10.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Dashuria ndaj Allahut

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut, përfundim i mirë është për të devotshmit dhe s’ka armiqësi vetëm se ndaj zullumqarëve. E lavdëroj dhe e falënderoj Zotin tim. Tek Ai pendohem dhe tek Ai kërkoj falje. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, krijesën më të ndershme dhe të zgjedhurin e pejgamberëve dhe të dërguarve, për familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Muslimanë të nderuar!

 

Muslimanë të nderuar!

Vërtet, ndër synimet më madhore që muslimani i dëshiron në jetën e tij është dashuria e Allahut të Madhërishëm.

Në ndalesat vijuese do ta përjetojmë këtë dashuri madhore, duke shpresuar se Allahu i Lartësuar do të na furnizojë dashurinë e Tij, dashurinë e atyre që Ai i do, dhe veprën që na afron te dashuria e Tij.

Ndalesa e parë:

Allahu i Lartësuar e krijoi njeriun dhe te ai krijoi lloje të ndryshme të dashurisë. Dashuria e ushqimit për të uriturin nuk krahasohet me asgjë, i sëmuri nuk preferon asgjë tjetër ndaj shëndetit, babai është i zjarrtë në dashurinë e djemve dhe vajzave të tij. Ndaj, gjërat e dashura dhe të këndshme dallojnë nga një grup në tjetrin. Dikush e do pasurinë, dikush tjetër do reputacion, tjetri e do udhëtimin dhe shëtitjen, tjetri dëshiron të afrohet tek shokët dhe miqtë…, lloje të ndryshme të dashurisë, të cilat Allahu i ka vënë në zemrën e njeriut që të jenë udhëheqëse për të drejt veprave të cilat do t’i kryejë dhe zbatojë. Në disa prej tyre ka dobi të shumta dhe fryte madhore, ndërsa disa të tjera e çojnë të zotin e saj drejt shkatërrimit dhe humbjes.

Koka e këtyre llojeve të dashurisë dhe më e larta është: Dashuria e robit ndaj Zotit të tij të Lartësuar. Kush e ndjen shijen e saj dhe shijon ëmbëlsinë e saj, e ka arritur lumturinë në këtë botë dhe pas vdekjes së tij në botën tjetër.

Dashuria ndaj Allahut nënkupton bindjen, përuljen dhe adhurimin e Tij, kryerjen e urdhrave të Tij dhe të larguarit nga ndalesat e Tij, nënshtrimin ndaj Tij me shpresë të sinqertë dhe të larguarit nga mëkatimi i Tij me frikë. Ashtu siç kërkon edhe dashurinë e çdo gjëje tjetër që e dëshiron Allahu i Lartësuar dhe urrejtjen e çdo gjëje që e urren Allahu i Madhërishëm.

Njëherazi, dashuria ndaj Allahut kërkon edhe dashurinë ndaj të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, dhe mosdhënien përparësi ndaj asnjë dashurie tjetër, madje edhe ndaj dashurisë së prindit, fëmijës dhe të gjithë njerëzve tjerë.

Dashuria ndaj Allahut, gjithashtu, nënkupton ndjekjen e sheriatit të Tij dhe ndjekjen e udhëzimit të Pejgamberit të Tij, Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe dhënien përparësi kësaj ndaj dëshirave të shpirtit dhe kënaqësive të tij.

Dashuria ndaj Allahut nënkupton edhe dashurinë ndaj besimtarëve, ndihmën e tyre, mbështetjen dhe përkrahjen e tyre, ndijimi për çështjet e tyre, të gëzuarit me gëzimin e tyre, të pikëlluarit me pikëllimin e tyre, të këshilluarit dhe drejtuarit e tyre si dhe të dashurit e dobisë dhe të mirës për të gjithë ata.

Dashuria ndaj Allahut të Lartësuar kërkon krijimin e raporteve shoqërore, lidhjeve dhe marrëdhënieve mbi themelin e dashurisë për hir të Allahut dhe të urrejtjes për hir të Allahut.

Allahu i Madhërishëm duke i përshkruar robërit e Vet besimtarë se ata janë të dashurit e Tij thotë:

“Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa që i duan idhujtarët idhujt e tyre).” (Bekare, 165)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë:

“Nuk beson askush prej jush derisa të jem tek ai më i dashur sesa prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.”[1]

Ndalesa e dytë:

Dashuria ndaj Allahut ka domethënie dhe rëndësi të shumta në këtë botë dhe në botën tjetër. Kush e do Allahun e Lartësuar njëmend, me fjalë dhe me vepra, ka ndjerë shijen e besimit, ka gjetur ëmbëlsinë e tij në zemrën e tij, jeton me zemër të lidhur me Allahun e Lartësuar, me mendje të qetë. Shënon Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, nga Enesi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Tre janë ato gjëra, të cilat nëse gjenden tek një njeri, ai me të vërtetë ka ndjerë ëmbëlsinë e besimit: Allahu dhe i Dërguari i Tij duhet të jenë më të dashur për të se kushdo tjetër; Ata të cilët i do, i do vetëm për hir të Allahut dhe; Urren t’i kthehet mosbesimit, ashtu siç nuk do të dëshironte të hidhej edhe në zjarr.”[2]

Kush e do Allahun, atë e do Allahu, ndërsa atë që e do Ai, sjelljet dhe veprat e tij, fjalët dhe punët e tij do të jenë të mira të shumëfishuara tek Allahu i Lartësuar. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan.” (Maide, 54)

Transmetohet nga Ebu Hurejre, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kush e armiqëson mikun tim, i kam shpallur luftë atij. Dhe nuk afrohet robi tek Unë me diçka që është më e dashur për Mua se sa ajo që unë ia kam bërë detyrë atij. E vazhdon robi të më afrohet me punë të pëlqyeshme derisa ta dua atë. E pasi ta dua atë, do të jem dëgjimi i tij që ai dëgjon, shikimi i tij që ai shikon, dora e tij me të cilën merr dhe këmba e tij me të cilën ecën. E nëse më lutet Mua do t’i jap atij, dhe nëse më kërkon ndihmë do ta ndihmoj.”[3]

A thua agjërues të nderuar, shpresojmë të jemi të tillë?

Ndalesa e tretë:

Robërit e Allahut besimtarë, të cilët i do dhe e duan Atë, posedojnë veti me të cilat karakterizohen, shenja përmes së cilave njihen, gjurmët që shfaqen në sjelljet dhe gjymtyrët e tyre. Kush ec rrugës së tyre dhe i merr për model, fiton atë që kanë fituar, arrin atë që kanë arritur. Allahu i Lartësuar duke shpjeguar disa prej këtyre cilësive thotë:

“Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur.” (Maide, 54)

Raportet e tyre me njerëzit: Paqe dhe mëshirë me besimtarët, ashpërsi me femohuesit dhe jobesimtarët, të kujdesshëm për lartësimin e fjalës së Allahut, synimi i tyre të kënaqurit e Allahut të Lartësuar në çdo vepër dhe fjalë të tyre, luftojnë në rrugën e Allahut, e ndihmojnë të vërtetën dhe qëndrojnë me të, kënaqen njerëzit apo zemërohen, nuk i pengon të folurit e të vërtetës dhe të punuarit sipas saj. Kush e kënaq Allahun duke hidhëruar njerëzit, Allahu do të jetë i kënaqur me të e edhe njerëzit do t’i bëjë të kënaqen me të, ndërsa kush e hidhëron Allahun duke i kënaqur njerëzit, Allahu do të hidhërohet me të e edhe njerëzit do t’i bëjë të hidhërohen me të.

Prej cilësive të tyre janë edhe: Vazhdimësia e kërkimit të pendimit dhe faljes së mëkateve, të frikësuar për gjynahet e tyre, mirënjohës ndaj dhuntive të Allahut të Madhërishëm, lavdërues e falënderues ndaj Tij për të gjitha të mirat, zemrat e tyre janë të pastra dhe trupat e tyre higjienike. Allahu i Lartësuar thotë:

“Padyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Bekare, 222)

Muslimi shënon nga Enesi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Allahu është i kënaqur me robin kur ha një kafshatë ushqim dhe e falënderon për të, dhe kur pi një gllënjkë ujë dhe e falënderon për të.”[4]

Prej vetive të tyre janë edhe: Të stolisurit e tyre me morale të larta, me cilësi të lavdëruara, bëjnë gara për në mirësi, konkurrojnë ndërmjet vete duke i sjellë dobi njerëzve, fusha e tyre janë veprat e mira dhe bamirësia.

Gjithashtu prej cilësive të tyre janë edhe durimi dhe qëndrueshmëria, përpjekja dhe luftimi në rrugën e Allahut të Lartësuar, mbështetja tek Ai dhe pendimi, drejtësia dhe paanshmëria, bamirësia dhe devotshmëria. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Vërtet, Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij, të radhitur si të ishin një ndërtesë solide.” (Saff, 4)

Gjithashtu thotë:

“Pajtojini ata midis tyre, me drejtësi dhe paanësi, sepse Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi.” (Huxhurat, 9)

Gjithashtu thotë:

“Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Ali Imran, 159)

“Por bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (Bekare, 195)

“Jo! Por kushdo që plotëson premtimin e tij dhe ruhet nga të këqijat, (ta dijë se) Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm.” (Ali Imran, 76)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë:

“Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.”[5]

Gjithashtu i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë:

“Nuk ka dyshim se njeriu më i dashur tek unë dhe që do të jetë më afër meje në Ditën e Gjykimit është ai, i cili ka moralin më të lartë, ndërsa njeriu më i urryer tek unë dhe më larg meje në Ditën e Gjykimit janë: Llafazanët, imponuesit (në fjalë) dhe mendjemëdhenjtë.”[6]

O ju muslimanë të nderuar!

Këto janë cilësitë e të dashurve të Allahut të Lartësuar, të cilët dëshirojnë frytet e kësaj dashurie në këtë botë dhe në botën tjetër. E nuk ka nevojë të thuhet se kush i nëpërkëmbë këto, ose disa prej tyre, i ekspozohet zemërimit të Allahut të Lartësuar.

Ç’është gjendja e atyre që haptazi e mëkatojnë Allahun, të cilët preferojnë gjynahun ndaj bindjes dhe nënshtrimit, luajnë dhe i shkelin dhuntitë e Allahut të Madhërishëm dhe nuk janë mirënjohës për to? Ç’është puna e atyre që shmangen nga vëllezërit e tyre besimtarë, ndoshta madje edhe ua dëshirojnë të keqen atyre dhe nuk ndiejnë obligimin që kanë kundrejt tyre? Ç’është gjendja e atyre që kanë humbur përgjegjësinë e tyre kundrejt vetvetes dhe familjeve të tyre? Të tillët dhe të ngjashëm si ta, e kanë ekspozuar veten zemërimit dhe hidhërimit të Allahut të Madhërishëm. Allahu na shpëtoftë nga kjo!

Ramazani –muslimanë të nderuar- na kujton me cilësi të lavdëruara, në krye të së cilave qëndron dashuria ndaj Allahut të Madhërishëm. Le të angazhohemi në arritjen e kësaj dashurie duke realizuar shkaqet e saja, veçanërisht duke pasur parasysh se ndodhemi në ditët e fundit të muajit, i cili është fushë dhe mundësi për llogaritjen e vetes, për meditim dhe rishikim në të gjitha çështjet tona.

E lus Allahun e Lartësuar të na dhurojë dashurinë e Tij, dashurinë e atij që e do Atë dhe veprën që na sjell deri te dashuria e Tij dhe të na bëjë prej atyre që duhen ndërmjet veti për hir të Allahut. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/
[1] Buhariu me Fet’h el-Bari, 1/58 nr. 15. Muslimi, 1/67 nr. 44.

[2] Buhariu, 1/60, nr. 16. Muslimi, 1/66 nr. 43.

[3] Buhariu, 11/340 nr. 6520.

[4] Muslimi, 4/2095 nr. 2734.

[5] Buhariu, 10/449 nr. 6024. Muslimi, 4/1706 nr. 1265.

[6] Tirmidhiu, 4/325 nr. 2017

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit