Dashuria të shëron

0
135

Zoti i lartësuar e ka krijuar njeriun dhe e ka pajisur me një veçori vetjake të brendshme që ta trajtojë veten dhe ta shërojë atë, dhe kjo, me dashuri.

Studimet kanë vërtetuar marrëdhënien e ngushtë mes mendjes dhe trupit, ashtu siç kanë treguar mënyrën se si dashuria mund ta shërojë njeriun.

Kur ne kemi dashuri për Zotin, krijesat dhe gjithçka tjetër që na rrethon, kur e japim dhe e marrim dashurinë e duhur, truri prodhon hormone të ndryshme, ku më i rëndësishmi është hormoni i oksitosinës, i cili ndryshe quhet hormoni i dashurisë. Ky hormon e nxit njeriun për komunikim, kontakte dhe ndërveprim me të tjerët.

Ky hormon, kryen dhe një funksion tjetër, jo më pak të rëndësishëm se funksioni i lartpërmendur: Ai e mbron njeriun nga efektet negative të tensionit nervor, fiziologjik dhe psikologjik.

Kjo është vërtetuar në shumë studime moderne, prej të cilave dhe ato të profesores Helen Fisher, e cila e kaloi jetën e saj akademike në përpjekje për të kuptuar dinamikën e trurit kur dashuron. Ajo zbuloi se kur njeriu fokusohet tek një person që e do, pjesë të caktuara të trurit shkëlqejnë, gjë e cila do të thotë se ajo vatër është aktivizuar, sidomos vatra e prodhimit të hormonit të dopanimës, hormonit të kënaqësisë dhe lumturisë.

Dr Fisher, thotë se këto hormone që prodhon truri në përpjestim të drejtë me sasinë e dashurisë, mund të prodhohen në sasi shumë të madhe, gjë e cila i fal trupit aktivitet, dinamikë, gjallëri, durim dhe vetëpërmbajtje. Ato e imunzojnë trupin dhe i falin rezistencë, saqë ai përshkon mijëra milje për të arritur tek personi i dashur, madje edhe të sakrifikohet për personin apo gjënë që dashuron.

Falë teknologjisë moderne, studimet shkencore kanë zbuluar se çfarë ndodh në trupin tonë gjatë emocionit të dashurisë. Në përgjithësi, kur ndjejmë dashuri, trupi prodhon një substancë në formë qumështi mes qelizave, substancë e cila akoma nuk dihet se çfarë është. Me prodhimin e kësaj substance, qelizat fillojnë e afrohen më shumë me njëra-tjetrën dhe përmirësohet ndjeshëm performanca e tyre, sikur secila qelizë e dashuron më fort qelizën tjetër.

Për këtë, shohim që personi që dashuron, është shumë herë më aktiv, plot energji dhe i aftë ti kapërcejë problematikat, sado komplekse të jenë.

Sakaq, kur njeriu përjeton emocionin e urrejtjes, kjo substancë qumështi mes qelizave zhduket, gjë e cila çon në largimin e qelizave nga njëra-tjetra, sikur ta urrenin shoqja-shoqen. Për rrjedhojë, ulet performanca e trupit dhe njeriu ndihet i lodhur, i dëshpëruar, i pavlerë dhe i pafuqishëm për të bërë qoftë dhe diçka të vogël.

Dashuria është energjia më e çmuar dhe më e rëndësishme që ka njeriu. Ajo i jep njeriut shansin që të përmirësojë dhe ndreqë atë që është prishur në trupin e tij, i jep energjinë e nevojshme për rikuperimin e qelizave, me qëllim që njeriu të mos e paguajë rëndë faturën nëpërmjet ndonjë patologjie, si tumoret e ndryshme.

Zoti i lartësuar na ka krijuar me aftësi të plota që të trajtojmë dhe shërojmë veten. Ai ka dashur që mjeti më i suksesshëm për trajtimin dhe shërimin e vetes, në aspektin fizik, shpirtëror dhe mendor, të jetë emocioni i dashurisë.

Dr Su Karter, nga universiteti Ellinoy, thotë se njeriu lind i aftë për komunikim social. Sipas aftësisë së njeriut për të komunikuar me dashuri me të tjerët, gëzon shëndet të mirë si fizik, shpirtëror dhe mendor.

Dashuria është e rrënjosur në krijimin e njeriut. Dobitë e saj janë të shumta si në shëndetin fizik, shpirtëror dhe atë mendor. Për shkak të rëndësisë së dashurisë, islami e nxit atë dhe e orienton drejt Zotit, sepse e gjithë jeta është për Zotin “Thuaj lutjet e mia, ritualet, jeta dhe vdekja, janë për Zotin e botëve. I pashoq është Ai.”

Falë dashurisë, shijohet dhe ëmbëlsia e besimit. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush i ka tre gjëra, ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: Kur Zoti dhe i dërguari i Tij, janë më të dashur për të sesa gjithçka tjetër; kur njeriu nuk e do një tjetër veçse për hatër të Zotit..”

Në një thënie tjetër, profeti Muhamed a.s thotë:”Kush dashuron dhe urren për hatër të Zotit, kush jep dhe privon për hatër të Zotit, ka plotësuar besimin.”

Me dashuri fitojmë parajsën e amshuar, për të cilën Profeti a.s thotë:”Betohem në Atë që ka në dorë jetën time, nuk do hyni në parajsë derisa të besoni dhe nuk do të besoni, derisa të duheni.”

Me dashuri, fitohet dashuria e Zotit dhe kënaqësia e Tij. Në një thënie, Zoti i lartësuar thotë:”Dashurinë Time e meritojnë ata që e duan njëri-tjetrin për hatrin Tim.”

Realisht, dashuria të bën dobi dhe të shëron ty, para se ti bëjë dobi dhe të shërojë dikë tjetër. Prandaj, nëse e do veten tënde dhe rend pas gjithçkaje që i bën asaj dobi, ushtroje veten që ti duash të gjithë ata që të rrethojnë, për hatër të Zotit dhe në shërbim të mirës.

Përktheu: Elmaz Fida