7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Coronavirusi dhe izolimi shptëpiak në një këndvështrim tjetër

Më të lexuarat

Enes Koshi

I Dërguari i Allahut, Muhammedi ﷺ thotë:

“E çuditshme është puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është hajr. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falenderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin.” (Muslimi).

Para pak ditësh, Organizata Botërore e Shëndetësise e shpalli coronavirusin pandemi globale. Me këtë rast, për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje epidemike, organet kompetente rekomandojnë që si masë mbrojtëse, të praktikohet edhe izolimi shtëpiak.

Shumica e njerëzve kur dëgjojnë fjalën „izolim“ i kaplon një ndjenjë e frikës dhe pakënaqësisë, mirëpo izolimi përveç se është një preventivë shumë efikase për t’u mbrojtur nga ndonjë infektim i mundshëm, ka edhe disa dobi të brendshme apo shpirtërore që nuk mund të imagjinohen.

Dijetari i mirënjohur musliman, Imam Gazaliu (Allahu e mëshiroftë), në veprën e tij të famshme „Ihjau ulumid-din“ përmend disa dobi të vetmimit (izolimit). Ndër të tjerash, ai thotë:

„Dhënia pas ibadetit, dhikrit, meditimit, të drejtuarit kah Allahu në vend të njerëzve, e tërë kjo kërkon kohë të lirë dhe vetmi, e as njëra dhe as tjetra nuk mund të realizohen nëpërmes shoqërimit me njerëz. Mënyra e vetme është izolimi. Me izolim njeriu lirohet nga mëkatet të cilave iu është ekspozuar më shumë sesa nëse shoqërohet me njerëz, ndërsa në vetmim është i kursyer nga mëkatet. Këto mëkate janë: përgojimi, bartja e fjalëve, syefaqësia, braktisja e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, si dhe imitimi i cilësive të këqija morale dhe veprave të padëshiruara që shkaktojnë lakmia dhe dëshira për dynja.

Prej dobive të vetmimit është ruajtja nga grindjet dhe ngatërresat, ruajtja e fesë dhe vetvetes nga marrja me këto gjëra dhe largimi prej ekspozimit ndaj rreziqeve. Pak ka provinca që janë të kursyera nga fanatizmi, ngatërresat dhe armiqësitë. Me izolim, njeriu është i kursyer nga dëmi i njerëzve. Ata ndonjëherë të ofendojnë, ndonjëherë të përgojojnë, ndonjëherë akuzojnë, ndonjëherë do t’i përcjellin fjalët e tua ose do të gënjejnë. Nëse izolohesh nga njerëzit, do të jesh i kursyer nga nevoja që të jesh vazhdimisht i përqëndruar se çfarë do të thuash dhe si do të veprosh. Në vetmi, e kursen veten edhe nga njerëzit me natyrë të rëndë dhe mendjelehtë, nga durimi i marrëzive të tyre dhe sjelljes së keqe. Pra, në vetmi është shpëtimi nga e gjithë kjo, andaj ke parasysh këtë.”

Jeta dinamike ka bërë që ta harrojmë shpesh vetveten tonë, prandaj zemra ka nevojë për pushim, për qetësim, ka nevojë të qëndrojë ndonjëherë në vetmi të plotë, larg njerëzve, që të forcohet për ibadet.

Tashmë ndodhemi edhe në muajin Rexhep, muajin në të cilin besimtari fillon përgatitet për ta pritur sa ma mirë muajin e shenjtë të Ramazanit. Prandaj, ta shfrytëzojmë kohën e lirë me agjërim, namaz, lexim, lutje, sadaka e me çdo gjë të mirë e të dobishme.

Kërkoj mbrojtjen e Allahut, mbështetem tek Ai që është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë. I lutem Allahut që t’na mbrojë nga çdo sëmundje dhe çdo e keqe. Amin!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit