Cilat janë familjet mafioze të Shqipërisë?

0
146

Nga Vehap Kola – 16:13, 25/01/2021
Modeli i Cosa Nostras në tenderat publikë

Në traditën e organizatës italiane të mafias, Cosa Nostra, familjet mafioze pretendonin sovranitet mbi një territor të mirëpërcaktuar dhe e ushtronin dominimin e tyre në një zonë të caktuar gjeografike.

Organizata cakton njërën prej familjeve për të koordinuar veprimtaritë e nevojshme për polarizimin e proceseve të konkurrimit për tendera publikë. Sipërmarrës lokalë që duan të fitojnë kontrata apo të bëhen subkontraktorë të projekteve publike u afrohen anëtarëve të familjeve mafioze. Kjo u garanton atyre mbrojtje dhe një fetë nga punët publike.

Me mbështetjen e zyrtarëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, organizata mafioze krijon biznese ‘të pastra’ dhe konsorciume të përkohshme për të shërbyer si nën-kontraktorë. Kësisoj, anëtarët e mafias fshehin interesin e tyre në kompani të ndryshme ndërtimi dhe operojnë përmes të emëruarve që ‘i mbulojnë’ ata në regjistrat publikë.

Falë marrëdhënieve dhe marrëveshjeve me burokratë dhe profesionistë, kompanitë e mafias sigurojnë të gjitha kërkesat teknike e financiare zyrtare të çdo tenderi publik. Një ndihmë të veçantë këtu japin politikanët dhe zyrtarët publikë që ndihmojnë në hartimin dhe pranimin e dokumenteve të detyrueshëm.

Me ndihmën e këtyre politikanëve dhe zyrtarëve, çmimet e tenderave identifikohen paraprakisht dhe kështu vendoset se kush do të jetë fituesi i tenderit. Anëtarët e kartelit pajtohen që të ndërrojnë rolet në sipas planit të familjes mafioze koordinuese. Jo anëtarët pengohen të marrin pjesë në konkurrim përmes kërcënimeve dhe dhunës nga anëtarët e mafias.

Për t’u bërë anëtarë të kartelit, sipërmarrësit nuk paguajnë asnjë tarifë financiare. Ata që paguajnë për ‘shërbimet’ e ofruara nga familja mafioze janë kompanitë fituese. Pagesa bëhet zakonisht duke kaluar një pjesë të vlerës së tenderit (5% deri në 10%) ose duke dhënë me nënkontraktim punët e kontratës për kompani që ‘sponsorizohen’ nga mafia.

Aktorë nga sfera e ligjshme dhe ajo kriminale shkrihen kështu në marrëveshje me përfitim të ndërsjellë. Në këtë sistem shkëmbimi, provohet se sipërmarrësit lokalë nuk janë thjesht pjesëmarrës pasivë. Në fakt, ata janë nismëtarë të marrëdhënieve të tilla bashkëpunimi dhe bëhen bashkëpunëtorë me funksionin dhe interesat e krimit të organizuar.

Evidencat nga përvoja e prokurorisë italiane të antimafias në rajonin e Katanias në Siçilinë lindore tregojnë se në një numër të madh tenderash u zbulua se e njëjta listë kompanish merrte pjesë rregullisht në të gjithë tenderat dhe secila prej tyre fitonte njërin nga tenderat.

Pra, shpërndarja e fituesve përcaktohej sipas një sistemi rrotacioni, në të cilin firmat pranojnë të marrin pjesë në tender duke paraqitur oferta shumë të përafërta, me një dallim të vogël financiar nga firma me ofertën më të ulët. Tipari i dytë i këtij sistemi rrotacioni ishte konkurrimi territorial, në të cilin firmat pajtoheshin të mos merrnin pjesë në tenderat në territorin e familjeve të tjera mafioze.

Modeli i Rilindjes

Nëse projektojmë këtë model të kontrollit të mafias mbi kontratat publike, praktika të tilla në prokurimin publik shqiptar duken normale. Pothuajse të gjitha administratat e periudhës së pluralizmit janë akuzuar dhe shpeshherë edhe është provuar se janë shkrirë me biznesin privat në shumë projekte të punëve publike. Paracaktimi i fituesit, subkontraktimi, ryshfeti 5%, 10% apo 20% siç doli nga përgjimet e prokurorisë italiane të anti-mafias, janë elementë familjarë për këdo që ka marrë pjesë edhe një herë të vetme në konkurrimin për një tender publik.

Raporti i fundit i Global Initiative zbulonte se të paktën 30% e vlerës së prokurimeve publike shkonin si ryshfet për zyrtarët e lartë. Dëshmitë e sipërmarrësve e konfirmojnë këtë: çmimi i tenderave ka shkuar 30% të thonë shumë prej tyre.

Krahasuar me këto norma, tarifat që merrte familja Santapaola në Katania të Siçilisë duken vogëlsira. Gjithashtu, prokuroria italiane e antimafias nuk duket se ka zbuluar raste të rritjes fiktive të vlerës së tenderit nga zyrtarët e lartë për të krijuar hapësirë që mafia të shtojë fitimet. Gjithçka luan brenda vlerës normale të tenderit dhe marzhit të fitimit të kompanisë kontraktore apo subkontraktore.

Mafia e Rilindje, pra, ia kalon edhe Ndragheta-s, edhe Cosa Nostra-s, edhe Camorra-s në babëzinë për të përpirë çdo qindarkë nga paratë publike. As ardhja e Ndragheta-s në Tiranë me projekte për ndërtim kullash e pallatesh nuk e ka shmangur këtë procedurë gjobëvenieje nga Rilindja. Përgjimet e anti-mafias italiane tregojnë se ryshfeti për lejet e ndërtimit është 20% e vlerës së tregut. Po çmimi që paguajnë qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë cili është?

Çmimi i parë është fuqizimi makabër i një grupimi politik në një shkallë që e vë demokracinë në pikëpyetje. Nëse vështirësohet deri në pamundësi aftësia e qytetarëve për të ndryshuar qeverinë me votë, pasojat do të jetë të pallogaritshme. Një diktaturë arrogante do të jetë rezultati logjik i fuqizimit të Rilindjes me paratë e mafias.

Çmimi i dytë që paguajnë qytetarët është monopolizimi i tregjeve. Djallëzisht, shumë propagandistë të pushtetit përpiqen të bindin qytetarët se ardhja e parave, pavarësisht origjinës, do ta bëjë Shqipërinë më të pasur.

Kriza e pandemisë është prova më e afërt se lulëzimi i industrisë së ndërtimit, veçanërisht në Tiranë, e dyshuar për financim nga paratë e ekonomisë së nëndheshme, nuk ka ndikuar në përmirësimin e ekonomive familjare dhe biznesit të vogël e të mesëm. Përkundrazi, dhjetëra mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës dhe rreth 5 mijë biznese të vogla dhe të mesme kanë falimentuar. Pjesa tjetër e bizneseve kanë pësuar rënie të shitjeve deri në masën 50%.

Për vetë natyrën e operacioneve të pastrimit të parave që synojnë të ulin rrëzikun e kapjes nga institucionet e zbatimit të ligjit përmes uljes së numrit të operatorëve me të cilët bashkëpunojnë, çdo projekt i financuar prej tyre ndihmon fuqizimin e një grupi të vogël kompanish. Për pasojë pozita e kompanive të tjera në treg dobësohet dhe tregu monopolizohet. Shpërndarja e të ardhurave polarizohet, duke favorizuar më të pasurit dhe duke zvogëluar pjesën e të ardhurave që përfitohet nga më të varfërit.

Hyrja e parasë me origjinë kriminale ka edhe një çmim të tretë për qytetarët e zakonshëm të një vendi është rënia e investimeve të huaja direkte. Një ndër pasojat e para me të cilat ballafaqohet një vend me nivel të lartë të pastrimit të parave, siç është Shqipëria (e dyta në Europë), është ikja e kapitalit të huaj dhe largimi i investimeve të planifikuara.

Tregje të tilla të mbytura me para kriminale konsiderohen riskoze nga investitorët e huaj. Gropa që lënë pas investimet e huaja direkte në shëndetin e një ekonomie nuk mund të mbushet nga paraja e zezë, edhe për dy arsyet e shpjeguara më lart. Investimet e huaja direkte krijojnë punësim dhe zbusin pabarazitë ekonomike. Paraja kriminale bën saktësisht të kundërtën.

Viteve të fundit, Shqipëria është shndërruar në kopshtin europian të kanabisit dhe në portin e kokainës. Edhe pse investimet e huaja direkte nuk janë rritur dhe remitancat nga emigrantët kanë rënë, çmimi i euros në treg ka rënë pikërisht për shkak të efektit që ka patur hyrja e parasë së zezë. Por, ndryshe nga sa pretendohet nën zë nga propagandistët e pushtetit apo për viktimat e kësaj propagandë, 90%-ëshi i shqiptarëve janë varfëruar. Indeksi GINI i pabarazisë tregon qartësisht thellim të hendekut ekonomik ndërmjet të pasurve 10%-ëshit më të pasur dhe pjesës tjetër të popullsisë. Mbi 300 mijë shqiptarë janë larguar gjatë këtyre viteve drejt Europës për shkak të kushteve të këqija ekonomike në vend.

Siçilia e viteve tridhjetë viteve ndërmjet 1960 dhe 1990-s ishte, njësoj si Shqipëria sot, parajsë e operacioneve të mafias në tenderat publikë dhe në ndërtim. Njësoj si vendi ynë sot, ajo ishte dhe mbetet një zonë e varfër e Italisë. Siçilianët nuk u pasuruan nga korrupsioni dhe paraja e pistë. As shqiptarët nuk janë pasuruar e as nuk do të pasurohen nga korrupsioni më i thellë dhe paraja kriminale më e bollshme që ka sjellë në vend shkrirja e shtetit me mafian.

Të vetmit të pasuruar të këtij modeli ekonomik kriminal janë familjet mafioze të Shqipërisë, të cilat marrin 20%, 30% e deri 50% të vlerës së tenderave dhe dihet se kush janë.