15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Dehumanizimi si etalon i humbjes së tjetrit

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Përcaktimi i filozofes Han na Arendt mbi banalitetin e së keqes, që lidhet me portretin e “njeriut që nuk sheh njerëzoren në jetën dhe veprimet e tij”, është ndoshta më i aplikuar më shumë se kudo në vendet ish- komuniste. Kjo për faktin se makinat ideologjike prodhonin shoqëri me njerëz që në mënyrë mekanike zbatonin urdhrat pa menduar dhe pa gjykuar se ashtu po rrojnë me të keqen apo që po mbajnë të keqen në këmbë.

Dhe ndër pasojat më të dëmshme të kësaj bashkëjetese me të keqen, me mizoren, që ndodhi në Shqipëri për 50 vite, është ndërtimi i një skeme dehumanizmi të thellë në marrëdhëniet e përditshme njerëzore, që shkakton lehtë- sisht humbjen e tjetrit nga jeta jonë. Njerëz që nuk besonin në asgjë tjetër veç asaj që i urdhërohej dhe sugjerohej nga makina ideologjike e kohës, njerëz që e shihnin tjetrin vetëm si një armik potencial, e kanë pasur të vështirë që në këto vite “nxitimi dhe mbijetese” – që ka karakterizuar 25-26 vitet e fundit, – të arrijnë të lexojnë atë rrëzim të madh njerëzor që ka ndodhur për pesë dekada.

Mjafton të përmendim si fakt të mosleximit të së djeshmes dëshirën e pafund që kanë shqiptarët për njëri-tjetrin për të tallur tjetrin, duke kërkuar hapur të theksojnë mangësitë fizike, mangësitë mendore, sinonimet fyese me emrat, me mbiemrat, me ngjyrën, me besimin, e me gjithç- ka që njeriu nuk e ka në dorën e tij që t’i zgjedhë. Pasojat më të thella të dehumanizimit të gjithanshëm shfaqen sot te lehtësia për të jetuar sipas asaj që u sugjerohet, duke hequr dorë nga kuraja për të ndryshuar, për të kundërshtuar të keqen dhe për të kërkuar llogari ndaj atyre që i drejtojnë.

Nuk është çudi që shumë shpejt, si pasojë e këtij dehumanizimi, edhe ata që kanë menduar të jetojnë me ndershmëri apo që zbatojnë ligjet, mund të nisin e të thonë me zë të lartë se edhe ata janë të aftë për të qenë të poshtër, se janë të aftë të bëjnë keq e se nuk besojnë te ligji por te të fortët. Kjo mund të jetë hipokrizia e re, për të cilën të ndershmit do të kenë nevojë që të bëhen pjesë e shoqërisë së sotme, që më pas të pranohen të bashkudhëtojnë me të tjerët.

Sepse sot, gjithnjë e më pak, njerëzit besojnë se mund t’i zgjidhin problemet përmes mendimit dhe të së drejtës, pasi prej kohësh po mbillet gjithnjë e më shumë ideja se, të jetosh me ndershmëri dhe të kërkosh të jesh i dobishëm, është e kotë. Ky dehumanizim, i gërshetuar edhe me nevojat ekstreme të përditshmërisë, është njëkohësisht mekanizmi që vret lirinë dhe shpresën dhe që kërkon t’i bëjë të gjithë banorë të kotësisë, që nuk reagojnë më përballë asnjë të keqeje, por zgjedhin të bashkëjetojnë me të.

Për më tepër, kalimi nga një shoqëri thellësisht ideologjike drejt vrapit për të arritur “kohën e humbur”, duke hedhur sytë nga bota moderne, ka bërë që të mos kemi guximin të themi shumë të vërteta edhe për rrugën që kërkojmë të ndjekim. Një nga sociologët më të njohur në botë, Zygmunt Bauman, duke e konsideruar modernizmin si “ndryshim pa përfundime të dukshme apo të dëshirueshme”, ka shpjeguar më së miri shoqëritë e sotme, të cilët janë kthyer në “shoqëri të lëngshme” që marrin formën sipas presionit që i ushtrohet atyre, duke tentuar që të ndryshojnë çdo traditë e çdo rregull.

Kjo, sipas Baumanit, ka ardhur përmes mekanizmit të vënies në treg të gjithçkaje – pra, gjithçka në shitje dhe gjithçka ka një çmim. Pra, një shoqëri ideologjike, me një trashëgimi ekstreme të pushtetit të frikës dhe përshtatjes, e vënë prej kohësh edhe përballë një realitetit modern ku vendos çmimi dhe vetëm çmimi, arrin të krijojë edhe kakofoninë e komunikimit, duke lënë si mundësi të madhe përqafimin popullor të hipokrizisë, që mund të na kthehet shumë shpejt në një sport kombëtar.

Përballë këtij etaloni që sjell dehumanizimi, si dhe presioneve të komunikimit që vijnë nga bota e modernitetit, shoqëria ka çaste që tregon se nuk është dorëzuar. P.sh., qytetarët vendosën në fundvitin e shkuar që përmes votave t’i bashkëngjiten një modeli krejt ndryshe të komunikimit në dy vitet e fundit në shoqërinë shqiptare – “Fundjavës Ndryshe”.

Lideri i saj, Arbër Hajdari, u shpall “Njeriu i vitit” nga votuesit në sondazhin e përvitshëm në “Top Channel”, ndërkohë që menjëherë pas tij u votua një gazetar, Marin Mema, që prej kohësh sjell në ekrane “Shqipërinë që nuk duam të shohim”. Këto votime janë një sinjal se votuesit e sondazhit kanë parë këtë herë drejt rrugëve të tjera nga normaliteti që na shfaqet, madje jashtë atyre realiteteve që na sugjerojnë në përditshmërinë tonë vetë televizionet apo politika.

Por, a do të mundet që këto votime, këto mbështetje publike shumë pozitive, të këtyre rasteve apo rasteve të ngjashme me to, që rrëfejnë solidaritetin apo të vërtetën, të krijojnë një realitet tjetër në shoqërinë e sotme? Do të ishim naivë të besonim se ai votim, apo edhe votime të tjera për raste të ngjashme, do të ndryshojë gjithçka në përditshmërinë tonë. Por, ama, ai votim i fundvitit është një shkëndijë se njerëzit mund të hedhin sytë drejt fuqisë që kanë vetë për të ndryshuar dhe për të bërë të ditur se mund t’i thonë të vërtetat, pavarë- sisht hapësirave gjithnjë e më të kufizuara që kanë rreth vetes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit