Lufta sjell ndryshime radikale në shoqëri. Merreni rastin e Gjermanisë dhe Kosovës, nëse dëshironi t’i shihni ndryshimet radikale, por që kanë krijuar efekte të kundërta. Gjermania u ringjallë përkundër planeve që kjo të mos ndodhte kurrsesi. U ringjallë në mënyrën që nuk mund ta kundërshtonte askush. Nga një fajtore për krime të tmerrshme kundër njerëzimit, Gjermania e ndryshoi kursin e lëvizjes dhe duke e ngritur kokën lart dhe duke i përvjelë mëngët, doli mbi të gjitha shtetet në të gjitha aspektet.

Kosova, e cila ishte viktimë e një agresioni sikur ai i Gjermanisë fashiste, u struk e turpëruar në një kënd nga ku nuk u bëri ballë zhvillimeve që solli paslufta. Edhe pse e tërë bota u ngritë në këmbë që ta ndihmonte, Kosova përjetoi fatin e kundërt me atë të Gjermanisë. Jo vetëm që nuk zhvillua, por hyri në rrugë për t’u shpallur fajtore për luftën dhe t’a marrë dënimin e ‘merituar’.

Ne këtë gjë e shohim çdo ditë, por sillemi sikur që i kemi punët më së miri në botë. Kjo shihet në një segment kritik të shkurtër, që para disa ditësh postova në lidhje me dasmat tona. Në lidhje me atë sesi shoqëria më e varfër e Evropës, me probleme të mbijetesës, bën dasmat më luksoze në botë. Pra, fjala është për dasmat e një shoqërie që ka ngecur mbrapa në aspektin ekonomik, politik, kulturor … Ky shembulli i dasmës dikujt mund t’i duket naiv, por në mënyrë shumë të suksesshme e shpjegon gjendjen tonë. Reagimet ndaj postimit tim mund të merren si shembull. Shumica e reaguesve kishin qëndrim të arsyeshëm dhe kjo është inkurajuese, që tregon se ne mund të gjejmë shpëtim nga vorbulla që mundohet të na përpijë e të cilën e kemi krijuar vet.

Postimi im u shpërnda nga disa portale. Shumica e tyre nuk e bënë me qëllim që të zhvillohej debati, por që të krijohej sensacioni për shkak se ndjejnë se kanë obligim për të ushqyer armatën e tyre të injorantëve. Kundërshtarët nuk janë pak në numër dhe duket që nuk njohin asgjë tjetër pos argëtimit. Nga reagimet shohim se ata janë të moshës së re. Janë “muzikantë” dhe përkrahës të tyre që dinë të lexojnë e nuk kanë aftësi të kuptojnë, aq më pak të analizojnë dhe debatojnë. Këta vetëm shajnë dhe mallkojnë. Janë si qentë e çartur që e hanë njëri-tjetrin dhe nuk e diktojnë as kur e kafshojnë veten. Këta janë ata për të cilët PISA na njofton rregullisht me gjendjen e rëndë dhe numrin e tyre që është në rritje. Kjo është pamja e dështimit tonë që ka krijuar arsimi, media dhe politika. Pamje që shikohet me rrëqethje.

Një studim jo shumë i thellë do të tregonte se gjatë dy dekadave të fundit, kjo shoqëri e jona ka harxhuar qindra-miliona euro për dasma. Kjo ndodhë në të njëjtën kohë kur shtetet tona fqinje, shumat e këtilla të parave i kanë kanalizuar në investime në ekonomi, shkencë, kulturë e art. Janë të rrallë ata që e shohin se sa kanë ecur para shoqëritë rreth nesh. Prandaj, ne jemi prapa tyre në çdo aspekt se jemi të zënë me dasma dhe argëtim.

Natyrisht që duhet të jemi kundër këtyre dasmave, por jo kundër dasmës si nocion apo dukuri e nevojshme. Nuk mund të kthehen më dasmat që zgjatnin dy apo tri ditë dhe në të cilat kishte momente sportive, kulturore, argëtuese etj. Por, nëse ne jemi evropianë, siç proklamojmë me zhurmë shurdhuese çdo ditë, atëherë pse nuk bëjmë dasma evropiane të cilat karakterizohen me nivelin e logjikës dhe arsyeshmërisë?

Kjo kastë argëtuese, dasmën e çoroditur e sheh si industri kryesore dhe të vetmen që e mban gjallë këtë popull. ‘Krijon qarkullim të parasë dhe gëzim. E mban gjallë tërë vendin’ – është argumenti i tyre. Në realitet, mu këtu qëndron problemi.

Çfarë shoqërie është ajo që jeton nga dasmat e jo nga ekonomia?

Kjo lloj dasme ka krijuar përfitues agresivë që nuk e duan këtë manifestim ndryshe. Këta janë ata që e presin diasporën, sikur larashët viktimën. Natyrisht, këtu viktima (diaspora) i inspiron vetë larashët. Madje, përgatitet për këtë akt dhe vjen me transparencë e me pankarta në dorë e megafonë në gojë duke bërtitur: ’Ne kemi para’. Pastaj, e bërë ‘asht e lëkurë’ pas dy javëve, i duhet të kthehet për t’i larë borxhet me punën më të rëndë dhe pagesat më të ulëta që bëhen në Perëndim. Këta e kanë themeluar trendin që u imponohet edhe atyre që nuk kanë gjendje financiare sikur diaspora dhe e ndjejnë për obligim përcjelljen e trendit.

Por, pse këta njerëz kanë nevojë të harxhojnë para kot duke e dëmtuar veten?

Ndoshta kjo gjendje shpjegohet nëse kërkojmë ndihmë nga shkenca e psikologjisë. Gjendja jonë e rëndë e ka përfunduar njeriun dhe duket që e ka dërguar në vdekje klinike. Nga aty, njeriu jonë zgjohet si fantazmë, vetëm me rastin e dasmës dhe nën tingujt e muzikës tallava për të hedhur valle mbi varrin e vet. Dasma lukrative shërben për ta krijuar ndjenjën e mirë duke e refuzuar gjendjen e mjerë. Dalldiset për të dëshmuar se është gjallë dhe për ta refuzuar varfërinë, humbjen e dinjitetit dhe shpresës për jetë që ka rezultuar me dështimin e politikës tonë.

Pasi që këtë vështrim e fillova me gjermanët, po e përfundoj me ta. Në filmin ‘Dawnfall’ (Rënia), që tregon momentet e fundit të jetës së Hitlerit (rolin e të cilit, në mënyrë të shkëlqyeshme, e luan aktori zviceran, Bruno Ganz), paraqitet efekti që u mundova ta shpjegoj me rastin e këtyre dasmave tona të dalldisura. Në momentet e fundit, në bunkerin e Hitlerit shpërthen argëtimi. Oficerët, ushtarët dhe administrata e Hitlerit dalldiset në argëtim, për shkak se për ta nuk ekziston e nesërmja. Dehen, vallëzojnë, këndojnë, qeshin, bëjnë seks dhe kënaqen në mënyrë të shfrenuar, derisa udhëheqja e tyre bëhet gati për vetëvrasje. Kjo është dasma e fundit e Gjermanisë naziste. E tërë kjo ndodhë kur ushtria ruse nuk është më larg se dy apo tri kilometra dhe e cila po i afrohej bunkerit duke e shkatërruar Berlinin. Formë e çuditshme e ahengut para kapitullimit dhe poshtërimit të Gjermanisë.

Nëse e shikoni me kujdes, një çoroditje që ofron efekt të këtillë, e vëreni edhe në këto dasmat tona. Athua, edhe ne jemi para kapitullimit shoqëror – kulturor? Athua jemi duke e refuzuar ardhjen e të nesërmes?