8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Dasma e Skënderbeut, celebron budallëkun kombëtar në pushtet

Më të lexuarat

Nga Ergys Mertiri

Një dasmë e madhe kombëtare u celebrua këto ditë në Kaninë, ku u martua për së dyti heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me gruan e tij Donikën. Deputeti Fate Velaj, ishte organizator i këtij eventi, duke pretenduar se kjo ka qenë një ëndërr e tij e hershme, se organizime të tilla bashkojnë jugun me veriun, ndërsa shërbejnë edhe për t’i dhënë zhvillim turistik zonës.

Shteti shqiptar në këtë rast po tall menderen, jo vetëm me heroin e vet kombëtar, por edhe me paratë e taksapaguesve. Shfaqje të tilla karnavaleske janë qesharake dhe nuk i shkojnë nivelit të vlerës simbolike që bart subjekti i përdorur.
Por përveç kësaj, një breshëri mesazhesh qesharake na lenë pa fjalë lidhur me qellimet dhe mënyrën e organizimit. Nuk e di se ç’nevojë ka ky shtet të bashkojë jugun me veriun, për sa kohë nuk nuk shohim ndonjë përçarje që na rrezikon kohezionin kombëtar! Për më tepër, bashkëjetesa e qëllimeve patriotike me ato turistike përbëjnë një lloj shartese që ta trazon keq aparatin tretës!

U pretendua gjithashtu se dasma po improvizonte atë çfarë duhet të ketë qenë ajo në atë kohë, duke pretenduar që eventi bart edhe vlera historike, muzeale të një natyre etnografike. Në fakt, veshjet e “dasmorëve” ishin veshje popullore siç na kanë ardhur në fillimshekullin e XX, e po kështu edhe muzika dhe zakonet ceremoniale, gjë që afërmendsh nuk kanë lidhje me kulturën shqiptare të para 600 viteve. Mesa duket kultura shqiptare është vënë në ngrirje frigoriferike për 5 shekuj me rradhë dhe asgjë nuk ka ndryshuar në këtë popull.

Në fakt, kjo duket e vërtetë. Nga Skënderbeu deri tek Fate Velaj, nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe tek shqiptarët. Njësoj si atëherë kur arbërit jepnin jetën për prijësit, edhe sot, shqiptarët japin taksat e tyre për tekat e udhëheqësve. Siç u shpreh vetë, kjo ceremoni ka qenë një ëndërr e vjetër e deputetit artist Velaj dhe ja ku u bë e mundur me paratë e shtetit, plot 25 milion lekë!

Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që fondet publike të derdhen pa kursim për të realizuar një ëndërr personale, megjithëse krejt idiote, të një deputeti. Vërtetë shkoi shtrenjtë, por ama ia vlejti: Fatja u kënaq pa masë. Kjo dallohej qartë në fotot e dasmës që kishin dalë yll fare!/ 27.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit