8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Dardan Gashi e fsheh biznesin

Më të lexuarat

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, nuk e ka deklaruar fare një biznes që e ka të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit. Gashi nuk e ka deklaruar pronësinë e kompanisë “G Consulting” Sh.P.K. në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Ai e ka deklaruar vetëm një kompani që është në pronësi të bashkëshortes se tij. Kompania që është në pronësi të bashkëshortes së Dardan Gashit është kompania “ECHO”.

Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur që Dardan Gashi është pronar i “G Consulting” Sh.P.K.. Ky biznes është i regjistruar në vitin 2015, kurse bashkëshortja e tij, Jehona Bajrami është person i autorizuar si drejtoreshë dhe agjente e regjistruar në këtë biznes. Aktiviteti i “G Consulting” Sh.P.K i deklaruar në ARBK është këshillimi për biznes dhe këshillat e tjera për manaxhim, aktivitetet e tjera shërbyese në mbështetje të bizneseve, marrëdhëniet me jashtë dhe aktivitetet e kompanive “holding”.

“G Consulting” Sh.P.K në ARBK në pronësi të Dardan Gashit

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, ministri Gashi ka treguar arsyet pse nuk e ka deklaruar këtë biznes në AKK.

“Nuk është deklaruar pronësia e “G Consulting” Sh.P.K sepse kjo firmë vetëm është regjistruar por asnjëherë nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet, prej se është regjistruar deri më tani ka qenë pasive. Kjo është arsyeja e vetme pse nuk është deklaruar kjo pronësi”, ka deklaruar ministri Gashi për KALLXO.com.

Ligjit për Deklarimin e Pasurisë kërkon që zyrtarët e lartë, përveç pasurive tjera obligohen të raportojnë edhe për aksionet që i posedojnë nëpër Shoqëri Tregtare.

“Deklarimi në lidhje me gjendjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe anëtarët e familjes së tyre, përmban informacione rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si: paluajtshmëria; pasuri e luajtshme në vlerë mbi pesëmijë (5 000) Euro; zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare”, thuhet në nenin 5 të këtij ligji.

Aty nuk specifikohet nëse zyrtari i lartë nuk duhet t’i deklarojë aksionet për bizneset që nuk janë aktive. Mos-deklarimi i saktë i pasurisë është pjesë e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Është nenin 437 të Kodit Penal të Kosovës  që ka dy paragrafe në të cilët tregohet se cilat veprime mund të dënohen me burg.

Paragrafi i parë i këtij neni flet për mos-deklarim të pasurisë.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës”, thuhet në paragrafin e parë të këtij neni.

Ndërsa, për deklarimin që nuk bëhet në përputhje me kërkesat e deklaratës së pasurisë flet paragrafi pasues.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 437 të Kodit Penal të Kosovës.

Në formularin e deklarimit të pasurisë ai ka deklaruar se posedon një shtëpi me sipërfaqe 260 metra katrorë, me vlerë 230 mijë euro dhe një shtëpi 200 metra katrorë me vlerë 300 mijë euro të cilën e ka deklaruar në emër të prindit.

Po ashtu Gashi ka deklaruar edhe një veturë me vlerë 18 mijë euro të cilën e posedon që nga prilli i vitit 2017 dhe posedimin e letrave me vlerë në “Rohstof Artien” që nga viti 1996.

Ministri Gashi ka deklaruar para të gatshme me vlerë 4500 euro në pronësi të tij dhe 1000 euro në pronësi të fëmijëve. Sa i përket të hyrave vjetore ai ka deklaruar se merr 1356 euro pagë nga qeveria e Kosovës, se bashkëshortja e tij merr 4800 nga Klan Kosova dhe 4000 euro nga kompania “ECHO” dhe fëmijët e tij në Vienë përfitojnë 18 mijë euro.

Pas publikimit të shkrimit, zv.kryeministri Gashi ka dërguar një reagim në redaksinë e KALLXO.com. I njëjti është publikuar i plotë dhe pa ndërhyrje në këtë tekst. Bashkë me të është publikuar edhe sqarimi i redaksisë për këtë reagim. 

Reagim ndaj shkrimit: EKSKLUZIVE: Dardan Gashi e fsheh biznesin

E nderuara redaksi e Kallxo.com,

Duke ju referuar shkrimit tuaj “ekskluziv” me titullin e mësipërm, për hir të informimit të saktë të opinionit publik, si Ministri, jemi të detyruar që të qartësojmë një fakt.

Ju me të drejtë keni shkruar se kompania G Holding është në pronësi të zv. Kryeministrit Gashi, dhe e keni potencuar që kjo kompani ka 0 qarkullim dhe nuk është aktive.

Dhe në të njëjtin shkrim keni deklaruar se, “fshehja” e këtij fakti është i dënueshëm me kodin penal të Republikës së Kosovës, nenin 437.

Mirëpo, për hir të klikimeve, apo të prirur pas sensacionit, ju keni bërë keqinterpretim të kësaj dispozite, sepse aty flitet për pasuri, dhurata, dobi pasurore, ose detyrim financiar. Ministri Gashi nuk ka asnjërën nga këto – pasi që, po e potencojmë edhe njëherë, kompania nuk ka qenë asnjëherë aktive dhe qarkullimin e ka 0 (zero) EUR.

Nuk paraqet “biznes” një entitet i cili nuk ka aktivitet e as lloghari bankare sepse nuk është aktivizuar asnjëherë, andaj e konsiderojmë të qëlimshëm aludimin e gazetares se ministri Gashi paska fshehur një të dhënë.

Deklarimet e pasurisë si në mandatet e kaluara, ashtu edhe në këtë, ministri Gashi i është përmbajtur me përpikëri, andaj eksluziviteti i këtij shkrimi, konsiderojmë se është tendencioz, dhe tentim për dëmtim të qëllimshëm të imazhit dhe përdredhim i realitetit andaj edhe jemi detyruar që të kërkojmë nga ju të botoni reagimin tonë të plotë.

Sqarimi i redaksisë

Fillimisht, në reagimin e Ministrisë së Diasporës në emër të ministrit konfirmohet edhe njëherë se kompania në fjalë është e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. Përderisa, reagimi i ministrisë në asnjë vend nuk argumenton asnjë të pavërtetë të bërë në shkrimin e publikuar në Gazetën JNK, vetë ministri thotë disa të pavërteta.

E para, secila kompani që regjistrohet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve bazuar në Ligjin për Shoqëritë Tregtare mund dhe duhet të quhet biznes. Shkrimi në asnjë vend nuk e cekë nëse biznesi në fjalë ka apo jo qarkullim.

Në shkrim janë përmendur nenet e Kodit Penal që e sanksionojnë mos-deklarimin e pasurisë apo mos-deklarimin e plotë, mirëpo nuk është bërë konstatimi që veprimi i Gashit është i dënueshëm me burg. Pas publikimit të këtij hulumtimi, i takon Agjencisë Kundër Korrupsionit me nis hetimet dhe me pa nëse veprimi i Gashit është në kundërshtim me Ligjin apo jo. Normalisht për dënimet në rastet kur ka elemente të veprës penale, në fund, vendosë Gjykata.

Me e përmbyll me atë që e kemi filluar, reagimi i Gashit i konfirmon dy fakte: Gashi është pronar i vetëm i një biznesi, dhe atë biznes nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit