Çfarë ndieni kur përballeni me një grua të mbuluar? Ja si përgjigjet Macron

0
774

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është shprehur se “nëse duam të jemi në unitet, duhet të pranojmë lirinë e fesë dhe besimit”.

Macron i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një program special të publikuar nga BFMTV dhe Mediapart. Ai pyetjes në lidhje me muslimanët dhe mbulesën në vend, i është përgjigjur se kryesisht feja islame është përhapur në Francë pas migrimeve dhe lëvizjeve të popullsisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Për Francën kryesisht kjo fe konsiderohet e re. Historikisht Franca ka patur lidhje me katolikët, protestantët dhe hebraikët. Shumë nga bashkatdhetarët tanë kanë frikë nga ky fenomen i ri. Nëse duam të jemi në unitet, duhet të pranojmë lirinë e fesë dhe besimit”, ka theksuar Macron, duke bërë të ditur se sot ka 4.5 deri në 6 milionë qytetarë muslimanë francezë.

Më tej Macron ka nënvizuar se kjo frikë është ushqyer për shkak të rrymave radikale dhe se kjo nuk paraqet Islamin e vërtetë.

Pyetjes “Çfarë ndieni kur përballeni me një grua të mbuluar?”, Macron i është përgjigjur “e respektoj dhe gjithashtu ndaj kësaj duhet të tregohet respekt edhe në Francë.”

Ai duke vënë në dukje se nuk është pro një rregullimi ligjor që do të sillte ndalimin e shamive në Francë, Macron ka përmendur ndryshimet e mënyrës së jetesës tradicionale franceze me fenë islame.

Në lidhje me çështjen e pjesëmarrjes së nënave të mbuluara bashkë më fëmijët e tyre në aktivitetet dhe shëtitjet e shkollave, që në një kohë në Francë u bë temë diskutimesh, presidenti Macron u shpreh: “Nëse ato janë qytetarë, nuk janë punonjës apo me detyrë në shkollë, ata mund t’i vendosin shamitë e tyre të mbulesës sepse shkolla është laike, shoqëria nuk është laike”.