4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Covid-19 – një tablo përtej spekulimeve

Më të lexuarat

Dr. Roland Hoxha

Viruset, si bashkëshoqëruese thuajse të përhershme të jetës, janë grimca nanometrike, me strukturë relativisht të thjeshtë, të cilat janë në gjendje të gjallojnë dhe shumohen vetëm në brendësi të qelizave bujtëse, qofshin këto qeliza humane apo jo. Si të tilla, ato përgjithësisht shkatërrojnë qelizat tek të cilat janë strehuar pasi kanë shfrytëzuar paraprakisht gjithë mekanizmat e saj për t’u riprodhuar në organizëm. Edhe virusi me emrin Covid-19, i cili u përhap nga Kina e largët në të gjithë planetin, nuk është asgjë më pak sesa një grimcë e tillë. Covid-19 është një virus, i cili si gjithë anëtarët e familjes se tij (Sars, Mers) “zapton” qelizat e traktit të frymëmarrjes, duke dhënë në një përqindje të rasteve edhe komplikacione të traktit respirator.

Njerëzimi është njohur paraprakisht me këtë familje virusale në dy dekadat e fundit, çka ka bërë që vendet të cilat e kanë kaluar një virus të tillë, të tregohen qartazi më të “zotë” në betejen me anëtarin me “të ri” të familjes Covid (arsyeja se përse emërtohet “i ri’ – nCovid-19 = “novel coronavirus 19”, është prania e një dhëmbëzimi tek struktura glikoproteike i këtij virusi, i cili nuk është tek struktura e Covidit).

Duke qenë se ka patur shumë spekullime, sidomos në pretendimet e ngritura për zbulimin e një medikamenti specifik anticovid, duhet theksuar së pari se ne sot nuk e zotërojmë nje antiviral të tillë. Antiviralët të cilët janë bërë pjesë e trajtimeve empirike në rastet relativisht të rënda, kanë treguar një efekt të pjesshëm në trajtimin e këtyre të semurëve, dhe kjo është më se e kuptueshme, perderisa ky virus bën një “jetë të fshehtë” brendaqelizore.

Trajtimet e tjera të përmendura janë pjesë e reaminimit të gjendjes së përgjithshme të të sëmurit dhe kanë natyrë simptomatologjike dhe jo shkakësore, që do të thotë se jane trajtime që merren me zbutjen e pasojave të shkaktuara nga sëmundja në organizëm apo në modulimin e përgjigjes imunitare, i cili ka rezultuar shpeshherë si shkak i deficiteve organore.

Pjese e terapive empirike janë edhe antibiotikët, të cilët përdoren për trajtimin apo për profilaksinë sëmundjeve me origjinë bakteriale qe shpesh shoqërojne te sëmurë covid. Krahas kësaj, një pjesë e specialistëve të virologjisë po shohin mundësinë e efikasitetit në përdorimin e vaksinave ekzistuese, duke nxjerrë nga arkivi jo pak syresh.

Sa i perket perdorimit te hidroklorokines, nje preparat ky qe i perket antimalarikeve, duket se ka pas qëndrime kontradiktore per shkak te efekteve anësore që shpesh here kanë rezultuar edhe fatale.

Përpjekje po bëhen për aplikimin e serumeve humane “të ekstaktuar” nga gjaku i pacientëve të shëruar tashmë nga Covid-19 si dhe njëkohësisht po punohet ne disa drejtime njëheresh edhe për vaksinën e shumëpritur e cila pretendohet të jetë në përdorim masiv brenda një periudhe 2 vjeçare. Me ardhjen e stinës së verës, sakaq, pritet një përmirësim i situatës epidemike, dhe kjo për shkak të uljes së aftësisë transmetuese të virusit në prani të temperaturva të larta, por jo të asgjësimit të tij.

Ndryshe nga shumë fusha të tjera, në fushën e mjekësisë, kur fjala vjen tek viruset (një sektor ky i mjekësisë i cili, për fat të keq, është lënë disi mbas dore, sidomos sa i përket kërkimeve shkencore, pavarësisht se rreziku i “mësymjeve” virusore është gjithnjë i lartë dhe eminent), si parim i përgjithshëm vlen rregulli i “specificitetit”; që do të thotë se një sëmundje specifike kërkon një mjekim specifik.

Në rastin e Covid-19, ne ende nuk mund të themi se e kemi një mjekim për parandalimin apo trajtimin e tij. Kështu që, në këtë drejtim duhet treguar mjaft kujdes, pasi në rast se mjekimet përvetësohen dhe përdoren pa qenë paraprakisht të testuara, shkencërisht të provuara dhe zyrtarisht të çertifikuara nga autoritetet përgjegjëse, atëherë ekziston rreziku që këto mjekime të shkaktojnë jo pak dëme, siç vërejmë, për shembull, në disa qindra raste në Iran.

Kështu që, në pritje të disa studimeve dhe kërkimeve të tjera në drejtim të gjetjes së një mjekimi adekuat anti-Covid, të vetmet strategji efektive mbeten metodat epidemiologjike , që do të thotë shprehimisht testim , gjurmim dhe izolim i pacientëve të infektuar. Kjo strategji eshte qartazi e ndryshme me “lockdown”-in total i cili eshte efektiv vetem ne fazen e pare te qendrimit ndaj epidemise, fazë në të cilen do bëhej e mundur përgatitja e infrastrukturës spitalore per te përballuar te prekurit qe do te vinin pas rinisjes normale te jetës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit