9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Çfarë pëlqen në “Facebook” tregon se çfarë tipi je

Më të lexuarat

Shkencëtarët kanë arritur të përdorin algoritme për të zbuluar se çfarë personi fshihet pas atij që bën “like” në gjëra të ndryshme, duke identifikuar pa i pyetur tipare të tilla si orientimi seksual, besimi fetar, bindjet politike, raca etj.

Seksualiteti, bindja politike dhe madje, edhe niveli i inteligjencës, mund të identifikohen duke përdorur të dhënat mbi atë se çfarë keni bërë “like” në “Facebook”, raporton një studim i kryer në Britaninë e Madhe.

Kërkuesit nga Universiteti i Kembrixhit përdorën algoritme për të parashikuar religjionin, politikën, racën dhe orientimin seksual të përdoruesve të medias shoqërore.

Studimi i publikuar në revistën shkencore PNAS, formon portrete personale veçanërisht të sakta, gjë që ka habitur edhe vetë kërkuesit. Aktivistët e privatësisë deklaruan menjëherë se gjetjet e studimit janë një “sirenë alarmi” për përdoruesit.

Studimi përdori 58 mijë vullnetarë, të cilët ofruan krahas aktivitetit të tyre në “Facebook” dhe informacion demografik, edhe rezultatet e testeve psikometrike të dizajnuara për të zbuluar tiparet e personalitetit.

Pëlqimet e shënjuara në “Facebook” u futën në algoritme dhe u krahasuan me informacionet e mbledhura nga testet e personalitetit. Algoritmet rezultuan 88 për qind të sakta për përcaktimin e seksualitetit mashkullor, 95 për qind të sakta për të dalluar afro-amerikanët nga kaukazo-amerikanët dhe 85 për qind për të dalluar mbështetësit e republikanëve nga ata të demokratëve.

Kristianët dhe myslimanët u klasifikuan në mënyrë korrekte në 82 për qind të rasteve, ndërsa statusi civil dhe abuzimi me drogën u identifikuan me saktësi mes 65 dhe 73 për qind.

Linqet e klikuara shumë rrallë zbuluan informacion mbi tiparet e përdoruesve. Në më pak se 5 për qind e përdoruesve gej u zbuluan se patën klikuar faqe të lidhura me këtë tipar.

Por, nga ana tjetër, algoritmet mblodhën një sasi të stërmadhe pëlqimesh mbi muzikën apo spektaklet televizive për të krijuar profilet e personalitetit.

Ajo krijoi gjithashtu disa lidhje që çuditën kërkuesit.

“Pëlqimet për gatimet e fërguara rezultuan me korrelacion me inteligjencën e lartë dhe njerëzit që pëlqyen filmin ‘Kalorësit e errësirës’ patën tendencën të kenë më pak miq në ‘Facebook’”, tha autori i kërkimit, David Stillwell.

Studimi duket se do t’u pëlqejë veçanërisht shumë kompanive të medias shoqërore, të cilat janë të etura për të fituar para nga përdoruesit përmes marketingut të personalizuar. Por kërkuesit paralajmëruan se profilet dixhitale të njerëzve po kërcënojnë gjithashtu jetën private.

“Unë e vlerësoj shumë rekomandimin automatik të librave interesantë apo përzgjedhjes që ‘Facebook’ u bën lajmeve më të rëndësishme në bllokun e lajmeve të mia (newsfeed). Gjithsesi, unë kam parasysh ndonjë situatë ku të njëjtat të dhëna dhe teknologji përdoret për të parashikuar këndvështrimet politike apo orientimet seksuale, duke u kthyer në kërcënim për lirinë apo edhe vetë jetën”, tha Michael Kosinski, kërkues në projekt.

Pyetja shtrohet se çfarë potenciali shtypës mund të kenë këto të dhëna dhe algoritme nëse bien në duart e qeverive diktatoriale të botës, ku qeveritë mund të informohen për tiparet e disidentëve që para se këta të fillojnë të flasin kundër qeverisë.

Këshillat e ekspertëve janë kujdesi në përzgjedhjen e kritereve të privatësisë.

“‘Facebook’ i klasifikon pëlqimet si çështje publike që në fillim, por nuk është ‘Facebook’ që ju detyron ju t’i bëni publike; ju keni mundësi të ndryshoni kushtet e privatësisë.”

Ai këmbënguli se rezultatet kanë pasoja përtej medias shoqërore për të gjitha të dhënat dixhitale të shënuara, nga historia e faqeve të vizituara te termat e përdorur për kërkim.

“Ky kërkim duhet të shkaktojë një sirenë alarmi për këdo që mendon se të dhënat e privatësisë janë një zgjidhje për mbrojtjen e informacionit në internet. Ne kemi nevojë në mënyrë thelbësore të rimendohemi mbi faktin sesa shumë të dhëna po japim në mënyrë vullnetare”, tha Nick Pickles, drejtor i kompanisë aktiviste për mbrojtjen e privatësisë, “Big Brother Watch”.

“Publikimi i pëlqimeve mund të mos duket shumë dëmtuese, por ajo krijon mundësinë që individët të kategorizohen dhe sjelljet e tyre të parashikohen në çështje që janë shumë më tepër personale dhe sensitive nga sa mendojnë njerëzit. Edhe një herë është e qartë se ka mungesë transparence mbi mënyrën sesi të dhënat e përdoruesve do të përdoren dhe frika se të dhënat tona mund të shfrytëzohen për përfitime komerciale është tërësisht e justifikuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit