjetesa nën hijen e tij. I ftojmë ata t’i përmbahen etikës islame dhe modelit të tij të lartë në dialog, në sqarimet akademike dhe intelektuale, duke u ruajtur nga përçmimi i ndjekësve të shkollave islame, nxitja e konfliktit dhe ndjellja e grindjeve sektare. Sjellje të tilla duhet të penalizohen dhe ndiqen në mënyrë gjyqësore.
4.I kërkojmë instancave shtetërore të mbajnë nën mbikëqyrje mjetet e informimit publik që nxisin urrejtjen, përçmimin dhe ndezin fitilin e konfliktit mes muslimanëve, ndër vete ose me të tjerët. Dëmi që sjellin këto media është i madh, sepse ato cenojnë rrugën e duhur që na obligon si musliman t’i shtrëngohemi litarit të Allahut e t’i ruhemi përçarjes dhe konfliktit, në mënyrë që të vëmë në jetë fjalën e Allahut: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër.” Islami ne na udhëzon gjithashtu të jemi bamirës, të drejtë dhe bashkëjetues me muslimanët dhe të tjerët, Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.”
5. Tërheqim vëmendjen ndaj emërtimeve dhe klasifikimeve fetare e ideologjike, qoftë ndaj organizatave qeveritare ose joqeveritare si dhe ndaj individëve, duke e konsideruar këtë vepër si benzinë që i hidhet zjarrit të fitnes mes muslimanëve, si fitil të ekstremizmit, përçarjes dhe konfliktit.
6. T’i përmbahen përkatësisë dhe identitetit islam që i lidh muslimanët, me të cilin Allahu i ka quajtur (musliman). Të ruhen nga emërtimet dhe cilësimet e tjera, të cilat cenojnë këtë emërtim gjithëpërfshirës dhe bashkues. Kërkojmë që e vërteta të sqarohet brenda bazave dhe derivateve të këtij përshkrimi gjithëpërfshirës, sipas metodës së urtë islame, që sqaron dhe këshillon.
7. Emrat dhe përshkrimet identifikuese që lidhen me këndvështrimet e shkollave të ndryshme doktrinale dhe juridike islame, të pranuara nga dijetarët e hershëm të Islamit, nuk zëvendësojnë dhe as konkurrojnë emrin Islam, gjithëpërfshirës. Nuk lejohet që për arsye politike, klanore apo çfarëdo arsye tjetër, këto përshkrime identifikuese nëpër librat e muslimanëve të kalojnë cakun identifikues për të cilin ato janë regjistruar në orgjinë. Nuk lejohet që të cenohet e drejta e bindjes ndaj autoriteteve legjitime; muslimanët duhet të dëgjojnë dhe binden autoriteteve për çka është e pranueshme (fetarisht), si në lehtësi ashtu dhe në vështirësi, si kur janë entuziast ashtu edhe kur nuk janë të tillë edhe kur kjo ndikon në interesat e tyre personale, duke respektuar në këtë mënyrë udhëzimin profetik.
8. I paralajmërojmë muslimanët të ruhen nga pakujdesia e gjykimeve për pafesi (tekfir), risisjellës (tebdi) dhe amoralitet (tefsik). Dijetarët duhet t’i justifikojnë kolegët e tyre dhe të mendojnë mirë për ta, tu qartësojnë atyre të vërtetën dhe t’i këshillojnë me urtësi. Ata duhet të ruhen nga arroganca dhe përjashtimi, duke ditur se e vërteta nuk është pronë personale e askujt. Të gjitha organizatat ose individët duhet të kritikojnë opinionet e tyre para se të akuzojnë të tjerët dhe duhet të dinë se bindjet nuk imponohen, por shtjellohen dhe mbrohen me argumentet përkatëse, në frymën e etikës, dialogut dhe afrimit, duke ndjekur shembullin e Profetit tonë Muhamed (alejhi salatu ue selam) me moralin e tij, që Allahu e përshkruan në këtë mënyrë: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.”
9. Kërkojmë nga komunitet muslimane që jetojnë në vendet joislame, të respektojnë kushtetutën, ligjet dhe kulturën e vendeve ku jetojnë, duke iu përmbajtur veçorive të tyre në bazë të hapësirave kushtetuese dhe ligjore që u garantohen, si dhe t’i përmbahen plotësisht gjykimeve të formës së prerë (të sistemit gjyqësor). Ata që nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë, duhet të largohen nga këto vende pa cenuar rendin apo dëmtuar ndjenjat e përgjithshme.
10. Ftojmë institucionet, organizata dhe qendrat islame në vendet joislame, të ndërgjegjësojnë komunitet muslimane në respektimin e kushtetutës, ligjeve dhe kulturës së vendeve ku jetojnë. Çdo cenim i tyre padyshim do t’i adresohet negativisht Islamit, duke e bërë atë përgjegjës dhe të akuzuar, ndërkohë që Islami s’ka lidhje me këto sjellje. Këto organizata duhet të jenë transparente në aktivitetet e tyre dhe kontribuuese për paqen dhe bashkëjetesën në vendet ku jetojnë. Ato duhet të jenë çelës të mirësisë dhe pjesë e pandarë e shteteve ku jetojnë, duke kontribuar në paqen dhe sigurinë e tyre. Veprat e tyre të bamirësisë humane duhet të jenë ashtu siç urdhëron Allahu në fjalën e Tij kur thotë: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob”, ku nxit ushqimin edhe për robërit e luftës, që i përkasin kampit armik, e jo më të tjerët. Siç e cituam edhe më sipër, ajeti kuranor këshillon bamirësinë dhe drejtësinë me jomuslimanët. Profeti ynë gjithashtu thotë (për bamirësinë): “Për çdo mëlçi (d.m.th shpirt) të gjallë ka shpërblim.” Ndaj muslimanët në këto vende duhet të ruhen nga pasojat negative të klasifikimeve dhe etiketimeve fetare, sektare, racore etj. Duhet të dinë se Islami gjatë gjithë historisë së tij të gjatë është përhapur dhe pranuar për shkak të mëshirës dhe tolerancës që mbart, element këto me të cilat Allahu dërgoi Profetin Muhamed (alejhi salatu ue selam) duke thënë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.”
11. Ftojmë institucionet dhe qendrat islame shtetërorë dhe joshtetërore të ndërgjegjësojnë rininë muslimane rreth rrezikut të ideve ekstremiste, duke u përballur në mënyrë konkrete me mesazhet e dëmshme, që përhapin në këtë drejtim mediat terroriste dhe në veçanti në rrjetet sociale, duke i çmontuar dhe dekonstrukuar ato në detaje.
12. Të vihet në pah se mes shkollave dhe medheheve islame, si në doktrinë ashtu edhe në jurisprudence, nuk ekziston as ekstremizmi dhe as terrorizmi dhe dëshmi për këtë është fakti se ekstremizmi aktual i është kundërvënë të gjithëve njëlloj, pa përjashtim, dhe të gjithë i janë kundërvënë atij. Mbartësit e ideve të devijuara ekstremiste kanë dalë nga udha e drejtë islame dhe ata përbëjnë një pakicë në çdo fe dhe besim. Nuk ka fe që në orgjinë të saj ka ekstremizmin, por po ashtu nuk ka fe që nuk ka brenda saj ekstremistë. Historia njerëzore është e mbushur me ngjarje të këtij soji njerëzish, nga i cili nuk ka shpëtuar as fe, kohë dhe vend, ai shfaqet dhe zhduket herë pas here.
Terrorizmi modern dallon nga të tjerët për nga perversiteti kriminal ku arsyet e lindjes së tij burojnë nga disa element, mes tyre përmendim:
a. mungesa e modelit dhe roli i dobët i tij.
b. rritja dhe zgjerimi i asaj që njihem me emrin ‘rizgjim i rinisë islame’ përkundrejt nivelit të saj të ulët të ndërgjegjësimit dhe dijes, si dhe izolimi nga referencat e besueshme diturore fetare.
c. Nxitja e emocioneve fetare mes rinisë nga disa predikues, pa pasur një lexim të saktë të dimensioneve fetare, politike dhe realiste të ngjarjeve, mos vlerësim i duhur i pasojave dhe rezultateve, pa përmendur këtu gabimet sheriatike serioze në mënyrën e argumentimit, përshtatjes dhe aplikimit të tyre në terrenin konkret.
d. Provokimi negativ i ndjenjave fetare kundra të tjerëve, me fe, shkollë apo ide të ndryshme.
e. Mungesa e njohjes së jurisprudencës së tolerancës dhe bashkëjetesës.
f. Mungesa e njohjes së jurisprudencës së afrimit dhe përfshirjes.
g. Klima negative që ushqejnë mjediset akomoduese, në marrëdhënie me opozitarin.
h. Injorimi që disa prej mjediseve familjare dhe edukative i bëjnë rrezikut dhe pasojave që lë logjika e turmave, në formimin emocional të individit. Varfëria e lëndëve mësimore praktike, që motivojnë mendimin e lirë e të pavarur, larg metodave të bindjes dhe indoktrinimit të verbër, element ky që përbën fillesën e shkaqeve të mungesës së vetëdijes dhe ekspozimit ndaj rreziqeve.
i. Mos njohja e rregullave të sheriatit islam, në vlerësimin mes dëmit dhe dobisë.
j. Përhapja e fenomenit të islamofobisë në disa vende joislame dhe shfrytëzimi i saj për të shtuar prezencën politike dhe mediatike. Kjo është një nga shkaqet më të rrezikshme që provokon ndjenjat fetare dhe përbën anën tjetër të monedhës së ekstremizmit të dhunshëm, madje në disa raste islamofobia mbart shenja ekuivalente të terrorizmit ideologjik.
k. Injorimi i specifikave islame, që janë në pajtim me rendin e përgjithshëm kushtetues, ligjet civile dhe vlerat që promovojnë tolerancën, bashkëjetesën dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në disa vende jo-muslimane, për shkak të rolit në rritje të tendencave të partive ekstremiste, që bëjnë thirrje për tejkalim të integrimit pozitiv kombëtar dhe bashkëjetesës paqësore, nga e cila karakterizohen përgjithësisht pakicat për vite të tëra, qofshin muslimane ose jo, duke i imponuar atyre asimilimin e plotë, fshirjen e identitetit dhe veçorive të tyre përkatëse, fakt ky që ka ndihmuar në përhapjen e urrejtjes (mes pakicave muslimane).
l. Shkrimet, ligjëratat, thirrjet dhe qëndrimet e herë pas hershme, të disa prej atyre që e fusin veten në mesin e dijetarëve dhe predikuesve islam, duke mbingarkuar ndjeshmërinë fetare, kundrejt një vendimi, ngjarje apo opinioni të caktuar, larg etikës islame, urtësisë, tolerancës edhe sqimës së tij të lartë në qartësimin e qëndrimeve dhe pikëpamjeve. Janë pikërisht këto gabimeve të rënda një nga mjetet më të rrezikshëm që provokojnë ekstremizmin dhe një nga hapat e parë që çojnë ujë në mullirin e dhunës dhe terrorizmit.
m. Në kushtet e kërkimit të egos personale, ka njerëz që bien në kurthet e vetëpëlqimit, në një kontekst vetmashtrues ku nxitet zelli i tepruar.
n. Ndryshimi i kushteve psikologjike dhe sociale (për disa individë) reflektohet në transformime të rrezikshme, qoftë edhe në llogari të fesë.
o. Moskuptimi i disa prej koncepteve islame, dhe mos trajtimi i tyre i qartë, e në veçanti iluzionet dhe kuptimet e rrezikshme, që kanë disa për kuptimin e xhihadit, pushtetit (hakimije), injorancës (xhahilije), shtetit, vendeve të Islamit (darul islam) dhe vendeve të luftës (darul harb),etj… Ne ftojmë Akademinë e Fikhut Islam, pjesë e Ligës së Botës Islame që të marrë iniciativën për t’iu përgjigjur kësaj sfide.

13. Përballja intelektuale ideore me ekstremizmin dhe terrorizmin duhet të jetë boshti kryesor i çrrënjosjes së tij, ndërkohë që fushatat ushtarake edhe pse kanë rëndësinë e tyre, ato nuk mundet dot t’i japin fund betejës me terrorizmin. Bota e terrorizmit është një botë e gjerë virtuale që nuk njeh kufi gjeografikë dhe shumë nga operacionet e tij kriminale kryhen nëpërmjet financimeve modeste që gjenden lehtë, edhe pse në këtë kontekst për të mbajtur nën kontroll burimet e tij duhen mbikëqyrur shkëmbimet financiare, duke ulur masën e transfertave monetare me metodat tradicionale dhe duke i dhënë përparësi atyre bashkëkohore.

Suksesi është në dorën e Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin për Profetin tonë Muhamed, familjen dhe miqtë e tij.
U nënshkrua në Mekën e nderuar më 22 Xhumadi el-Ahir të 1438 h.

Burimi: http://www.themwl.org/web/sites/default/files/lbyn_lkhtmy_llmwtmr.pdf

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit