Cristiano Ronaldo fiton çmimin prestigjioz “Marca Legend”

0
17

Superylli portugez Cristiano Ronaldo është shpërblyer nga e përditshmja “Marca” për karrierën e tij të suksesshme si futbollist profesionist.

Futbollisti 34-vjeçar ka fituar çmimin prestigjioz “Marca Legend” (Legjenda e Marca-s) për herë të parë në karrierën e tij, duke e shtuar edhe një çmim në koleksionin e tij të trofeve.

“Ky trofe do të vendoset në një vend shumë të bukur në muzeun tim i cili ndodhet në ishullin Madeira. Madridi është i veçantë. Udhëtoj shumë por ka shumë pak qytete si Madridi. Pjesa më e madhe e këtij çmimi vjen shkaku i asaj që kam bërë në Madrid”, tha Ronaldo.

“Është një trofe spanjoll dhe jam shumë i nderuar që e fitoj. Faleminderit të gjithëve që më ndihmuan ta arrijë atë. Është çështje krenarie për mua dhe shpresoj të kthehem në Madrid së shpejti”, shtoi ai.

Marca ka ndarë këto çmime për figurat e suksesshme të sportit që nga viti 1997.

Ronaldo gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit gjithashtu u ribashkua me kryetarin e Real Madridit, Florentino Perez, përderisa fansat brohorisnin “nënshkruaje” duke bërë thirrje që ai të rikthehet në klub.

Sportistët e shquar që fituan këtë çmim në të kaluarën përfshijnë tenistët Rafa Nadal dhe Roger Federer, basketbollistët Michael Jordan dhe Pau Gasol, notuesin Michael Phelps, garuesin me motor Marc Marquez, çiklistin Miguel Indurain, atletin Usain Bolt.

Legjendat e futbollit si Lionel Messi, Raul Gonzalez, Diego Maradona, Pele dhe Paolo Maldini gjithashtu janë fitues të këtij trofeu./AA